Nevojat e nxënësve

Strategjitë që mësuesit duhet të kenë parasysh për nxënësit që kanë probleme me përqendrimin

Një nga sfidat më të mëdha të mësuesve është që t’u kushtojnë vëmendje të gjithë nxënësve njësoj dhe të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e gjithsecilit prej tyre. Por, prioritet duhet t’u kushtojnë nxënësve që kanë probleme me përqendrim, në mënyrë që ata të mos mbeten mbrapa.

Fëmijët siç kanë kërkesat e veçanta, janë edhe vetë të veçantë. Ata dallojnë në mënyrën e të menduarit, sjelljes, veprimeve dhe çdo gjëje tjetër. Disa fëmijë e kanë më të lehtë të kuptojnë atë që iu thuhet e disa të tjerë e kanë të vështirë t’i kapin gjërat me herë të parë.


Për të bërë të mundshme që çdo fëmijë të kuptojë lehtësisht e të mbajë fokusin e duhur gjatë aktiviteteve shkollore, kemi sjellë disa pika të rëndësishme që mësuesit duhet të kenë parasysh, e sidomos ndaj nxënësve që vuajnë nga ADHD-ja (Çrregullimi i vëmendjes së deficitit dhe hiperaktivitetit).

 

1. Vështirësi në kalimin nga një aktivitet në një tjetër

Për nxënësit me ADHD, kalimi nga një aktivitet në një tjetër shpeshherë mund të jetë problematik. Kjo bën që ata të kenë probleme me përqendrim dhe në këtë pikë mësuesit duhet të gjejnë një zgjidhje adekuate për ta. Është efikas përdorimi i një kohëmatësi digjital, në mënyrë që fëmijët të paralajmërohen për ndryshimin e radhës. Kjo ndikon në lehtësimin e ankthit dhe krijimin e rehatisë së tyre.

 

2. Luhatje në emocione

Nxënësit me ADHD emocionohen më lehtë se nxënësit e tjerë, dhe shpesh kanë probleme në rregullimin e emocioneve. Ata ndodh që ndihen të zhgënjyer, janë impulsivë dhe kanë frikë nga refuzimi. Për të minimizuar këtë, mësuesit duhet të krijojnë një atmosferë të rehatshme për nxënësit. Praktika e frymarrjes së thellë për të promovuar vetë-rregullimin është e rëndësisë së madhe dhe ndihmon shumë në këtë aspekt.

 

3. Përdorimi i metodave për lehtësimin e detyrave

Fillimi i detyrave, ndjekja e udhëzimeve që ka shumë hapa dhe ruajtja e vëmendjes për një kohë më të gjatë, është një sfidë në vete për nxënësit me ADHD. Që ky problem të trajtohet më lehtë është mirë që mësuesit të ndajnë detyrat pjesë-pjesë dhe të japin udhëzime hap pas hapi, në mënyrë që nxënësit ta procesojnë më lehtë mesazhin. Gjithashtu, duhen përdorur edhe shembuj nga jeta e përditshme në mënyrë që konceptet e vështira të zbërthehen më lehtë.

 

4. Bashkëpunoni me kolegët tuaj dhe prindërit e nxënësve

Organizoni takime me kolegët tuaj, në mënyrë që të shkëmbeni ide nga njëri-tjetri dhe të arrini një zgjidhje kolektive. Ndërkohë, zhvilloni takime edhe me prindërit e nxënësve në mënyrë që edhe ata të jenë në dijeni për pikat e forta dhe të dobëta të fëmijës së tyre dhe t’i kenë parasysh ato si një mundësi për reflektim. Bashkimi i ideve, e puna e përbashkët çojnë në një rezultat të kënaqshëm.


Referuar: https://www.educationworld.com/teachers/5-unexpected-ways-students-adhd-struggle-class?fbclid=IwAR2I-VKVREIifNY2muHTXPpzxTt00ZlFTqF0fVyrfT8wKT5btxt7TGqG3xo_aem_AU-AJj1u7dmGkrThCfWMNZWNdlCQswuSveHhYp0wYosF4tZRCHAwYqm10hxpX6rW93jKUxsjq1f0hJxdfaKe_CpC




Përgatiti: Arlinda Hajdarajgazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

512 Lexime
7 muaj më parë