Pesha e çantës

Sa duhet të peshojë çanta e fëmijës?

Artikull mbi zgjidhjet që duhet të gjejë shkolla dhe çfarë e si mund të kenë kujdes prindërit për peshën e çantës së fëmijëve. Këshilla konkrete nga Dr. Valbona Nathanaili.

Në moshën nga 6-12 vjeç, në fizikun e fëmijëve ndodhin ndryshime periodike dhe të qëndrueshme. Ndërkohë, një nga aktivitetet më të rëndësishme për këtë grup-moshë është ndjekja e shkollës, e cila përcakton edhe një stil jete, që kryesisht është i lidhur me qëndrimin ulur. Rutina ndërpritet me vajtjen dhe kthimin nga shkolla, si dhe nga orët e edukimit fizik. Por ndërkohë që e dyta në përgjithësi neglizhohet nga sistemi ynë shkollor dhe është edhe tejet e kufizuar në orë e ditë të caktuara të javës, vajtja dhe kthimi nga shkolla shoqërohet me një element shumë të rëndësishëm – mbajtjen e çantës.

Prindërit ankohen për peshën e çantës dhe zgjidhja më e zakonshme është ta mbajnë vetë, të paktën për aq kohë sa i shoqërojnë. Më pas e gjitha kalon “mbi shpatullat” e fëmijës. Problemi bëhet më i mprehtë se edhe pasditja vazhdon përsëri pothuaj me të njëjtin stil jete sedentar: larg aktiviteteve të organizuara sportive, kryesisht ulur, ose duke bërë detyrat, ose përpara televizorit a një aparati celular. Mbajtja e një peshe që e kalon kufirin është një ndër shkaqet e deformimeve të shtyllës kurrizore tek fëmijët, përpos lodhjes së vazhdueshme.


Sa duhet të jetë pesha e çantës? 


Në kohën kur fëmija ndjek arsimin fillor dhe vitet e para të arsimit të mesëm të ulët, pesha e trupit rritet në mënyrë pothuaj graduale, si për vajzat ashtu edhe për djemtë. Në fund të kësaj periudhe, në përgjithësi djemtë kanë një masë trupore më të vogël se sa vajzat. Mjekët porosisin që maksimumi i peshës së lejuar që mund të mbajë një fëmijë të jetë në kufijtë nga 10-15% e peshës së trupit.


Në tabelën më poshtë, pesha e çantës, sipas teorisë, në total, është llogaritur si 12% e peshës së trupit.


Mosha  
 Pesha mesatare në këtë moshë (afërsisht)/Klasa
  Pesha e çantës  
6 vjeç 
20 kg (vajzë, djalë) / Klasa I     
12% e 20 kg = 2.4 kg
7 vjeç
22 kg (vajzë, djalë) / Klasa II  
12% e 22 kg =  2.6 kg
8 vjeç
25–26 kg (vajzë, djalë) / Klasa III  
12% e 26 kg = 3.1 kg
9 vjeç
28 kg  (vajzë, djalë) / Klasa IV
12% e 28 kg = 3.4 kg
10 vjeç
31-32 kg  (vajzë, djalë) / Klasa V  
12% e 31 kg = 3.7 kg
11 vjeç
37 kg (vajzë), 36 kg  (djalë) / Klasa VI   
12% e 36 kg = 4.3 kg
12 vjeç
42 kg (vajzë), 40 kg (djalë) / Klasa VII
12% e 40 kg = 4.8 kg


Sa është praktikisht pesha e çantës së fëmijëve që ndjekin shkollat tona?

Janë peshuar vetëm librat e fletoret, që u duhen fëmijëve, në një ditë të caktuar të javës, dhe janë krahasuar me peshën e lejuar teorikisht. Janë përjashtuar artikujt e tjerë të çantës, si shishja me ujë, ushqimi, vetë pesha e çantës apo edhe atletet e uniforma që mund të duhen për një orë të caktuar. Synimi është të llogaritet përqindja që zënë librat e fletoret në lidhje me peshën e lejuar.


Rasti i parë: Fëmija është në klasën e dytë, djalë; librat e fletoret janë ato që i duhen ditën e mërkurë, për lëndët gjuhë shqipe dhe dituri natyre, përbërë nga dy libra dhe pesë fletore. Ndërkohë që pesha e lejuar çantës për këtë moshë është 2.6 kg, vetëm dy librat dhe pesë fletoret peshonin 1.38 kg, ose 53.1%. Gjithë artikujt e tjerë dhe të domosdoshëm për ditën e shkollës së një fëmije duhet të peshojnë jo më shumë se 1.22 kg (46.9 %), si shishja e ujit, ushqimi, kutia me lapsa e stilolapsa, si dhe vetë çanta. Karakteristikë: në total janë 5 fletore, për punë në klasë e në shtëpi, të mëdha dhe me fletë të rëndë; vetëm çanta – të themi që peshon 0.9 kg. – përbën afro 34.7% të peshës së lejuar.


