Tremujori i dytë, test, gjuhë shqipe VIII
Këto janë dy variante testimi në lëndën e gjuhës shqipe VII për tremujorin e dytë. Materialet shoqërohen me përgjigjet e testit të cilat ju mund t’i shkarkoni me një klikim.
TEST II
Grupi A
Emri __________________________________
Lexoni fragmentin dhe përgjigjuni pyetjeve.
Letra që Edmond Tupja ia drejton të birit
“Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mësova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti më godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes së tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!
Sigurisht, Ges, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t’i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj të falur që nuk jam i pavdekshëm, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri.
Ges, unë nuk jam besimtar, megjithatë, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë, pasi ti më kishe dendur me grushte e flakur përtokë si një thes me kashtë të kalbur, rashë në gjunjë dhe i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit, Rastësisë, Natyrës apo Zotit, pak rëndësi ka: “O Ti, i Mistershmi, i Gjithëpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L, si shumica e fëmijëve të kësaj bote, të kësaj jete! Bëje normal që ai të jetë të paktën i zoti i vetes, të arrijë të mbijetoje edhe kur të gjendet përfundimisht vetëm pas vdekjes së prindërve të tij. Plotësoma këtë dëshirë dhe jam gati të ta fal jetën time!
(Marrë nga “Opinion.al”)
Zgjidhni alternativën e saktë
1. Ky tekst ka në qendër (1 pikë)
a. rrëfimin
b. përshkrimin
c. informimin
d. këshillimin
2. Në këtë letër Edmond Tupe i flet për: (1 pikë)
a. të birin artist
b. të birin autik
c. shoqërinë njerëzore
d. problemet e të birit
3. Përcakto llojin e tekstit duke argumentuar dy karakteristika (2 pikë)
4. Në këtë letër autori shpreh: (1 pikë)
a. dhimbjen për të birin
b. lodhjen prej të birit
c. rebelimin ndaj shtetit
d. pafuqinë përballë të birit
5. Identifikoni në tekst ndjenjën e sakrificës së prindit për fëmijën (1 pikë)
6. Përse autori në paragrafin e parë përemrin “Tjetrin” dhe “Ti” i shkruan me shkronjë të madhe? (1 pikë)
7. Cila është dhimbja më e madhe e autorit? Pse? Ilustro me shembuj nga teksti. (3 pikë)
8. Duke iu referuar fragmentit shpjegoni kuptimin e fjalës brengë. (1 pikë)
Brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme ti do të gjendesh vetëm.
9. Formuloni mesazhin që autori përmes letrës për të birin i përcjell (2 pikë)
10. Ndonëse është një tekst joletrar, në të gjen figura letrare. Cila figurë është përdorur më shumë? Ilustroni dhe me shembuj. ( 2 pikë)
11. a. Argumentoni përdorimin e thirrorit në fragmentin e dhënë (1 pikë)
b. Çfarë efekti shkakton përdorimi i tij te lexuesi? (1 pikë)
“O Ti, i Mistershmi, i Gjithëpushtetshmi, i Pashmangshmi! Shëroje Gesin tim të pafajshëm! Nuk të kërkoj, nuk të përgjërohem ta bësh gjeni, apo talent, jo, bëje thjesht normal, a më dëgjon, a më kupton, thjesht N-O-R-M-A-L
12. Rilexoni paragrafin e fundit për të shpjeguar se pse autori e lidh lutjen e tij me këtë çast kohor.
“një buzëmbrëmje dimri anonim” (2 pikë)
PYETJE RRETH SISTEMIT GJUHËSOR
1. Përcaktoni klasën e fjalëve të nënvizuara. (4 pikë)
Brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri.
2. Formoni fjali ku që të jetë: (3 pikë)
a. pjesëz
b. lidhëz
c. përemër lidhor
3. Fjalën rrotull përdoreni në fjali një herë si parafjalë dhe një herë si ndajfolje
____________________________________________________________________
____________________________________________________________________ (2 pikë)
4. Përcaktoni funksionin e fjalëve me të zeza në tekst (4 pikë)
Ges, një buzëmbrëmje dimri anonim, tek mendoja të tashmen tënde të trishtuar dhe të ardhmen tënde të zymtë i drejtova dëshpërimisht këtë lutje njerëzore Fatit.
