PLAN I RI

Sugjerime mbi planin e evakuimit të nxënësve në raste emergjente nga mësuesja Eljana Brahja

Një nga planet që duhet të kenë tashmë mësuesit në agjendën e tyre të punës është edhe ai i evakuimit të nxënësve në raste emergjente. Mësuese Eljana Brahja sjell një të tillë duke dhënë disa sugjerime shtesë.

Kur ndodhin fatkeqësi njerëzit bëhen gjithnjë e më shumë të ndërgjegjshëm për kontrollin e mjedisit që i rrethon. Ata kujdesen për sigurinë e tyre dhe për organizimin e aktiviteteve në kuadër të reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë sipas mundësive që kanë në dispozicion.  


Për të vepruar në një mënyrë sa më të organizuar dhe të sigurt në situata emergjente siç janë tërmetet, është i nevojshëm hartimi dhe ekzekutimi i planeve:


 1. Hartimi i një plani për dalje emergjente në nivel klase dhe, 

2. Hartimi i një plani për dalje emergjente në nivel shkolle. 


Në shkolla ekzistojnë shumë plane: Plani kundër dhunës, Plani kundër bullizmit, etj. Shumë aktivitete organizohen nga shkollat në kuadër të ndërgjegjësimit të nxënësve ndaj pasojave që shkakton dhuna ose bullizmi. Por, veprimtari të organizuara së bashku me nxënës dhe mësues duke simuluar daljet emergjente të nxënësve nga godinat, pothuajse nuk ka. 

Ndoshta, sepse nuk ka një plan të tillë në shkollat tona;

Ndoshta nuk ka plan sepse nuk kemi qenë të rrezikuar nga dukuri të tilla si tërmetet; 

Akoma dhe më keq është në qoftë se mendojmë se nuk dimë se si të mbrohemi ndaj rreziqeve  të tilla. 

Sërish, mësuesit ndodhen përballë nevojës për të krijuar të tjera plane për të përballuar situata emergjente. Këtë herë, për mësuesit është akoma edhe më vështirë sepse nën përgjegjësinë e tyre janë shumë jetë fëmijësh. Dhe mësuesi pasi ka bërë të pamundurën, ashtu si kapiteni duhet të braktisë i fundit anijen e tij. 

Në reduktimin e fatkeqësive është i nevojshëm jo vetëm bashkëpunimi në rang shkolle, por edhe bashkëpunimi midis shkollës dhe komunitetit që na rrethon. Disa nga masat paraprake që mund të ndërmerren për të minimizuar rrezikun, janë:


1. Krijimi i Planit Vjetor për përballimin e situatave emergjente;

2. Realizimi i Stërvitjeve Emergjente;

3. Sigurimi i mjeteve të nevojshme për reduktim të rrezikut;

4. Prova Evakuimi;

      4.1. Hartimi i planit të evakuimit në nivel klase;

      4.2. Hartimi i planit të evakuimit në nivel shkolle;

5. Prova për shpëtimin e të tjerëve në rrezik;

6. Harta e sigurisë në shkollë dhe komunitet;

7. Harta e evakuimit të nxënësve sipas klasave;

8. Stërvitja për raportim gjatë emergjencave .


Në këtë material do të përqendrohemi në pikat 4.1 dhe 4.2. Hartimi i planeve të evakuimit dhe ekzekutimi i tyre do të na ndihmojë për të shpëtuar veten, nxënësit, shoqërinë. Sipas udhëzimit të MARS, në një situatë emergjente mësuesi apo kushdo tjetër udhëzon me zë të lartë:


                  “SHPEJT NË POZICION PËR TËRMET: PËRKULU, MBULOHU DHE PRIT”


Sugjerohet që dhënia e sinjalit të rrezikut të përforcohet edhe nga mjete të tjera si: zilja e shkollës, rënia e bilbilit, sinjalizimi me altopolant, etj. Çështja që mund të shtrohet për diskutim është se si mund të shërbejnë për të sinjalizuar situate emergjente, këto mjete të cilat kanë simbolika të caktuara si: fillimi dhe mbarimi i orës së mësimit (zilja); fillimi ose mbarimi i lojës (bilbili). Megjithatë, vendosja e një marrëveshje të brendshme midis stafit të shkollës, mund të jetë një model shumë i mirë që bën të mundur dallimin e një situate të zakonshme nga ajo emergjente. (Për shembull: Rënia e ziles 3 herë në vijueshmëri me pushime të ndërmjetme). 



                        HARTIMI I PLANIT TË EVAKUIMIT NË NIVEL KLASE (Pika 4.1)


1. Plan i mbrojtjes fillestare të nxënësve në klasë.

2. Plani i daljes emergjente


Për pikën 1, këshillohet:


- Hapja e derës së klasës. 

Personi që është afër derës duhet ta hapë atë plotësisht. 

Sugjerohet që në bankën e ndodhur në pozicion më afër me derën e klasës të vendoset një nga nxënësit më të shkathët);


- Përkulu, mbulohu dhe prit. 

Është e nevojshme që nxënësit të përkulen, të mblidhen në gjunjë dhe me duart mbi kokë të presin deri sa lëkundjet e tërmetit të pushojnë. Këshillohet të mbulohen mirë koka, qafa dhe fytyra. 