Rasti i dytë: Fëmija është në klasën e katërt, vajzë; librat e fletoret janë ato që i duhen ditën e hënë. Ndërkohë që pesha e lejuar çantës për këtë moshë është 3.4 kg, vetëm librat dhe fletoret peshonin 2.5 kg, ose 73.5%. Gjithë artikujt e tjerë dhe të domosdoshëm për ditën e shkollës së një fëmije të kësaj klase duhet të peshojnë jo më shumë se 0.9 kg (26.5%). Me supozimin se pesha e çantës është si më sipër, në këtë rast, pesha e lejuar plotësohet vetëm me çantën e libra e fletore – as ujë e as bukë e as lapsa, sepse tejkalojnë peshën.


Rasti i tretë: Fëmija është në klasën e gjashtë, djalë; librat e fletoret janë ato që i duhen ditën e premte – sipas fëmijës, është dita më pak e ngarkuar e javës – për lëndët gjuhë shqipe, biologji, matematikë, muzikë dhe anglisht, përbërë nga libra dhe fletore. Ndërkohë që pesha e lejuar çantës për këtë moshë është 4.3 kg, vetëm librat dhe fletoret peshonin 4.1kg, ose 95.3%. Në këtë rast, e mira është t’i mbajë libra e fletore në dorë dhe ka vend të mbajë, po në dorë, edhe shishen e ujit.


Në mënyrë të përmbledhur, pesha e librave dhe e fletoreve rritet në përpjesëtim jo të drejtë me peshën ideale që duhet të mbajë një fëmijë në shpinë (shih grafikën). Hapësira që mbetet ndërmjet dy kolonave është ajo që mund të shfrytëzohet me objekte të tjera që i duhen fëmijës për të kaluar një ditë shkolle në sistemin parauniversitar shqiptar.


Çfarë mund të bëjë shkolla?


Sa i takon logjistikës së orës së mësimit: Të mbajë një kopje të të gjithë librave në klasë, për çdo nxënës, për përdorim të brendshëm, si në rastin e shkollës së mesme “Harry Fultz” (me këtë alternativë, është më mirë që për lëndët që kanë në vijimësi, si gjuha shqipe e matematika, librat mund të shtypen për 2-3 vite shkollore – edhe financiarisht janë më lirë); të reduktojë numrin e fletoreve; të mos japë detyra të përditshme shtëpie, për shembull, detyrat mund të jenë javore, sikundër është rasti i Zvicrës; në klasat e arsimit fillor kutitë e lapsave dhe të stilolapsave të qëndrojnë në klasë.


Sa i takon diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve që kanë lidhje me strukturën e posturën e fëmijës: Të bëjnë ushtrime të ndryshme në pushimet ndërmjet orëve; të zhvillojnë me rregull orët e edukimit fizik; të mësojnë fëmijët se si duhet të mbahet çanta e si duhet të hiqet e vendoset në shpinë; të kërkojnë testime për ata fëmijë që mund të kenë shenja të para të skoliozës – në rastin më të keq, edhe bërjen e një grafie; çdo fëmijë të ketë një raft të vogël personal; e mira do të ishte që edhe në shkollat publike të futet një vakt ushqimor, që në pjesën më të madhe të fëmijëve duhet të mbulohet tërësisht nga shteti.


Kujdesi që duhet të kenë prindërit


Është shumë e rëndësishme zgjedhja e çantës: duhet të jetë me dy rripa, në synimin për të patur një shpërndarje simetrike të peshës; çanta të puthitet sa më mirë me shpinën e fëmijës dhe të jetë në shtrirje sa lartësia e bustit, pra nga mesi deri në afërsi të shpatullave; kujdes me çantat me rrota – nuk janë të këshillueshme kur fëmija ka për të ngjitur shkallë, pra kur klasa është në kate të ndryshme nga ai i pari, përpos që u kufizon lëvizjet; t’i angazhojnë fëmijët sa më shumë në aktivitete sportive jashtëshkollore; t’i mësojnë fëmijët të përgatisin në darkë çantën e shkollës për ditën e nesërme, vetëm me gjërat më të domosdoshme dhe vetëm me librat e fletoret që kanë në orar; të mos neglizhojnë asnjë shfaqje, sado të vogël, të ndonjë deformimi në qëndrim – skoliozat jo gjithmonë janë të lindura dhe bashkë me çdo dëmtim tjetër që mund të shkaktojë pesha e tejkaluar që mban çdo ditë – sa më herët të identifikohen, aq më e lehtë është korrigjimi ose zbutja e tyre.




Nga Dr. Valbona Nathanaili

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,099 Lexime
2 vjet më parë