Mësimdhënia në ditët e sotme

Rudina Koromani: Kritika kritikës së ashpër të mësuesve

Mësimdhënia është bërë gjithnjë e më shumë sfiduese për të marrë vëmendjen e nxënësve. Prandaj është i nevojshëm kujdesi që duhet në dhënien e kritikave: të verbalizohet episodi, të jepen komente se si episodi ndikon emocionalisht te mësuesi dhe të shtohet një propozim ose sugjerim për përmirësim.

Fëmijët sot nuk janë më të bindurit e mëparshëm ndaj autoritetit legjitim të mësuesve. Janë shtuar nxënësit protagonistë, nxënësit që bojkotojnë orët mësimore apo ata me mungesë interesi për të mësuar e janë shtuar fëmijët me probleme psikologjike. 


Format e prindërimit modern kanë ndryshuar e rrjedhimisht ka ndryshuar dhe mënyra liberale sesi ata sillen e komunikojnë në ambientet shkollore por dhe mënyra për t’i motivuar të mësojnë. Për këtë arsye mësimdhënia nga ana e mësuesve është bërë gjithnjë e më shumë sfiduese për të marrë vëmendjen e tyre, por mbi të gjitha të komunikojnë efektivisht me ta.


Një nga problemet që vërehet nga prindërit dhe nxënësit në këtë problematikë është mënyra e ashpër dhe e ftohtë e dhënies së kritikave dhe qortimeve të mësuesve në shkollë. 


Përtej gjithë ngarkesës dhe lodhjes psikologjike që ka profesioni i mësuesisë, për të cilin duhen vlerësuar, mësuesit duhet të jenë të vetëdijshëm në impaktin që kanë në motivimin e fëmijës për të mësuar. Një fjalë e ashpër apo e perceptuar e padrejtë nga fëmija nxënës mund të ndikoj drejtpërdrejt në humbjen e interesit për të mësuar atë lëndë.


Prandaj është e nevojshme kujdesi që duhet në dhënien e kritikave: të verbalizohet episodi, të jepen komente se si episodi ndikon emocionalisht te mësuesi dhe të shtohet një propozim ose sugjerim për përmirësim, për shembull: 

"Në këtë rast ke bërë një gabim, por mund ta korrigjosh në mënyrën e mëposhtme ...”

“Unë jam shumë i mërzitur”, “më vjen keq”, “jam i zemëruar për atë që po ndodh". 


Mësuesi që di të komunikojë në mënyrë efektive është i vetëdijshëm për rëndësinë gjuhësore të fjalëve dhe mënyrën e ndërtimit të një fjalie. Për shembull, është një gjë të thuash: "Si jeni?" dhe një gjë tjetër të thuash Do të doja të di si je”. Shprehja “Do të doja të dija si je” jep më shumë idenë e pjesëmarrjes dhe interesimit sesa shprehja “Si je” që duket më e ftohtë dhe më e largët.


Kritikat e bazuara në fakte dhe jo në hamendje apo projeksione që mund të bëhen padashje janë gjithnjë efikase duke pasur fokus nxjerrjen në pah të sjelljes së gabuar dhe jo marrjen në pyetje e fëmijës: “Në këtë situatë po sillesh si…”


Frazat që shprehin komunikim efektiv kanë brenda tyre fjalë që shprehin interes, pjesëmarrje, dëgjim e rezonancë emocionale. 


Kur shprehet një vlerësim pozitiv, përdorimi i vetës së parë e përforcon impaktin psikologjik: “përkushtimi yt ishte i shkëlqyer”, por kur shprehim një kritikë duhet përdorur veta e tretë për të lehtësuar disi peshën e fajit: “kjo sjellje është e pamjaftueshme”. 


Megjithëse në dukje fjalori dhe ndërtimi i fjalisë nga mësuesi duket spontan dhe tradicional, në realitet në klasë ai shndërrohet në komunikim edukativo-didaktik me funksione dhe qëllime më specifikë, në strategji dhe teknika, korrektësia e të cilave kontribuon në formimin dhe rritjen e personalitetit të nxënësit. Vërtet lëvdatat duhen më shumë por ato që respektohen janë kritikat.


Të kritikosh me dashuri është art- Carlo Maria Martini


Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

4,501 Lexime
3 vjet më parë