Zgjidhet gardalina me zërin më të veçantë, miss bukuria e zhdërvjelltësia

Kategoria e parë ishte miss zëri më i bukur, e dyta, miss bukuria dhe e treta miss zhdërvjelltësia. Por nuk bëhet fjalë për vajza të bukura, por për… zogj!

Kategoria e parë ishte miss zëri më i bukur, e dyta, miss bukuria dhe e treta miss zhdërvjelltësia. Por nuk bëhet fjalë për vajza të bukura, por për… zogj! Mos po mendoni se po bëjmë shaka? Jo! Ishte një nga konkurset më seriozë që është zhvilluar ndonjëherë në vend. U zhvillua nën kujdesin e shoqatës së gjuetarëve. 17 gardalina nga i gjithë vendi, konkuruan dhe ndër to u zgjodhën, sipas kategorive, 3 më të mirat.

Lajmërimi për këtë projekt është dhënë një muaj më parë, duke vendosur postera në dyqanet ku shiten ushqimet e zogjve. Në këtë mënyrë, të gjitha ata që kishin një zog gardalinë në shtëpi, mund ta regjistronin në konkurrim. Dhe kështu u veprua. Ata që u regjistruan paguan një faturë prej 50 lekësh. Mbledhja e kësaj takse do t’i shkonte fituesit në fund.

Vendi i konkursit ishte në fushën “Skënder Halili”, pranë shkollës Hoteleri Turizëm, ora 9:00. Me gjithë vonesat e përgatitjeve, konkurrimi filloi në orën dhjetë. Të gjithë konkurrentët, gati për fillimin e sfidës së madhe. Në një cep të fushës u vendos juria, e cila përbëhej nga Njac Shabani, Gaspër Kepi dhe Franko Kastriota (italian). Të tre këta persona ishin rritës dhe njohës shumë të mirë të zogut të gardalinës dhe të këngës së tyre.

U hodh shorti për të përcaktuar numrat dhe radhën e konkurrimit. Çdo gardalinë e mbyllur në kafaz do të qëndronte dhjetë minuta përballë jurisë, duke vënë në provë gjithë talentin e saj. Mbas fjalës së hapjes, jurisë iu urdhërua të fiknin celularët. Në ato momente u deklarua i hapur konkurrimi. Sipas harkut kohor të përcaktuar, pas dhjetë minutash ndërroheshin kafazet e zogjve plot sharmë, më pas i afroheshin jurisë pak sekonda për t’i parë nga bukuria.

U deshën më shumë se 3 orë e gjysmë deri në përfundim. Vapa dhe dielli në atë fushë pa hije ua vështirësonte konkurrimin zogjve. Kjo ishte dhe pakënaqësia e të zotëve të tyre. Njëri nga pjesëmarrësit, Leonard Çukaj, u shpreh i pakënaqur për nga mënyra e organizimit. Kishte nevojë për më shumë kushte, pohoi ai. “Nuk mund të këndojë zogu në pikë të diellit, se i bën dëm”.

Ndërkohë, askush nga pjesëmarrësit nuk mund të afrohej 30 metra brenda zonës së nxehtë. Nga ana tjetër, përtej hekurave vërshuan bastet e pronarëve të gardalinave me njëri-tjetrin. Pyetjes drejtuar jurisë, se si mund t’i dallonin këta zogj nga njëri-tjetri, u përgjigjën se;

“Dallohet shumë lehtë kënga e një gardaline nga tjetra, por këtë e vë re një person që ka dëgjuar shumë prej tyre dhe është marrë me rritjen e zogjve. Ashtu si në një festival kënge, ku ti e kupton këngën më të mirë, po kështu ndodh edhe me ne. Ndërsa, për sa i përket bukurisë së zogut, edhe kjo është e lehtë: në sqep ata kanë një pjesë të kuqe, ajo që ka hapësirë më të madhe ishte më i gjatë si zog, më i gjerë dhe ka larmi ngjyrash në trup”.

Numri i 17 mbylli dhe konkurrimin e fundit. Panelit të jurisë iu deshën 5 minuta për të mbledhur pikët me njëri-tjetrin, për të shpallur fituesin. Momenti erdhi. Të gjithë të zotët e gardalinave u rreshtuan në fushën e gjelbër përballë jurisë dhe mes emocionesh të forta prisnin emrin e fituesit. Kryetari i saj, Njac Shabani, lexoi tre emrat që kryesonin.

Vendi i tretë u fitua nga numri 13, Gerald Peqini, me 38 pikë, duke marrë diplomën me titullin e zhdërvjelltësisë.

Vendi i dytë, miss gardalina, numri 10, Luan Dingu, me 39 pikë.

Dhe kupa, si zëri më i mirë i konkurrentëve, u rrëmbye nga gardalina numër 11 e Ardian Ballës, me 41 pikë. Balla, pas ngritjes së kupës, u shpreh shumë i emocionuar dhe krenar për gardalinën e vet. 10 mijë lekët e fituar ai premtoi se do t’i çojë për bamirësi…!

(Nga Entela Resuli)

3,241 Lexime
8 vjet më parë