Albas boton romanin e nobelistit Günter Grass “Daullja prej llamarine”, me përkthimin virtuoz të Ana Kove
ALBAS boton romanin “Daullja prej llamarine”, pjesa e parë e “Trilogjisë së Danzigut”, të Günter Grass-it, mjeshtrit gjerman të prozës, me përkthimin virtuoz të Ana Kove.
Botimeve ALBAS u shtohet një tjetër NOBELIST!
ALBAS boton romanin “Daullja prej llamarine”, pjesa e parë e “Trilogjisë së Danzigut”, të Günter Grass-it, mjeshtrit gjerman të prozës, me përkthimin virtuoz të Ana Kove.
“Daullja prej llamarine” solli reagime ekstreme të lexuesve dhe të kritikës. Nga njëra anë u quajt vepër blasfemuese dhe pornografike, aq sa u morën veprime ligjore kundër saj dhe Grass-it, si në Gjermani, ashtu edhe në mbarë botën. Nga ana tjetër mbeti kryevepra e tij, e cila bashkë me romanet “Macja dhe miu” dhe “Vitet e qenit” formon "Trilogjinë e Danzigut", që e bëri fitues të shumë çmimeve, përfshirë dhe çmimin “Nobel në letërsi”.
Oskar Macerati, zhvillimi mendor dhe shpirtëror i të cilit është i plotë që prej lindjes, në moshën trevjeçare vendos të mos rritet më, duke mbajtur fizikun e një fëmije. Ky personazh grotesk, në duart e të cilit gjendet gjithmonë një daulle llamarine, e sheh botën “nga poshtë” me një kritikë të pamëshirshme.
Oskari është shumëçka: një xhuxh keqdashës, një qenie e pambrojtur, gjithmonë i dashuruar me ndonjë grua të cilën e idealizon, një burrë i talentuar që ia njeh fuqinë artit, i fiksuar pas rënies së daulles dhe pas seksit. Të gjitha këto e bëjnë Oskarin sa një monstër, aq edhe një hero tragjik, ndërsa veprën një farsë, të rrëfyer me sarkazëm të egër dhe me komizëm ekstravagant.
Historinë e tij kaq të çuditshme, Oskari na e tregon gjatë kohës që shkruan kujtimet e tij dhe të familjes, – nga mosha 28 deri në 30 vjeç, – i mbyllur në një klinikë të shëndetit mendor, njëkohësisht nën hetim për një vrasje.
Bashkë me historinë e familjes së tij, ai po na rrëfen dhe historinë e Gjermanisë para, gjatë dhe pas Luftës II Botërore, duke trajtuar kështu një temë të madhe: “fajin gjerman”.
Fuqia e provokimit, e pornografisë apo e blasfemisë mund të jenë relative, por stili i shkëlqyer, kritika e kthjellët dhe mizore, si dhe imagjinata e pakontrollueshme e një gjeniu si Günter Grass-i mbeten të pakrahasueshme.
Botimi i kësaj vepre është mbështetur nga rrjeti TRADUKI.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
"Ariu i Bardhë i Ëndrrave"