5. Në fjalinë “Unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të t`i plotësoj të gjitha”, kallëzuesi i nënvizuar është: (1 pikë)
a. foljor i përbërë
b. foljor i thjeshtë
c. emëror
d. formë e pashtjelluar
6. Formoni fjali ku të përdorni: (4 pikë)
a. Kryefjalë të shprehur me pjesë të nënrenditur.
b. Rrethanor mënyre shprehur me ndajfolje.
c. Rrethanor qëllimi shprehur me formë të pashtjelluar.
d. Ndajshtim shprehur me emër trajtë të pashquar.
___________________________________________________________________ ___________________________________________________________________ ___________________________________________________________________ ___________________________________________________________________
Nota | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
---|---|---|---|---|---|---|---|
Pikët | 0 - 9 | 10 - 13 | 14 - 17 | 18- 23 | 24 - 29 | 30 - 33 | 34 - 37 |
Për të parë përgjigjet e testit klikoni këtu
TEST 1I
Grupi B Emri________________________
Lexoni fragmentin dhe përgjigjuni pyetjeve.
Letër nga Nositi
(Gjeniut të heshtur, Spiros)
Një letër që udhëton në lindjen dhe perëndimin e diellit.
I dashur Bir!
Dua të të tregoj se sa të dua. Të kam pritur si gëzim dhe ti je gëzimi im… Unë asnjëherë nuk jam mërzitur duke u lodhur me ty. Nuk jam mërzitur kurrë se ti ishe me autizëm.
Duke u lodhur për ty, kam kuptuar se ç’do të thotë të jesh nënë. Duke u përpjekur për ty, kam kuptuar se dashuria për fëmijët është më e madhërishmja, më e forta, sfida e çdo kohe. Sfida e fatit.
Biri im, ti je ende fëmijë dhe unë mezi pres të të shoh çdo herë duke qeshur, të luash mes shokëve dhe të kalosh një fëmijëri të bukur.
Unë e dua shumë buzëqeshjen tënde! Buzëqeshja jote më vesh mua me dritë. Më bën të prek retë…, më bën të kuptoj se ti je fëmijë si gjithë të tjerët.
Bir…! Shpirt! Drita ime!
Ti nuk je autik!!! “Ne jemi autikë! Këta njerëz që nuk e shohin dhe nuk e kuptojnë që ti je një engjëll.
Je tolerant. Je fëmijë i mbarë dhe unë jam e lumtur për këtë. Më mbushet syri me lot, ku të shoh të trishtuar. Ti bir je i ëmbël! Je i mirë! Ti bir je një gjeni!
Ti di saktësisht kampionatet botërore të futbollit e ato europiane, di emrat e futbollistëve, medaljet e fituara ndër vite, datëlindjet e futbollistëve.
Shkruan shumë bukur, ke dalë me rezultate të mira në mësime, di shumë gjëra të tjera: Ti bir je një gjeni i heshtur!
Biri im, e kemi nisur rrugën e së ardhmes tënde bashkë. Do të të ndjek kudo. Do të bëhem shqiponjë për të fluturuar mbi kokën tënde. Do të jem mburoja jote! Nuk do të të lë vetëm asnjë çast. Kam një dashuri të madhe për ty dhe për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta.
Nëna, prindër, njerëz të mirë, mësojini fëmijët të duan...
Fati nuk ka preferenca…
Bir! Unë e di që në Shqipëri fëmijët si ty e kanë të vështirë përshtatjen, por asgjë nuk është e pamundur!
Të kam mësuar shumë gjëra, do të të mësoj akoma. Mos ma hiq kurrë kokën nga kraharori, unë jam bota, mbështetja, dashuria. Mos ma hiq kurrë dorën! Bashkë do të ecim në kohë…
Unë jam nëna që kam nxjerrë nga autizmi djalin tim, me shumë përkushtim dhe dashuri!
Unë jam Nositi!
(Marrë nga “Ora News”)
Zgjidhni alternativën e saktë.
