INTERVISTË

Shëndeti, kujdesi që tregojnë mjekët e shkollave

Në një intervistë për Portalin Shkollor, mjekja Jonida Uku rrëfen për eksperiencën e saj të punës nëpër shkolla. Ajo tregon se klima me mësuesit është bashkëpunuese, por jo gjithmonë është e tillë me prindërit.

Mjekët e shkollave me përgjegjësi ushtrojnë profesionin e tyre pranë institucioneve arsimore. Shëndeti edukohet që në fëmijëri, ndaj në dispozicion të tyre vendosen mjekë, jo vetëm për të kuruar simptoma, por mbi të gjitha për të dhënë edukatën e të kujdesurit për veten. Ushqyerja, higjena dhe kontroli i vazhdueshëm, janë hapat e një shëndeti të mirë dhe të plotë. Këtë e thekson edhe mjekja e intervistuar, Jonida Uku, e cila tregon se këto shërbime ofrohen në çdo moment që nxënësit kanë nevojë. 


1. Prej sa vitesh e ushtroni profesionin e mjekut në shkolla?

Profesionin e mjekut nëpër shkolla e ushtroj prej 6 vitesh.


2. A janë nxënësit të pajisur me njohuritë e mjaftueshme rreth kujdesit shëndetësor?

Nxënësit janë të pajisur me shumë informacion, sepse burimet nga mund t'i marrin janë të shumta. Trajtohen edhe në orë të biologjisë, por gjithashtu nga ne. Në të gjitha vizitat, komunikimet, takimet me ta, përpiqemi të japim sa më shumë informacion. Në këtë mënyrë nxënësit bëhen të vetëdijshëm për rolin që ka shëndeti. Njihet shprehja "Mendje e shëndetshme në trup të shëndetshëm". Ua përsëris shpeshherë nxënësve, sepse ata e dinë që nuk mund të dalin mirë me mësime nëse nuk kujdesen siç duhet për shëndetin e tyre. 


3. Cila është sfida më e madhe në këtë drejtim?

Mjeku përballet me sfida të shumta, nga më të lehtat, tek ato më të komplikuarat. Vështirësi kryesisht hasim me zonat periferike, ku informacioni depërton me më shumë vështirësi, për shkak të infrastrukturës. Por, me dëshirën e mirë për ta bërë profesionin me përgjegjësi, gjithçka tejkalohet. Ndonjëherë ne nuk e kemi privilegjin të kemi kontakt të përditshëm me nxënësit, sepse duhet të mbulojmë disa shkolla. Ndërprerja, shkëputja e informacionit rreth gjendjes së tyre është një tjetër pengesë për ne. Por, në këtë drejtim, mësuesit na e kanë lehtësuar misionin. 


4. Sa kontrolle të përvitshme bëni në secilën shkollë?

Kontrollet janë mujore, por ne jemi pranë kujtdo që ka nevojë. Pra, nuk e marrim fare parasysh aspektin "kohe". Fundja i tillë është misioni i mjekut. 


5. Vaksinimi është një element thelbësor, të cilin prindërit nuk duhet ta neglizhojnë. Çfarë është në vetvete vaksina? Cilat janë dobitë e saj? A ka vaksina efekte anësore?

Vaksinimet mundësojnë eleminimin e shumë sëmundjeve infektive dhe nuk lejojnë që të përhapet efekti i tyre në organizmin tonë. Me anë të vaksinimit mund të ketë ndonjë rrezik anësor mirëpo nuk mund të jetë rreziku më i madh sesa i sëmundjeve që ka për synim të parandalojë.

Vaksina përbëhet prej mikroorganizmave që mund të jenë viruse ose baktere apo pjesë të tyre, që mund të jenë të vrarë ose të dobësuar. Vaksinat gjithashtu mund të kenë edhe sasi të vogla konservantëve dhe antibiotikëve, që disa madje kanë edhe kripëra alumini që ndihmojnë në prodhimin e përgjigjes imunitare. Qëllimi kryesor i vaksinës është që të prodhojë anti-trupa, pra të krijojë imunitet për të luftuar sëmundjet e ndryshme infektive. 

Ekzistojnë disa lloje të vaksinave që luftojnë sëmundjet e ndryshme si: tetanozit, difteritit, poliomelitit, hepatitit viral B dhe po ashtu vaksinat kundër morbilit (fruthit), parotiteve (shytave), rosolia, pertosse (kolles se bardhe) (HIB). parandalimin e disa sëmundjeve të fëmijëve, si dhe vaksina kundër gripit, pneumokokut, milingjitit C dhe lijës së pyllit.


6. Sa të përpiktë jeni me to? 

Jemi shumë të përpiktë, sepse përgjegjësia është e madhe. 


7. A ka prindër që i kundërshtojnë dhe janë kundër injektimit të vaksinave në trupin e fëmijës së tyre?

Sigurisht që ka. Bëjmë një punë bindëse për ta. U japim fletëpalosje, të cilat tregojnë për të gjithë benifitet e vaksinave. Në pjesën më të madhe të rasteve, dëgjojmë prindër që për ndonjë vaksinë kanë ngritur mitin e paragjykimit. Ndaj jemi aty, për të dhënë informacionin e saktë. Karta e vaksinimit ndryshon, ndaj duhet të kuptohet nga prindërit që në disa raste është totalisht përgjegjësi e tyre. 


8. Për të gjithë ata prindër dhe mësues që duan më shumë informacion, sa vaksina duhet të bëjnë fëmijët dhe cilat janë ato?

Tabela e mëposhtme është mjaft e qartë dhe orientuese. \

9. Keni pasur ndonjëherë mungesë mjetesh?

Në eksperiencën time të punës, jo. Gjithnjë me shumë përgjegjësi, puna është kryer me mjetet e duhura, të sterilizuara dhe në kohën e duhur. 


10. Referuar viteve të kaluara, gjendja është në përmirësim, për sa i përket kushteve, rigorozitetit dhe rëndësisë së aspekteve shëndetësore, apo ndodh e kundërta?

Gjendja veçse është në përmirësim. Çdo ditë punojmë për ta çuar në një standard tjetër dhe mesa duket të gjithë bashkë mund t'ia dalim. Ndaj, u bëj thirrje prindërve, mësuesve, pse jo edhe vetë nxënësve, të mos e neglizhojnë shëndetin, ta marrin atë seriozisht, të kërkojnë ndihmë. Serioziteti që tregon çdo shkollë është për t'u vlerësuar. Besoj se jemi në rrugën e duhur, duke nërgjegjësuar çdo individ.


11. Si u gjendeni pranë në raste emergjencash?

Fëmijët i kemi instruktuar të kontaktojnë menjëherë mësuesen kujdestare, në rast se kanë një shqetësim. Ajo më tej ndjek hapat e duhura, të instruktuara nga ne. Në vazhdim, ne marrim fëmijën përsipër. Pra gjithçka është e mirëorganizuar, përmes bashkëpunimit. 


12. Së fundmi, a ju jepen orë të posaçme për t'i shpjeguar nxënësve rëndësinë që ka shëndeti në mirëfunksionim e aktiviteteve të përditshme?

Patjetër që po. Përveç orëve ku vaksinojmë, kemi orët e kujdesit dentar, orët ku japim informacion për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, etj. Përveç atyre qe parashikojmë ne, u kërkojmë edhe nxënësve të na pyesin për diçka që i shqetëson apo kërkojnë të dinë më shumë. Jemi aty për ata. Ky është misioni ynë! 



(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor)

3,457 Lexime
5 vjet më parë