Prindërimi

Sjelljet që absolutisht duhen evituar në marrëdhënien me fëmijën tuaj

Këshilla nga pediatria dhe psikologia e njohur Lira Gjika, ne lidhje me sjelljet që duhet të shmangni në marrëdhënin që jeni duke ndërtuar me fëmijën tuaj.

  1. Mosplotësimi i nevojave të fëmijës: Veshja e keqe, jo sipas sezonit. Mbajtja brenda në shtëpi për një kohë të gjatë, lënia vetëm, evitimi i shëtitjeve dhe lojërave në natyrë, evitimi i banjave, ushqyerje jo cilësore. 
  2. Kujdes i tepruar. Çuarja vazhdimisht tek mjeku dhe mjekë të ndryshëm, për të verifikuar diagnozën, mjekimin apo zhvillimin e fëmijës. Moslejimi i fëmijës të luaj si gjithë fëmijët nga frika se do të sëmuret. Moslënia të provojë ushqime të ndryshme nga frika se i bëjnë keq. Mbrojtja nga përballja me dështimin se mos mërzitet.
  3. Të evitohen fyerjet dhe etiketimet si: budalla, i shëmtuar, nuk di asgjë, nuk të kam xhan po nuk bëre si të them unë.
  4. Pretendimi që të jetë gjithnjë më i miri në shkollë, në sport apo në aktivitete të ndryshme që merr pjesë. 
  5. Trajtimi sikur fëmija është më i vogël se ç'është: ta veshin e t’i bëjnë banjë prindërit, kur mund t'i bëjë vetë. Të mos i shpjegohet se çfarë po ndodh rreth tij: situata të ndryshme që ndodhin në familje, si vdekje, sëmundje, grindje në familje apo divorc. 
  6. Të ndërtohet marëdhënie sikur është i madh: pra të pretendohet të sillet si i rritur, të vihet në shërbim të të rritur të sëmurë, apo t’i kërkohet të kujdeset për vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Të lejohet të frekuentojë vënde e njerëz problematikë, që nuk janë të përshtatshëm për moshën e tij, siç janë vendet ku luhet bixhoz apo konsumohet alkool apo drogë.
  7. Përfshirja në grindjet ndërmjet partnerëve: Të pyetet kush ka të drejtë nga prindërit. Përjashtimin e një prindi nga jeta e fëmijës. Etiketimi i karakteristikave të fëmijës që janë të njëjta me ato të prindit të përjashtuar. Të penguarit e fëmijës të takojë prindin tjetër, ta dojë atë, duke e kërcënuar se do ta braktisin apo ndëshkojnë. 
  8. Ekspozimi i fëmijës me skena të dhunës fizike e verbale, ndërmjet prindërve: Si rrahja e nënës apo sharjet dhe fyerjet mes njëri-tjetrin të dy prindërit. Kërcënime të ndryshme që i bëjnë njëri-tjetrit. Këto ngjarje lenë gjurmë dhe e manipulojnë në psiqikën e fëmijës, në të ardhme. 
  9. Ushtrimi i dhunës fizike ndaj fëmijës: Si gjuajtja me shpulla, shkulja e veshit, shkulja e flokëve, të goditet me objekte të ndryshme, gjuajtje me shkelma, me grusht.  Djegie me cigare. Dhe sidomos shkundja e një foshnje për ta bërë të pushojë.
  10. Prekje e fëmijës në zonën genitale: Prekja e fëmijës në zonën genitale pa kujdes, deri sa të eksitohet. Puthja e fëmijës në zonën genital. Të jetë prezent në raporte seksuale ndërmjet të rriturve apo të lejohet të shohë materiale pornografike. 


Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,921 Lexime
4 vjet më parë