INTERVISTË

Rëndësia e misionit të mësimdhënies dhe gjuhës shqipe në diasporë, sipas mësueses Mimoza Bejkollari

Këmbëngulja e ka karakterizuar mësuese Mimoza Bejkollarin, të ushtrojë profesionin e mësuesisë në vende larg Shqipërisë, përkatësisht në Greqi dhe në Zvicër. Rreth kësaj eksperience, ju ftojmë të lexoni intervistën.

 
Të gjithë mësuesit janë misionarë, sepse vetë mësuesia është një mision, jo thjesht një profesion. Ky mision bëhet akoma më i rëndësishëm dhe më i vështirë në diasporë.



Këmbëngulja e ka karakterizuar mësuese Mimoza Bejkollarin, të ushtrojë profesionin e mësuesisë në vende larg Shqipërisë, përkatësisht në Greqi dhe në Zvicër. Duke qenë mësuese e gjuhës shqipe, ajo është shumë afër fëmijëve të emigrantëve, të cilët janë kaq të zellshëm për të trashëguar gjuhën dhe kulturën shqipe. Vështirësitë dhe sfidat kanë qenë të mëdha, por kjo nuk e ka e penguar mësuesen të realizojë misionin e saj. Një rrugëtim sa i gjatë, aq edhe i suksesshëm në emër të dashurisë për gjuhën amë.



Zj.Mimoza, ju jeni mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër. Si e keni nisur eksperiencën tuaj të mësimdhënies, në vendin amë apo jashtë tij?


Së pari dua t’ju përgëzoj për punën tuaj formative, që bëni nëpërmjet Portalit Shkollor. Mund të them se, shumë herë aty kam gjetur informacione të rëndësishme, që lidhen direkt jo vetëm me profesionin tim si mësuese, por në shume raste më ka ndihmuar konkretisht si mësuese në emigracion. Eksperienca ime e mësimdhënies e ka zanafillën në shtetin Helen dhe pikërisht në qytetin e Selanikut, në të cilin unë jetova për gati 20 vite, menjëherë pasi mbarova studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi në vitin 1992. Kuptohet që, si çdo emigranti, në vitet e para m’u desh të përvetësoja gjuhën greke dhe të përballesha me shumë vështirësi, por dëshirën për të ushtruar profesionin tim e mbajta të ndezur gjithmonë. Ndoshta mund ta quaj veten me fat, pasi me gjithë absurditetin e kësaj ëndrre në një vend si Greqia, arrita ta bëj realitet. Fakti që qysh në fillim të vitit 1998 u angazhova me aktivitete shoqërore në kuadër te shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, të cilën e drejtova për disa vite me radhë, si dhe në bashkëpunim me intelektualë vendas dhe mendjehapur, kërkova dhe gjeta mundësinë që si unë, ashtu dhe shumë mësues, të ndiheshim përsëri mësues edhe pse larg atdheut. Pa dashur të zgjatem, mund t’ju them se me 7 Mars 2001 u kurorëzuan përpjekjet për hapjen e “Mësonjëtores së parë shqipe”, për herë të parë në gjithë Greqinë. Në “Vatrën e emigrantit”, e cila financohej nga sindikatat e qytetit të Selanikut, mendova të shfrytëzonim ambientet e saj për të organizuar kurse falas për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Nismës sime iu bashkuan shumë shpejt dhe mësues te tjerë, të cilët me po aq dëshirë e pasion iu mësuan fëmijëve abc-në shqipe.



Edhe pse larg Shqipërisë, ju nuk e keni ndryshuar profilin tuaj. Si ia dolët të ushtronit profesionin e mësuesisë edhe në emigrim?


