A po i shuhet mësuesit kënaqësia për mësimdhënie? Sa më pak 10-ta, aq më shumë nivel i ulët!
Institucioni arsimor ecën mbi bazën e strategjive që përcakton sistemi ku veprojmë, por këto “strategji” na shfaqen sfiduese dhe lënduese të shpirtit dhe të trurit intelektual. Kur mësuesit i humbet dëshira dhe kënaqësia për mësimdhënie, cilat përparësi të sistemit duhen marrë në konsideratë?
Nga Evans Drishti
Me përfundimin e periudhës së parë të vitit shkollor 2023 – 2024, me daljen tashmë edhe të rezultateve të para të përfundimit të kësaj periudhe hasemi me një dukuri sa të prekshme aq edhe sfiduese;
Sa të pakta apo të shumta ishin notat “dhjetë” në institucionet tona arsimore?
Çfarë tregon kjo për nivelin arsimor në të cilën ndodhemi?
Si po e nisim 2024, parë në këtë këndvështrim?
Realitet
Hyri në klasën e gjimnazit. Duke qenë se ishte java e fundit e periudhës së parë, testi i periudhës kishte përfunduar.
Ishte munduar prej ditësh jo vetëm të realizonte një testim të mirëplotësuar dhe në nivelin e kërkuar, por lodhja natyrshëm kishte ardhur më tutje, veçanërisht gjatë korrigjimeve.
Të pakta ishin gjërat thelbësore që qenë shkruar.
Të paktë kishin qenë nxënësit që kishin arritur të “godisnin në shenjë” me përgjigjet e sakta dhe të duhura.
Një pjesë tjetër e nxënësve ose i kishin lënë “bosh” hapësirat për plotësim ose kishin shkruar fraza shumë teorike, që s’përputheshin fare me atë çfarë kërkonte kërkesa.
-Përse vallë ky nivel? – kishte menduar gjatë me vete.
Në përfundim, kishte rezultuar vetëm një “10” e marrë me plot meritë. Ndërkaq notat e tjera qenë nga 7 e poshtë.
Teksa me vetvete bënte një analizë të gjithë asaj periudhe rezultoi:
- Shpjegime të pafundme gjatë tërë procesit mësimor
- Lexime të shumta të teksteve të larmishme të ofruara në tekstin shkollor.
- Analiza dhe lexime të teksteve të ndryshme të ofruara shtesë në shërbim të temave përkatëse.
- Sa e sa punë me shkrim referuar si ushtrimeve të paraqitura në libër ashtu edhe ushtrimeve shtesë me në fokus shpjegimin e qartë të temave.
- Sa e sa praktika të organizuara me pikësynim kthjellimin ideor të nxënësve për t’iu shmangur të mësuarit “mekanik” duke u qartësuar për fenomenet që trajtojnë tekstet përkatëse.
- Diskutime të shumta gjatë procesit duke ofruar zbërthime konkrete dhe efikase.
- Lehtësime të shumta në prezantimin e materialit mësimor duke i çliruar nga rëndesa teorike për të qenë sa më praktikë në nxënie dhe analiza.
Gjatë bashkëbisedimeve të vijueshme që kishte bërë me nxënësit kishte rezultuar gjithnjë i qartë në shpjegimet e ofruara, por nxënësit qenë shprehur herë pas here se s’kishin ndonjë interes për lëndën dhe se thjesht “kërkonin” një notë. Asgjë më shumë se kaq.
Kjo notë, sipas tyre, duhej të ishte thjesht një notë “kaluese”, madje nëse shkonte paksa më tutje duke iu afruar “mesatares” për ta do ishte një “arritje”. Interesi për ta ishte vetëm teknologjia dhe zbavitja në botën e saj duke qenë se ishin “produkt” i kësaj teknologjie.
Ndërkaq, mësimdhënësi detyrohej ta shihte në këndvështrimin e tij profesional këtë çështje, duke qenë më se i bindur se s’mund dhe s’duhej të pranohej si “arritje” kjo mendësi e tyre.
A mund të quhej “arritje” fakti se vetëm një nxënës kishte rezultuar me notën “DHJETË”?
E gjithë kjo ia kishte shuar atë kënaqësi të mëparshme të përgatitjeve me orë të tëra për të ofruar më të mirën e mundshme për reflektime dhe diskutime me nivele. I dukej sikur shpjegimet që bënte përplaseshin në muret e hekurta të kabinetit, pasi mendjet e të rinjve as që tentonin të zgjoheshin nga përgjumja që u kishte bllokuar sy e veshë. Kjo pasi në imazhet e tyre qenë vetëm: video, filma, tik-tok, instagram, sms të pafundme etj.
Më trishtues ishte fakti se vetë familjarët e tyre tregoheshin “të pafuqishëm” ndaj këtij realiteti. Të pakta ishin përpjekjet për t’u qëndruar afër fëmijëve të tyre në ecurinë e përvetësimit të njohurive shkencore. Pjesa më e madhe e atyre familjarëve as që i njihnin lëndët që zhvillonin fëmijët në shkollë, lëre më pas të punonin bashkërisht në përmirësimin e rezultateve. Dukej qartazi se s’kërkonin dijen tek fëmija, por përfundimin e një shkolle.
Detyrimisht:
- Duhet ndryshuar qasja e sistemit në raport me kulturën teknologjike që po u ofrohet këtyre të rinjve.
- Kërkohet një “revolucion” strategjik i përçimit të edukimit tek brezi i ri.
- Në vend të tabelës së zezë apo të bardhë kërkohet vënia në funksion e tabelave elektronike.
- Digjitalizimi i materialeve mësimore mbetet një emergjencë e kohës.
- Puna me librin duhet paralelizuar me objektivin e digjitalizuar në ekran, pasi shqisa e të parit duhet të shfaqet mbizotëruese krahasuar me atë të dëgjuarit.
- Tekstet shkollore tashmë duhet t’u sillen “të zbërthyera” në forma të ndryshme skematike dhe vizuale.
- Ka shumë rëndësi që një pjesë e testeve të periudhës të mos zhvillohen “me shkrim” por të kthehen në “teste gojore” duke synuar zhvillimin e “të shprehurit” tek të rinjtë, që për fat të keq është në shuarje duke shmangur kështu edhe dukurinë e “kopjes”.
- Rritja e efikasitetit të drejtorisë së shkollës në klasa, jo vetëm nëpërmjet diskutimeve, por edhe testimeve me shkrim dhe gojore mbetet një emergjencë.
- Ripërtëritja e të rinjve me angazhime të vijueshme jashtë ambientit të klasës dhe shkollës do çojë patjetër në kthjellimin e tyre dhe rritjen e dëshirës për nxënie.
Është e kuptueshme që institucioni arsimor ecën mbi bazën e strategjive që përcakton sistemi ku veprojmë, por këto “strategji” na shfaqen sfiduese dhe lënduese të shpirtit dhe të trurit intelektual. Kur mësuesit i humbet dëshira dhe kënaqësia për mësimdhënie, cilat përparësi të sistemit duhen marrë në konsideratë?
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)