Ide kreative

Të edukojmë të dëgjuarit në bashkëbisedim

Në biseda kolegësh diskutojmë se përse fëmijët nuk dëgjojnë kur ne flasim. Në fakt modelet negative janë të shumta. Kemi nxënës që nuk presin të mbarojë fjalën një nxënës, por ngrenë dorën dhe zërin me të famshmen “Ta them unë”.

Në artikujt e mëparshëm kam evidentuar domosdoshmërinë e zhvillimit efektiv të orëve edukative në klasë. Këto orë duhet të planifikohen mirë dhe të jenë frytdhënëse, jo sa për të kaluar radhën e për të hedhur ca tema në regjistër. Mund të zhvillojmë aktivitete në formë loje ku nxënësit të argëtohen dhe të edukohen. 


Në këtë artikull mendova t’ju sjell një përvojë individuale të cilën e konsideroj tepër të rëndësishme: Edukimi i të dëgjuarit në një bashkëbisedim te nxënësit.


Shpesh gjatë biseda mes kolegësh, por jo vetëm, diskutojmë se përse fëmijët tanë nuk na  dëgjojnë kur ne flasim. Në fakt ky nuk është një problem që u përket vetë atyre, pasi modelet negative janë të shumta dhe hasen kudo e kurdo. Në klasë kemi nxënës që nuk presin të mbarojë fjalën shoku i tyre, por ngrenë dorën dhe zërin dhe thonë me të famshmen shprehje “Ta them unë”, "Ta them unë", "Ta them unë"... 


Nga ana tjetër ka mësues që nuk kanë durim të dëgjojnë deri në fund përgjigjen e nxënësve, por e mbarojnë vetë fjalinë. Ndërsa në debatet televizive të gjithë flasin njëherësh me zë të lartë, të gjithë ndërpresin bashkëbiseduesin dhe askush nuk dëgjon. 


Para shumë vitesh në bibliotekat e shkollave erdhën disa libra me aktivitete konkrete për të drejtat e njeriut dhe midis tyre më tërhoqi vëmendjen “loja e shkopit të indianit”. 

Kujtoj që përmbajtja ishte e tillë:  Në fiset indiane ishte një shkop i posaçëm, të cilin e mbante në dorë anëtari i fisit që donte të thoshte diçka apo kishte për të bërë një lajmërim etj. Në  momentin që njëri nga anëtarët merrte shkopin në dorë,  të gjithë anëtarët e tjerë e dëgjonin me vëmendje dhe nuk e ndërprisnin derisa përfundonte gjithçka që kishte për të thënë. 


Kjo veprimtari mund të zhvillohet me klasën kështu: Pasi u ke shpjeguar historinë e shkopit të indianit,  i vë nxënësit në një rreth. Shtron një pyetje para tyre si p.sh.: si e kaluat fundjavën dhe  udhëzon që do të flasë vetëm ai që do të kenë shkopin në dorë, ndërsa të tjerët do të dëgjojnë. Mundet që nxënësit ta marrin vetë iniciativën, por edhe mund t’i japësh “shkopin e indianit” ndonjë nxënësi që mund të jetë i turpshëm apo indiferent. Me këtë ushtrim nxënësit ushtrohen të dëgjojnë dikë pa e ndërprerë. Dua të tërheq vëmendjen që të keni kujdes në përzgjedhjen e shkopit. Që të mos marrë kuptimin negativ që mund të ketë një shkop, ai mund të jetë dhe një cilindër letre i përgatitur në orën e arteve. 


Një veprimtari tjetër në lidhje me edukimin e të dëgjuarit mund të bëhet edhe në orën e mësimit. 


Ritregojmë duke luajtur.


I vë nxënësit në rreth ndërkohë që mësuesi ka në dorë një top. U shpjegon nxënësve që do të ritregojnë tregimin ata që do të kenë topin në dorë. I hedh topin një nxënësi i cili duhet të ritregoje deri sa mësuesi t’i thotë, pasoja një shoku/shoqe. Nxënësi që merr topin në dorë duhet të vazhdojë ritregimin aty ku e la tjetri dhe kështu vazhdohet me radhë.


Sigurisht që ne nuk do marrim  në dorë shkopin e indianit apo topin sa herë të flasim, por këto lloj ushtrimesh janë të dobishme në lidhje me edukimin që të dëgjojmë bashkëbiseduesin pa e ndërprerë. 


(Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

8,370 Lexime
6 vjet më parë