Ta mësojmë fëmijën të zgjedhë “balenën e bardhë”
E vërteta është se kjo “gjeneratë e mërzitur” nuk u krijua në një ditë, por më vite ajo gjeti rrugën e shfrimit të “mërzisë së saj”, në një mënyrë krejt tjetër nga ajo e Bajronit...
Në rrjetet sociale mund të ndodhë që të dashurohesh e të shkosh deri në lidhje të avancuara pa u parë kurrë me atë që nesër do të jetë partneri yt. Por po në të njëtën mënyrë mund të të ndodhë që të marrësh udhëzime për t’u vetvrarë, megjithëse mund të jeni në kontinente të ndryshme. Argumenti në fjalë lidhet drejt për së drejti me mjediset virtuale (të konsideruara “site pro-vetëvrasës” nëpër furumet tematike), në të cilat personat mund të gjejnë informacionet e nevojshme për të shoqëruar aktin e vetvrasjes edhe nëpërmjet një kontrolli patologjik ose eleminimit gradual të ushqimit duke shkuar deri tek anoreksia (site pro-ana) e më pas tek vetvrasja.
Kjo dëshmon fuqinë absolute të internetit në stimulimin e sjelljeve “maladaptive”.
Pikërisht këtë zhvillim gradual drejt vetvrasjes të përshkruar më sipër, po përdor sot loja më e frikshme që po përhapet me shpejtësi ndër adoleshentët: “balena blu”. Duke u shtirë në 50 ditë, dinamika e saj përmbush qëllimin monsturoz: të zhvleftësojë jetën tek adoleshentët për t’i shpënë ata drejt vetvrasjes. “Loja e vdekjes” është një fenomen i ngjashëm me terrorizmin, por edhe i ndryshëm nga ai sepse përdor teknika manipulimi psikologjik për të rekrutuar “foreign fighters”, të cilët nuk luftojnë për të fituar “luftën e shenjtë’, por për të humbur jetën njerëzore në emër të ringjalljes. Absurde.
Si të mos mjaftojë kjo, “liderat-monstër” janë vetemërtuar “kuratorë” (kujdestarë), duke ironizuar logjikën e semantikës së kësaj fjale e cila në fjalorin e gjuhës shqipe ka disa ngjyrime kuptimore, por që konvergojnë në kontrollin ndaj rregullit të vendosur. Këta kuratorë të vetvrasjes kujdesen që të respektohet rregulli i zhvleftësimit të jetës deri në shpërfilljen e saj.
I kujt është faji?
Në një botë shumë të madhe për t’u kontrolluar, siç është ajo e internetit, rritet akoma më tepër vështirësia e komunikimit midis fëmijëve dhe prindërve, e cila shpesh zëvëndësohet me njohjet e web-ve “miqësore”. E vërteta është se kjo “gjeneratë e mërzitur” nuk u krijua në një ditë, por më vite ajo gjeti rrugën e shfrimit të “mërzisë së saj”, në një mënyrë krejt tjetër nga ajo e Bajronit. Jo më nëpër vepra e udhëtime romantike, por në sfida “challenge”, duke i dhënë jetë iniciativave të çmendura, të cilat ishin udhëzime jo vetëm mbi veten por edhe mbi të tjerët, pavarësisht sa larg ishin fizikisht, sepse virtualisht ishin fare pranë, edhe pse të panjohur perfektë. Mund të përmendim lojën “knockout game”, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse ta godisje në fytyrë dikë të zgjedhur rastësisht, e më pas të vrapoje duke përcjellë një sjellje sa sadiste aq edhe kalimtare. Sigurisht e gjitha kjo fiksohej në një vidio qe më pas merrte xhiron e rrjeteve sociale. Dhe lista mund të vazhdojë p.sh, me “Clown hysteria”, me “Scherniscono il destino” që lindi në Itali, apo “I drinking game” në Angli e kështu me radhë. Mbi to mund të gjeni mjaft info në internet, të cilat dëshmojnë për sjelljet e lidhura me botën e dhunës, dhimbjes, papërgjegjshmërisë e gjithçkaje tjetër, e cila “shmang mërzinë e brezit”.