- Futja poshtë tavolinave. 

Sugjerohet që secili prej nxënësve të futet poshtë bankës së tij me qetësi dhe pa përhapur panik te shokët që ka përreth dhe të presë aty deri sa lëkundjet të ndalojnë. Pasi mësuesi sigurohet se të gjithë nxënësit e kanë bërë një veprim të tillë, futet edhe ai vetë nën tavolinën e mësuesit. 


- Largimi sa më larg dritareve. 

Kjo është një masë e cila mund të merret paraprakisht. Është e nevojshme që mësuesi të kujdeset që rreshti I ndodhur nga dritarja, të krijojë një distancë të caktuar me qëllim që edhe nëse xhamat thyhen, dëmet të jenë sa më të pakta. 

- Këshillohet që nxënësit të qëndrojnë larg mobilieve si dërrasa e zezë, dollapët (raftet) e vendosura në klasa, neonet që sigurojnë ndriçimin e klasës, etj.  


Për pikën 2, këshillohet:


Klasa përgatitet për evakuim.


- Organizimi njëri pas tjetrit i nxënësve të klasës.

Sugjerohet që në çdo rresh të ketë një lider që organizon shokët dhe shoqet.


- Fillimisht del nga klasa rreshti që ndodhet më afër derës e kështu me radhë deri sa të gjithë nxënësit të kenë dalë nga klasa. Nxënësit janë të parapërgatitur të zbresin shkallët duke ecur sa më ngjitur me murin dhe pa ndaluar nëpër shkallë. 


- Mësuesi kujdeset që në klasë të mos ketë mbetur asnjë nxënës

Sugjerohet marrja e regjistrit i cili do të shërbejë në një tjetër moment për bërjen e apelit të nxënësve. Nëpërmjet apelit do të evidentohet ndonjë mungesë e mundshme. 


- Dalja në sipërfaqe të hapur. (vendi ku nxënësit do të mblidhen pas evakuimit nga shkolla është përcaktuar më parë nga drejtoria e shkollës në bashkëpunim me mësuesit dhe prindërit). 


Sugjerohet që nxënësit të mblidhen në oborrin e shkollës ose në mjedise të tjera të caktuara më parë të cilat nuk përbëjnë rrezik për nxënësit. Të tilla mund të jenë mjediset ku nuk ka godina përreth ose tela që përcjellin energjinë elektrike. 


Sugjerohet që të gjitha veprimet e përmendura më lartë të bëhen me kujdes, duke mos vrapuar ose folur me zë të lartë. 


Këshilla për mësuesit: 


- Mësuesi kujdestar vendos në fund të regjistrit një listë emërore të klasës e cila mund të shkëputet për rastet e emergjencës. 

- Reduktimi i lejeve të nxënësve për nevoja personale gjatë orëve të mësimit.

- Përcaktimi i mjediseve më të sigurta brenda klase. 

- Vendosja në çdo klasë e hartës së evakuimit të nxënësve nga shkolla.(1)

- Zhvillimi i orëve edukative me qetësi dhe pa përhapur panik te nxënësit.

- Forcimi I frymës së bashkëpunimit brenda klase.

_______________

(1).Shkolla duhet të hartojë menjëherë një hartë të evakuimit të nxënësve sipas klasave përkatëse. Fillimisht dalin nga shkolla klasat të cilat ndodhen më pranë daljes së jashtme, e me radhë. Nëse secila klasë gjatë daljes respekton hartën, kjo do të shmangë panikun dhe rrezikun e dëmtimit të nxënësve nga njëri-tjetri.  

                          


                        HARTIMI I PLANIT TË EVAKUIMIT NË NIVEL SHKOLLE (Pika 4.2)


Plan i daljes emergjente në nivel shkolle.


Disa sugjerime:


- Krijimi i hartës së evakuimit të nxënësve. 

- Përcaktimi i një mjedisi të jashtëm ku do të mblidhen të gjithë nxënësit pas evakuimit. 

- Përcaktimi i personave të cilët do të ngarkohen me përgjegjësinë për të njoftuar për rastet e emergjencës. (Si për shembull: Oficeri i sigurisë, Mësuesi dezhurn, Sanitaret). 

- Përfshirja në orët edukative të temave që lidhen me edukimin e nxënësve rreth fatkeqësive.

- Ngritja e grupeve që sigurojnë mirëqenien e nxënësve në raste fatkeqësish. 

- Klubi i Mjedisit të shtojë si objektiv: Kujdesin ndaj mjedisit me synimin për të reduktuar rrezikun gjatë fatkeqësive.

- Organizimi i aktiviteteve sensibilizuese në kuadër të reduktimit të rrezikut gjatë fatkeqësive. 

- Forcimi i lidhjeve të shkollës me Zjarrfikëset dhe Qendrat e Kujdesit Shëndetësor të zonës. 


Literatura e shqyrtuar për hartimin e këtij materiali:


• MASR., Plan veprimi në shkolla në rast tërmeti, 2019.

https://www.jica.go.jp/kansai/drlc/ku57pq000005kh18-att/01_bokomiguide_arb.pdf

Përgatiti: 

Eljana BRAHJA

(Portali Shkollor) 

11,257 Lexime
4 vjet më parë