1. Ky tekst ka në qendër: (1 pikë)
a. rrëfimin
b. përshkrimin
c. informimin
d. këshillimin
2. Në këtë letër nëna i flet: (1 pikë)
a. të birit artist
b. të birit autik
c. shoqërisë njerëzore
d. shoqërisë së të birit
3. Përcakto llojin e tekstit duke argumentuar pse dy karakteristika (2 pikë)
4. Në këtë letër autori shpreh: (1 pikë)
a. dhimbjen për të birin
b. lodhjen prej të birin
c. rebelimin ndaj shtetit
d. përballjen me fatin
5. Gjeni në fragment ndjenjën e sakrificës së prindit për fëmijën (1 pikë)
6. Përse autori e quan veten “Nosit” (lloj zogu që i ushqen zogjtë e vet me mishin që e merr nga gusha e vet)? (1 pikë) ________________________________________________________________________________________________________________________________________________
7. Ç’ndjesi të nënës për të birin dalin në këtë letër? Shkruaj disa prej tyre. Ilustro me pjesë nga teksti. (4 pikë) ________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
8. Shpjego kuptimin e fjalisë hyrëse: (1 pikë)
Një letër që udhëton në lindjen dhe perëndimin e diellit.___________________________________________________________________
________________________________________________________________________________________________________________________________________________
9. Listoni disa argumente që këtë fëmijë në sytë e nënës dhe të shoqërisë e bëjnë të duket një gjeni. (1 pikë)
________________________________________________________________________________________________________________________________________________
10. Duke iu referuar fragmentit shpjegoni kuptimin e fjalës nevojë. (1 pikë)
Kam një dashuri të madhe për ty dhe për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta.
11. Formuloni mesazhin që përcillet përmes kësaj letre. (2 pikë)
________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
12. Gjeni dhe emërtoni figurën letrare në fjalinë e mëposhtme. (1 pikë)
Do të bëhem shqiponjë për të fluturuar mbi kokën tënde. Do të jem mburoja jote!
13. a. Argumentoni përdorimin e thirrorëve në fragmentin e dhënë. (1 pikë)
_______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
b. Çfarë efekti shkakton përdorimi i tyre te lexuesi? (1 pikë)
Bir…! Shpirt! Drita ime!
____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
PYETJE RRETH SISTEMIT GJUHËSOR
1. Përcaktoni klasën e fjalëve me të zeza. (4 pikë)
Biri im, ti je ende fëmijë dhe unë me padurim pres të të shoh çdo herë duke qeshur, të luash mes shokëve dhe që të kalosh një fëmijëri të bukur.
2. Formoni fjali ku sa të jetë. (3 pikë)
a. pjesëz _____________________________________________________________
b. lidhëz ______________________________________________________________
c. përemër pyetës ______________________________________________________
3. Fjalën larg përdoreni në fjali një herë si parafjalë dhe një herë si ndajfolje (2 pikë)
____________________________________________________________________
____________________________________________________________________
4. Përcaktoni funksionin e fjalëve me ngjyrë të zezë. (4 pikë)
Kam një dashuri të madhe për ty dhe për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta. Do të të ndjek kudo.
Unë jam nëna që kam nxjerrë nga autizmi djalin tim, me shumë përkushtim dhe dashuri.
5. Në fjalinë “Biri im, kemi nisur të rrugëtojmë së bashku drejt së ardhmes tënde”, kallëzuesi i nënvizuar është: (1 pikë)
a. foljor i përbërë
b. foljor i thjeshtë
c. emëror
d. formë e pashtjelluar
6. Formoni fjali ku të përdorni; (4 pikë)
a. kundrinor të shprehur me pjesë të nënrenditur;
b. rrethanor mënyre shprehur me emër me parafjalë;
c. rrethanor kohe shprehur me ndajfolje;
d. ndajshtim të veçuar.
Nota | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 |
---|---|---|---|---|---|---|---|
Pikët | 0 - 9 | 10 - 13 | 14 - 17 | 18- 23 | 24 - 29 | 30 - 33 | 34 - 37 |
Për të parë përgjigjet e testit klikoni këtu
(Portali Shkollor)
Vlerësimi i nxënësit për zhvillimin e kompetencave kyçe
Si të organizojmë festën e fundvitit në klasë
Teste vlerësimi për klasën e parë