“Mërzi për vdekje” ky është termi.
Bëhet fjalë për perversione të ardhura nga kultet morboze të veprave letrare ose kinematografike apo të praktikave virale të diktuara nga kushedicilat “mënyra” virtuale. Përmbajtja nuk ndryshon: influenca të mjeteve të komunikimit të trysnuara mbi jetën e individit, specifikisht të adoleshentëve. Alarmant është fakti se janë vetë adoleshtët që zgjedhin rrugët për ta zhdukur këtë “mërzi për vdekje” nëpërmjet vetë vdekjes. Në rastin e “balenës blu” veprimi eksitues apo shfryrës ka vetëm një rrugë të maskuar nën emërtimin sfidë dhe në qëllimin për të krijuar besimin tek zhbërja e jetës: vetvrasja.
Tani të mendojmë se si ta parandalojmë fuqinë e “virusit të ri”. Detyrë e parë e prindërimit është komunikimi. Për të parandaluar këtë akt makabër duhet të “infiltrojmë pak virus”, të infektojmë pak trupin dhe mendjen me idenë e vetvrasjes, qoftë edhe vetëm si emërtim. Duhet ta njohim vetë si ide, ta qarkullojmë në mendje diçka-në që zakonisht kemi frikë edhe ta artikulojmë.
Të flasësh me adoleshentët për vetvrasjen është ende tabu. Por realisht adoleshentët, ata që e konsiderojnë një zgjidhje (pro-choise), flasin për të në chat-et private krejtësisht të mbyllura. Çështja është shumë delikate. Tabutë kanë kumtet e tyre, me tabutë njerëzimi ka shqyrtuar vetveten.
Në rastin e “balenës blu”, për mendimin tonë rreziku nuk varet nga aftësitë e atyre që kryejnë veprimtarinë parandaluese, por nga vetë veprimtaria parandaluese; mendja nuk bën dallimin nëse diçka është reale apo imagjinare, nëse është e lejuar apo e ndaluar. Atëherë komunikimi me fëmijët është detyra thenelore e cila ka dalë nga kornizat e familjes.Të gjithë jemi dëshmitarë të goditjes që ka marrë familja, për aq kohë sa pohojmë se informatorët e parë të adoleshentëve “të rekrutuar” janë shokët e klasë.
Ndërkohë që ne shkruajmë e flasim mbase vajza e fqinjit, djali i shokut apo vetë fëmija ynë pa e vënë re fare ne, ka hyrë në ditën e 49 të lojës. Ka mundësi që nesër të ndodhë tragjedia para syve tanë dhe ne të mos e kemi ndierë fare. Sepse është një botë paralele që shoqëron të rinjtë: Rrjeti, i cili “që së largu” i bashkon e i manipulon ata njëkohësisht.
Atëherë mbetet një e vetme detyra e prindërimit dhe e edukimit:
Të ndihmojmë fëmijën të bëjë zgjedhjen e duhur: në vend të balenës blu, të zgjedhë balenën e bardhë. Balenat janë gjitarë, si ne njerëzit. Ashtu si ne ato kanë fuqi të jashtëzakonshme memorizuese. T’ia mësojmë që në hershmëri këto fëmijes. Ta mësojmë të zgjedhë. Të zgjedhë të luajë me balenën, të mësojë pëshpërtitjet e saj, të njohë mjedisin ku rritet, të kuptojë se sa i madh është oqeani vendi ku gjallojnë balenat e botës.
(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)
10 opsionet e tastierës që secili nga ju duhet t’i dijë
Programi Excel, përdorimi i tij hap pas hapi
Si të kthejmë një dokument nga PDF në WORD?