"Analiza e pyetësorit të Portalit Shkollor Albas, për t’u lexuar dhe reflektuar nga institucionet përkatëse"
71% e mësuesve kanë deklaruar se kryerja e trajnimeve publike sjell mbingarkesë, sepse trajnimet kryhen pas pune ose në ditët e pushimit. 87 % e mësuesve shprehen se përdorin pajisjet e tyre teknologjike për të kryer detyrat e tyre. Vetëm 20 % e shkollave kanë infrastrukturë të përshtatshme digjitale.
Pas grumbullimit të të dhënave sasiore të përgjigjeve të pyetësorit që ne zhvilluam pak ditë më parë në lidhje me nismën e MAS për fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025 dhe pas një bisede që zhvilluam me ekspertin e arsimit Fiqiri Çifliku, ju sjellim analizën që ka dal nga anketimi i mbi 300 mësuesve që i janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme, si në dokumentin në PDF që mund ta shihni në fund të shkrimit analizues. Ju ftojmë ta lexoni më poshtë.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
“I gjithë qëllimi i edukimit është të kthejë pasqyrat në dritare. Mësuesit janë ata që ndërtojnë këto dritare për ne”
Ditë më parë nga Portali Shkollor Albas u zhvillua një pyetësor online, për të marrë vlerësimin e mësuesve në kuadër të nismës së MAS për fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025.
Nga mbi 300 mësuesit që i janë përgjigjur pyetësorit, 84 % e mësuesve i përkasin arsimit publik dhe 16 % e tyre i përkasin atij jopublik, të shpërndarë në tri nivelet arsimore.
Përshtypja e përgjithshme është se 65 % e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht nismën e ndërmarrë nga ana e MAS, ndërkohë pjesa tjetër shprehet se ky proces nuk do të ketë asnjë ndikim apo se nuk u intereson.
Ndërkohë 56 % e mësuesve mendojnë se kryerja e trajnimeve nga institucionet e arsimit të lartë nuk do të jetë më efektive se modeli aktual. Kjo vjen për shkak të shkëputjes fizike që stafi i universiteteve ka me punën në mjedisin fizik të klasave, me kontingjente të nxënësve të moshës shkollore, etj. Në këtë kuadër, përgjigjet për pyetjen se sa do të ndikojë ky model trajnimi në përmirësimin e rezultateve të të nxënit, i janë përgjigjur pozitivisht vetëm 36 % e të anketuarve. Rreth17% e mësuesve shprehen se nuk e dinë dhe 47%, se ky model do të ketë pak ose aspak ndikim.
Në lidhje me mënyrën e evidentimit nga shkollat,e nevojave për trajnim,nga përgjigjet rezulton se vetëm 10 % e tyre kanë dalë si analizë e hollësishme e rezultateve të arritjes në çdo institucion arsimor. Kjo mund të konsiderohet edhe si problem për plotësimin e nevojave të stafeve mësimore. Sa duket nevojat për trajnim përcaktohen në mënyrë empirike dhe jo të mbështetura në standardet e arritjes.
Janë 48 % e mësuesve që deklarojnë se trajnimi në fazën aktuale po shoqërohet me përshtatjen e mjediseve fizike të institucioneve arsimore dhe 52 % e tyre nuk ndajnë të njëjtin qëndrim. Kjo vihet re edhe në përgjigjen e pyetjes, nëse nxitja e inovacionit nëpërmjet pajisjes së mësuesve me aftësi digjitale është shoqëruar me pajisjen e tyre me bazë materiale, ku rreth 87 % e mësuesve shprehen se përdorin pajisjet e tyre. Kjo është edhe një kambanë alarmi për MAS e cila duhet të marrë masa për sigurimin e mjeteve digjitale në funksion të kryerjes së detyrës. Kjo gjë kërkon ndërhyrje të shpejtë, duke mbajtur në konsideratë se vetëm 20 % e shkollave kanë infrastrukturë të përshtatshme digjitale (kompjuter/laptop), ndërkohë që sistemi ka kaluar në digjitalizim të plotë dhe zbatimi i SMIP në shkolla i ka vendosur në vështirësi si mësuesit ashtu edhe drejtuesit.
Mësuesit në masën 71% ankohen se kryerja e trajnimeve gjatë kësaj periudhe sjell mbingarkesë, duke qenë se kryhet pas procesit mësimor apo në ditët e pushimit. Në këtë kuptim MAS duhet të gjej forma dhe mënyra kompensimi për kohën shtesë të nevojshme për ndjekjen e trajnimeve dhe zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi për kohën e punës dhe të pushimit në institucionet arsimore.
Pyetjes, nëse keni marrë pjesë në seancat e zhvilluar deri tani dhe cili është vlerësimi për trajnimin nuk na jep një pamje të plotë për situatën pasi në kohën e zhvillimit të pyetësorit, 45 % e të anketuarve deklarojnë se ende nuk kanë marrë pjesë ose nuk mund ta vlerësojnë në këtë moment. Duke mbajtur në konsideratë këtë fakt nuk mund të shprehemi për nivelin e vlerësimit dhe rezultatit që do të ketë në mjediset shkollore. Kjo do të mbetet për tu parë në vijim…
Më poshtë gjeni pyetësorin e zhvilluar nga Portali Shkollor Albas dhe rezultatet e tij.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin