Kosovë, kurrikula e re

Zhvillimi i kompetencës qytetare përmes gjuhës

Përmes lëndës së gjuhës shqipe, duhet të arrihen këto gjashtë kompetenca, që në dukje të parë, duken se janë lehtësisht të arritshme, por nëse hyjmë dhe e qëmtojmë më tutje, do të përballemi më një varg sfidash

Kurrikula e bazuar në kompetenca, ka filluar të zbatohet para disa viteve, fillimisht si projekt-pilot e tani dhe në vitet në vazhdim, do të shtrihet në krejt arsimin parauniversitar të Kosovës. Kjo kurrikulë, ndryshe nga ajo paraprake, që ishte mbështetur në objektiva, tani kërkon që të bëhet zotërimi i kompetencave, që janë të njëjta për të gjitha lëndët. Kurrikula bërthamë ka këto  6 kompetenca:

  • Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
  • Kompetenca e të menduarit;
  • Kompetenca e të mësuarit;
  • Kompetenca për jetë, për punë dhe për mjedis;
  • Kompetenca personale;
  • Kompetenca qytetare.

Përmes lëndës së gjuhës shqipe, duhet të arrihen këto gjashtë kompetenca, që në dukje të parë, duken se janë lehtësisht të arritshme, por nëse hyjmë dhe e qëmtojmë më tutje, do të përballemi më një varg sfidash, p.sh.: cilat janë përmbajtjet më të përshtatshme, me anë të të cilave, nxënësit arrijnë një kompetencë të caktuar?

Ne u fokusuam te kompetenca qytetare, se si mund të zotërohet përmes lëndës së gjuhës shqipe. Përgjithësisht, kjo kompetencë synon që nxënësin ta bëjë qytetar të përgjegjshëm, që zbaton rregullat dhe mirësjelljen, është tolerant dhe mirëkupton dhe nuk paragjykon diversitetin kulturor, gjuhësor etj. ( për më tepër, shih http://masht.rks-gov.net/uploads/2015/06/kb-niveli-ii-03-04-2014.pdf).

Lënda e gjuhës shqipe siç e dimë përbëhet nga dy fusha: letërsia dhe gjuha. Për të arritur kompetencën qytetare, mund t’i përzgjidhnim këto aktivitete dhe përmbajtje:

- Nga letërsia, të gjitha ato tekste që promovojnë tolerancë dhe diversitetin kulturor ( p.sh. në Leximin letrar 7, kemi tregimet e shkurtra ”Lëndina e miqësisë” dhe “Haidi në mal”), pastaj veprimtaritë letrare në shkollë siç janë grupet  e ndryshme letrare.

 - Promovimi i barazisë gjinore, qoftë duke përzgjedhur tekste që trajtojnë këtë temë ose duke përzgjedhur autorë nga letërsia jonë apo botërore.

- Shkrimi i eseve letrare e joletrare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të mjedisit etj.

- Shkrimi i letrave zyrtare dhe publike për çështje të ndryshme shoqërore.

- Krahas mësimit të gjuhës letrare (standarde), nxënësit të vetëdijësohen edhe për krijimtarinë në dialektet e gjuhës sonë.

- Në dramë, kjo arrihet përmes roleve që nxënësit marrin përsipër për t’i inskenuar para publikut shkollor, që ndihmojnë në edukimin e tyre psikofizik, emocional dhe kulturor etj.

- Në fushën e gjuhës, kjo kompetencë, do të mund të realizohej duke mësuar për dialektet, historinë e gjuhës, por edhe vetëdijësimit të folësve se komunikimi gjuhësor duhet përshtatur varësisht kë ke përballë, pra nxënësit duhet të dinë se gjuha realizohet përmes regjistrave dhe stileve të ndryshme të saj dhe se respekti ndaj bashkëbiseduesit çon në realizimin e kompetencës qytetare.

Natyrisht, kjo është vetëm një formë e përgjithësuar sesi mund të realizohet njëra nga kompetencat e parapara me kurrikulë.

( Nga: Astrit Hoxha, Master – Mësimdhënie e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe - Fakulteti i Edukimit )

6,044 Lexime
7 vjet më parë