PSIKOLOGJI

Si të përballemi me karantinën – vetëizolimin?

Ndërhyrja psikologjike mbetet një faktor i rëndësishëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vetëizolimit dhe mbi të gjitha për të ndihmuar në përballjen e kësaj situate të re. Ja disa këshilla.

Që prej ditës së hënë autoritetet e shëndetësisë u janë drejtuar qytetarëve shqipëtarë të qëndrojnë në shtëpi, të vetëizolohen, me qëllim të shmangin përhapjen e  koronavirusit të ri. Një situatë e re kjo për të gjithë ne, në kufijtë e të pabesueshmes. Në nivel psikologjik është një situatë ku përballemi me dilemën nëse do të jëtë i vlefshëm vetëizolimi dhe cilat janë pasojat e tij në shëndetin tonë.


Studimet  tregojnë se  pasojat  psikologjike të vetëizolimit shfaqen në formës e frikës, zemërimit, mendimeve intruzive, etj.  Faktorët e stresit  që ndikojnë në këtë situatë janë të lidhur me mërzitjen, informacionin e papërshtatshëm, vështirësi në aksesin e të mirave materialeve apo shërbimeve për të mirëmbajtur shtëpinë, humbje e financave dhe stigma. Nisur nga fakti që vetëizolimi i kërkuar do të zgjasë deri më 23 Mars 2020, ndërhyrja psikologjike mbetet një faktor i rëndësishëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vetëizolimit dhe mbi të gjitha për të ndihmuar në përballjen e kësaj situate të re.


Për psikologët shqiptarë kjo është një situatë e re emergjence (e ndryshme nga ajo e tërmetit të Nëntorit 2019) dhe eksperienca e kolegeve të huaj na ndihmon për të dhënë kontributin tonë. Më poshtë paraqiten disa këshilla praktike sesi mund të mësojmë qytetarët të përballen me sfidën e vetëizolimit.


1-Kini parasysh se po i bëni një të mirë shoqërisë

Vetëizolimi ndihmon të tjerët. Në këtë mënyrë ju ulni mundësinë që të tjerët të sëmurën duke treguar një përgjegjshmëri qytetare nëpëmjet veprimit tuaj altruist. Nëse do ta mendoni në këtë mënyrë, do të jeni në gjendje të ruani vetërespektin dhe të parandaloni stigmën. Kur kjo periudhë të ketë marrë fund, do të shërbeni si shembull për të tjerët dhe ata mund ta bëjnë këtë në një situatë tjetër të ngjashme.


2- Qëndroni aktivë duke vendosur një rutinë të re

Aktivitetet, rutina dhe struktura i japin ditës formë dhe parashikueshmëri. Në situata të paqarta, ajo sjell qëndrueshmëri dhe siguri. Aktiviteti fizik, higjena personale, rregulli në marrjen e vakteve dhe aktivitete të tjera të rregullta ndihmojnë në sistemimin dhe strukrturimin e një situate të re dhe të paqartë.


3- Aktivitetet sociale janë një aktivitet i rëndësishëm

Media sociale na lejon të ruajmë kontaktet dhe të informohemi për të afërmit dhe miqtë tanë. Në situatën e vetëizolimit këto kontakte janë të rëndësishme. “Qëndroni në linjë”! Bëjeni këtë  një takim fiks në skedën tuaj të aktiviteteve.


4-Merrni në  kontroll mendimet tuaja negative

Është normale të kesh mendime negative në këtë situatë globale epidemie e thuajse  pandemie. Nëse  këto mendime nisin të zënë pjesën më të madhe të të menduarit tuaj, ju duhet të  filloni përpjeket për t’i kontrolluar ato. Shpërqëndrimet mund të zbehin fuqinë e tyre; shikoni TV,  luani video-lojra, plotësoni fjalëkryq, Sudoko, etj, përdorni profilet tuaja për të kontaktuar me miqtë por mos  lejoni që koronavirus të jëtë çështja kryesore e bisedës suaj. Ju mund të punoni me shqetësimet tuaja duke krijuar një kohë për të munduar rreth tyre. Mendoni për  to rreth 10-20 minuta, dhe shqetësohuni sa të doni gjatë kësaj kohe. Në momentin që kuptoni se shqetësimi për to i kalon minutat e vendosura, ndalni të menduarin dhe  thoni: “ Ky është një mendim për të cilin duhet të shqetësohem  në kohën e përcaktuar, jo tani”.  Nëse këtë e përsërisni shpesh të mendurit bëhet automatik. Këtë kohë të të menduarit mos e programoni për në mbrëmje apo në darkë vonë. Nëse shqetësimet shfaqen, mos u mërzisni me vehten tuaj, thjesht përsërisni që do të mendoni për to kur të jetë koha e mendimeve negative”.


5- Pak përditësim me të rejat e fundit është i mjafueshëm

Nga rastet klinike të personave që kanë kaluar tragjedi, kemi mësuar se të kalurit shumë kohë duke ndjekur  apo lexuar lajme ndikon negativisht. Nëse i shmangni vetës ndjekjen e medias  për lajme rreth virusit, ju do ta keni më të lehtë të qëndroni të qetë. Përditësim i informacionit në një ose dy burime të besueshme mund të rezultojë i mjaftueshëm.


Në çdo moment që kuptoni se e keni të pamundur të menaxhoni sjelljen tuaj kërkoni ndihmë. Të kesh frikë në një situatë të paqartë dhe me rrezikshmëri të lartë  është reagim  njerëzor!


Elona Mustafaraj

Psikologe Këshillimi, Shkollore


(Portali Shkollor)

1,977 Lexime
4 vjet më parë