Vështirësitë e mësuesit me nxënësit e klasës së parë
Të gjithë mësuesit e dinë se sa të lodhshme janë ditët dhe muajt e parë me nxënësit e klasës së parë. Nxënësit janë të panjohur. Flasin njëkohësisht. Lëvizin pa leje nëpër banka. Mezi nxjerrin librin që u kërkohet.
Si të fillojmë vitin shkollor me klasën e parë?
Të gjithë mësuesit e dinë se sa të lodhshme janë ditët dhe muajt e parë me nxënësit e klasës së parë. Nxënësit janë të panjohur. Flasin njëkohësisht. Lëvizin pa leje nëpër banka. Mezi nxjerrin librin që u kërkohet dhe minutat ikin ndërkohë që programi shkollor ka ritmin e tij dhe kërkon të realizohet.
Nëse do të ndërtojmë punën mbi disa rregulla rutinë, që në fillim të ditës së parë, çdo gjë do të ecë ashtu si duam ne.
Si fillim përgatisni fishën e emrit për çdo nxënës. Emrin mund ta shkruani ju, por nëse nxënësit vijnë nga klasat e parashkollorit, mund ta shkruajnë edhe ata vetë. Unë do preferoja që ta shkruanin vetë nxënësit pasi do të evidentoja që në fillim nxënësit që kanë përgatitje parashkollore siç është shkrimi me shkronja të mëdha i disa fjalëve përfshirë dhe emrin e tyre.
Krijoni rregullat rutinë
Mos ngurroni që dy ditët e para të shpenzoni më shumë kohë me krijimin e këtyre rregullave sesa të filloni që ditën e parë me mësimet dhe detyrat.
Përpara se të jepni një urdhër apo kërkesë qëndroni në një pozicion që të zotëroni klasën me sy dhe zë dhe kërkoni që nxënësit të kenë vëmendjen tuaj kur flisni.
Kërkesa juaj duhet të jetë e qartë, jo me shumë fjalë dhe mos e përsëritni shumë herë, kështu nxënësit do të jenë të vëmendshëm për atë që do të thoni.
Përcaktoni se ku do të vendosin çantën, në mënyrë që të mos i pengojë kur të dalin nga tavolina e tyre.
Njihini me librat dhe fletoret e punës
Kërkojuni nxënësve që të nxjerrin librin apo fletoren e punës të gjithë njëkohësisht. Përsëriteni këtë veprimtari shumë herë, që ata të aftësohen të bëjnë veprime pa prishur qetësinë dhe pa rrëzuar mjetet mësimore. Bëjuani të qartë që të mbajnë mbi tavolinë vetëm mjetet që do të përdorin në atë orë.
Njihini me vendin ku do të kenë dosjet e tyre të punës (Për ato klasa ku kanë objekte ku vendosen dosjet e punës së nxënësve)
Krijoni një “trafik” lëvizjeje në klasë. Pra kërkoni që nxënësit të lëvizin në një rrugë të caktuar nga tavolina e tyre, tek dollapi ku kanë mjetet (nëse klasa ka një dollap ku janë dosjet e nxënësve), nga tavolina e tyre tek dera, nga tavolina e tyre tek tavolina e mësueses, në mënyrë të tillë që të mos pengojnë nxënësit e tjerë dhe të mos bëhen të rrëmujshëm në lëvizje.
Përcaktoni me nxënësit disa rregulla të sjelljes në klasë dhe i afishoni në një vend të dukshëm si p.sh.: “Të dëgjojmë mësuesen kur flet”, “Të lëvizim nga tavolina me leje”, “Të respektojmë shokun” etj.
Përsëritini këto rregulla apo dhe të tjera që ju do të shihni të arsyeshme se do ju ndihmojnë në punën tuaj derisa nxënësit t’i përvetësojnë ato, në mënyrë që më vonë të shfrytëzoni çdo minutë të orës mësimore për realizimin e programit mësimor.
(Drita Kolndreu, Portali Shkollor)
“Ditari i karrierës”, udhërrëfyes për nxënësit e klasave të 9-ta në drejtim të zhvillimit personal dhe profesional
Vlerësimi i nxënësve në klasat 1-3, bazuar në udhëzimet përkatëse
Teste vlerësimi për klasën e parë