Model

Testim, gjuha shqipe VIII

Testimi për lëndën e gjuhës shqipe në klasën e tetë, për tremujorin e dytë të këtij viti shkollor, është përgatitur nga mësuesi Erget Cenolli.

Testim (tremujori i dytë)

Klasa VIII 

Emri _____________________________     

Mësues: Erget Cenolli

Koha 45 minuta    

        

      Të vërtetën e së vërtetës, as unë s’di t’ju them sa breza kanë shkuar që kur u prish e u shkretua Katjeli i Mokrës. Mbaj mënt vetëm se kam dëgjuar nga pleqtë e lashtë, e këta nga pleqtë e tyre, se ky Katjeli i Mokrës paska patur qënë dikur – ndofta pesë-a-gjashtë breza përpara nesh – një fshat i math e i begaçmë fort. Vëndësit e tija paskëshin qënë trima të ndjerë e paskëshin lëftuar me të vërtet si burra në ballën e burrave për të mbruar vendin e nderë nga turku. Nga ky shkak turqit kur e muarr e paskan shkretuar që nga themeli.

      Sot, në gjithë grykën ku pat qënë njëherë katundi janë përhapur pyje gështenjash, driza e dëllinja. Viset sheshe të pllajavet janë bërë luadhe e ara ku thekri na rritet dy bojë njeriu. edhe sot, afron një me dhenë, themelet e murevet të vjetër, si krëhërë të dalë nga lëndina. Në vjeshtë a në prenverë kur damalugu hap brazdat e dheut që dërmohet si bukëvale, andej-këndej dalin copa plloça të gëdhendura me dorë e tulla të kuqe mun si flaka e zjarrit. Në dimbër zbresin gjer këtu poshtë bishat e malit. Vetëm kjo kodra e Shën e Djelës ku pat qënë dikur kisha e fshatit, ka mbetur edhe sot e pacënosur prej dorës së njeriut. Vendi i saj as lërohet, as mbillet, as korret. Këtu njihen edhe sot murishtat e vjetra të kishës e rrasat e rënda të themelit të pa blojtura prej kohës. Rreth-e-rrotull, nëpër plisa e fjer, duken gurë varresh me çipe të mbuluar me myshk. Në mes të Kishës së Shën e Djelës që i përngjan njëj anije së fundosur nër ujra, dheu është pak si i batisur dhe çapet e njeriut godasin më bosh. Një pëlhurë fshehtësije, që të bën të bjesh në mendime, mbulon të gjitha këto vise e gërmadhat e lashta. 

       Vraga që nis nga an’ e djathtë e Shën e Djelës zbret në fshat buzë-liqerit, kur se ajo që nis nga an’ e mëngjër, ndrethon nëpër pyllin e dendur të gështenjave duke ngjitur e duke zbritur kurrizet e çukave, e del mi Gurin e Kol Branës, një rrasë e lartër dy-tre hostene që qëndron vëngër mi greminat e bregut. Rrëfejnë gojë-pas-goje pleqët e lashtë se këtu pat qënë në kohërat e vjetra, një qytezë e vogël, qyteza e Zotit Kol Branë Katjelit. Edhe thonë se këtij Kolë Branës i paskan humbur në luftërat e përgjakëshme të asaj kohe, kur hyri turku në Shqipëri, të pesë djemtë e gjithë nipërija. Edhe si u sosnë këta të gjithë edhe turqit iu afruan Katjelit, Kol Brana ngjiti shkallët e gurta të qytezës, mbylli dyerët edhe priti të afrohet rrebeshi. E atëhere kur ardhi armiku as dora as këmba nuk iu droth nga pleqërija. Shumë kohë gryka buçiti si buçet kur lëftojnë trimat e ballit. 

(Mitrush Kuteli, “Përtej valëve të kohës”)


1. Në cilën kohë dhe në ç’vend zhvillohen ngjarjet e këtij fragmenti (2 p)


2. Gjejnë tekst dhe shëno pesë fjalë dialektore, thuaj nëse janë të dialektit gegë apo toskë. (6 p)


3. Gjej në tekst: një krahasim__________________, një metaforë_________________, një epitet________________ (3p)


4. Në një prej paragrafëve gjej pesë elementë përshkrimi (emra, mbiemra, togfjalësha) (5 p)


5. Përmblidhi me nga një fjali të tre paragrafët (3 p)

Përdorimi i drejtë i gjuhës:


6. Të çfarë mënyre, kohe, vete dhe forme (veprore, joveprore), janë foljet e këtij fragmenti: “Vëndësit e tija paskëshin qënë trima të ndjerë e paskëshin lëftuar me të vërtet si burra në ballën e burrave për të mbruar vendin e nderë nga turku. Nga ky shkak turqit kur e muarr e paskan shkretuar që nga themeli.” (4 p)


7. Gjej ndajfoljen, thuaj llojin: “Në dimbër zbresin gjer këtu poshtë bishat e malit.”(2 p)


8. Rishkruaj pjesën duke vendosur, në vende të ndryshme, katër lloje të ndryshme pjesëzash: “Branës, një rrasë e lartër dy-tre hostene që qëndron vëngër mi greminat e bregut. Rrëfejnë gojë-pas-goje pleqët e lashtë se këtu pat qënë në kohërat e vjetra, një qytezë e vogël, qyteza e Zotit Kol Branë Katjelit. Edhe thonë se këtij Kolë Branës i paskan humbur në luftërat e përgjakëshme të asaj kohe, kur hyri turku në Shqipëri, të pesë djemtë e gjithë nipërija. Edhe si u sosnë këta të gjithë edhe turqit iu afruan Katjelit, Kol Brana ngjiti shkallët e gurta të qytezës, mbylli dyerët edhe priti të afrohet rrebeshi.” (4 P)


9.Në këtë fjali gjej lidhëzat dhe thuaj llojin, sipas funksionit dhe sipas prejardhjes: “Vendi i saj as lërohet, as mbillet, as korret. Këtu njihen edhe sot murishtat e vjetra të kishës e rrasat e rënda të themelit të pa blojtura prej kohës.” (3p)


10. Gjej kallëzuesit, thuaj llojin: “Rreth-e-rrotull, nëpër plisa e fjer, duken gurë varresh me çipe të mbuluar me myshk.” (2 p)


11. Fjalinë e dhënë plotësoje me kundrinor të drejtë, kundrinor të zhdrejte dhe të zhdrejtë me parafjalë :

” Në vise-vise duken…”(3 p)


12. Në një fletë fletoreje krijo një ese me titull: “Kujtimet janë pjesë e jetës sime” (5 p) (përmbajtja në temë 2p; struktura 2p; drejtshkrimi 1p).


Pikët 11-15 16-20 21-26 27-32 33-38 39-42
Vlerësimi 5 6 7 8 9 10


(Erget Cenolli, Portali Shkollor)

5,304 Lexime
6 vjet më parë