“Mësuesi që la gjurmë te unë”

4-ra, nota që edhe sot më zgjon nga gjumi!

Mësues Muharremi, pas shumë vitesh, sot ju falënderoj për gjithçka që keni bërë për ne. Faleminderit veçanërisht për notën 4! Më ka vlejtur shumë mësimi që më keni dhënë ju.

Isha në klasën e katërt, kur mësuesja jonë u martua dhe te ne do të vinte një mësues i ri. Nuk e dinim se kush ishte dhe se si do të ishte, derisa ai erdhi në klasë për herë të parë. Mësuesi ynë vërtet ishte i ri për ne, por jo nga vjetërsia e punës, pasi ai kishte mësuar edhe babanë tim. Në pamje të parë, ishte serioz dhe pak hijerëndë. Shpjegonte, pyeste e vlerësonte dhe gjithçka ishte e përqendruar te libri dhe te mësimi. 


Unë isha nxënëse e mirë. Asnjëherë nuk isha vlerësuar negativisht në asnjë lëndë. Nga daja im, mësues matematike dhe drejtues gjimnazi prej vitesh, kisha mësuar disiplinën dhe të mësuarit me logjikë të çdo teme e lënde. Por nota e parë që unë mora nga mësuesi im i ri, profesor Muharrem Meta, ishte 4. Atë ditë vetëm kam qarë. Për familjen dhe miqtë e afërt ky u bë lajmi i ditës. Të nesërmen nuk doja që të shkoja në shkollë. Më vinte turp nga nota që kisha marrë.


Atë ditë për në shkollë më shoqëroi babai, i cili bisedoi me mësuesin. Prisja që mësuesi të më thoshte se nuk do të merrja më asnjëherë 4 apo se unë isha nxënëse e mirë... Shkurt, prisja të më thoshte një fjalë të mirë atë ditë, por... nuk ma tha. Filloi mësimin sikur nuk kishte ndodhur asgjë. 


Ditët më pas të njëjtin vlerësim bëri edhe për nxënës të tjerë të klasës. Të gjithë filluam të mësojmë akoma më shumë, pa ditur se përse një përgjigje e gabuar po na penalizonte. Pas disa kohësh, vetë mësuesi na tregoi se kjo ishte një mënyrë për t’u treguar nxënësve që duhet të punojnë në çdo kohë, se edhe nxënësi i 10-ës merr 4, por edhe nxënësi i dobët merr 10.


“Ju kam shkundur, jeni zgjuar nga gjumi”, na tha një ditë. Asnjëri nga ne nuk e kuptoi. Sot jam e bindur që të gjithë ne e kemi kuptuar qëllimin e tij të mirë.


Me kalimin e kohës, metoda e tij e mësimdhënies ndryshoi, duke na befasuar sërish. Ne padashur u futëm në garë për të marrë një 10 të kuqe në regjistër. Po, po, një 10 të kuqe! Nxënësi që përgjigjet saktë dhe shprehej bukur e qartë në çdo pyetje merrte një 10 të kuqe. 


Në orën e mësimit gjente pyetje specifike jo vetëm që të përmbushte objektivat e mësimit, por edhe të na përcillte ne një mesazh, duke na bërë të mendojmë gjatë për formimin e një fjalie. E mbaj mend kur shoqja ime e klasës formoi fjalinë “Pëllumbat janë simbol i paqes” dhe mori 10. Të gjithë thamë nga një fjali, por zgjedhja e saj spikati dhe ne e morëm mesazhin.


Diktimet, hartimet, esetë ishin pjesë e orëve tona të mësimit dhe konkurrencave mes nesh për notën dhe vlerësimin maksimal. Mos mendoni se me 10-të e kuqe përfundoi gjithçka! Pas kësaj, mësues Muharremi të gjitha vlerësimet tona i shoqëronte me përshkrim sqarues. Kështu, nëse ne merrnim një notë jo të mirë, ai kujdesej gjithmonë që në tekst të vlerësonte diçka te ne: sjelljen, komunikimin ... dhe na kërkonte që të nesërmen t’ia sillnim fletoren me firmën e prindit. 


Ende në shtëpinë time janë të ruajtura fletoret dhe vlerësimet e tij. Sot, kur kthehem pas në kohë, i kujtoj me shumë nostalgji ngjarjet dhe mesazhet që mësuesi donte të përcillte. Por në mendjen time është ngulitur një “7 Mars”, festa e parë dhe dhurata ime modeste për mësuesin. 


Doja shumë që t’i bëja një dhuratë mësuesit në ditën e tij, por nuk kisha mundësi. Nuk ishte kohë e mirë e nuk mund të mblidhja lule në lëndinë, sepse ende nuk kishin çelur. E mendova gjatë dhe gjeta një zgjidhje. Mora një lule që kisha në shtëpi, trëndafil i kuq dhe po mendoja se si ta paketoja. Gjeta një letër me lule (me siguri nga paketimi i ndonjë ëmbëlsire) dhe e mbështolla. Nuk dukej mirë! Mendova e mendova dhe përpara pashë disa mbështjellëse “Moltosh”, që shkëlqenin në diell. Ishte koha kur fshati ynë ishte i mbushur me shqiptarë të Kosovës, për shkak të luftës dhe “Moltot” ishin një nga “ushqimet” që konsumoheshin më shumë. Kështu mora disa, në ngjyra të ndryshme, i pastrova, i preva në shirita të hollë dhe me një thikë i tërhiqja fort duke bërë që ato të merrnin formë. I ngjita në “paketimin” që unë kisha bërë dhe në sytë e mi dukej shumë mirë. E çuditshme, por më pëlqente. Të them të drejtën, s’e di pse u bëra e kuqe në fytyrë, kur i urova “7 Marsin” mësuesit dhe i zgjata duart me dhuratën time.


U ula dhe thellë-thellë kisha frikë se ai nuk do e pëlqente. E mori në dorë lulen, e rrotullonte dhe e shikonte me vëmendje. Më tha vetëm fjalë të mira dhe më falënderoi shumë. U ndjeva shumë e lumtur atëherë, e tillë ndihem dhe sot, sepse e di që ai e ka kuptuar se dhuratën e bëra me shumë dashuri dhe përkushtim për të. Mbi të gjitha, e ka kuptuar se aq mund të bëja unë!


Mësues Muharremi, pas shumë vitesh, sot ju falënderoj për gjithçka që keni bërë për ne. Faleminderit veçanërisht për notën 4! Më ka vlejtur shumë mësimi që ju më keni dhënë. 


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

9,165 Lexime
6 vjet më parë