Të gjithë e dimë se askush nuk të pret me krahë hapur përveç prindërve dhe aq më tepër në një vend të huaj. Pesha e mbijetesës në emigracion, sidomos në fillimet e saj të bën të harrosh shumë dëshira që ke patur, por shpresa dhe këmbëngulja janë dy armët që unë nuk i heq nga dora as sot e kësaj dite. Besoj fort se pa këto të dyja nuk kapërcehen vështirësitë dhe as nuk realizohen ëndrrat. Edhe pse kishin kaluar disa vite pasi kisha kryer studimet, vendosa te kryej dhe studimet pasuniversitare në Universitetin “Aristoteli” të qytetit të Selanikut, gjë që më zgjeroi akoma më shumë miqësinë me njerëz intelektualë, pa komplekse dhe përkrahës të mësimit të gjuhës amtare tek fëmijët e emigrantëve. Ja kështu, por jo aq thjesht, ia dola të ushtroj profesionin e mësuesit dhe jo vetëm. Tashmë e ushtroj profesionin tim si mësuese në Zvicër, në kushte krejtësisht të ndryshme, duke u përballur me rrethana sa të ngjashme, po dhe aq të ndryshme me realitetin e Greqisë.



Përmes jush fëmijët shqiptarë, trashëgojnë gjuhën, kulturën e vendit të tyre. A ndiheni krenare për këtë?  


Padyshim që ndihem krenare, por më shumë ndiej përgjegjësi të madhe: Çdo gjë që fëmijët e mësojnë prej meje dua që të jetë e saktë, e bukur, e ngulitur jo vetëm në memorie, por edhe në shpirt. Ashtu si ne u rritëm me dashurinë për atdheun, krenarë për identitetin tonë, të njëjtën gjë dua të përcjell tek ata, sepse kështu vazhdon ekzistenca e kombit tonë!



Cilat kanë qenë pengesat më të mëdha me të cilat jeni përballur? A është e vështirë t'u përcjellësh dije në shqip nxënësve të cilët jetojnë larg kufijve tanë gjeografikë? 


Mund të them se pengesat më te mëdha i kam hasur vitet e fundit, këtu në Zvicër. Normalisht do të dukej absurde, pasi në një vend si Zvicra, ku mësimi i gjuhës amtare gëzon respektin dhe lehtësira institucionale, si dhe zë një vend të veçantë në rregulloret e Drejtorisë Arsimore, organizohen seminare trajnuese për mësuesit e të gjitha kombësive që jetojnë në këtë vend, jepet mundësia e shfrytëzimit të klasave si dhe çdo mjet ndihmës për zhvillimin normal të mësimit. Por pengesat nuk janë nga shteti Zviceran, por fatkeqësisht nga disa shqipfolës, pseudopatriotë, me të cilët për fat të mirë tani nuk kam lidhje të drejtpërdrejtë, por me hijet që ata kanë lënë. Për mua kështu do të mbeten, hije ose re të zeza. Atë që mund të them me bindje është se shumë më e respektuar jam ndjerë nga intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë grekë, sesa nga këta individë të cilët gjuhën shqipe e konsiderojnë monopol të tyre.

Aktualisht unë jap mësim në tri shkolla dhe nxënësit e mi janë nga të gjitha trevat shqiptare dhe i përkasin moshave të ndryshme nga 5-16 vjeç. Ata e flasin gjuhën shqipe në familje, por kanë sigurisht një fjalor të kufizuar. Ata vijnë me dëshirë edhe pse janë të ngarkuar me shumë aktivitete të tjera jashtëshkollore. Prindërit janë të interesuar që fëmijët e tyre të përvetësojnë gjuhën shqipe dhe kuptohet se pa shtysën e tyre, kjo gjë nuk realizohet. Vështirësi sigurisht që ka, në radhë të parë klasat nuk janë homogjene përsa i përket moshës, ashtu edhe në aspektin e njohjes së gjuhës. Librat që ne kemi në përdorim nuk i përgjigjen plotësisht kërkesave bashkëkohore, por megjithatë nga ana e Qendrës së Botimeve në Ministrinë e Diasporës së Shqipërisë po bëhet një përpjekje intensive për të pasuruar dhe përmirësuar gamën e teksteve, sigurisht në një bashkëpunim të ngushtë dhe me mësuesit e diasporës. Pikërisht me 14 Mars të këtij viti do të mbahet në Tiranë samiti i parë i mësueseve të Diasporës, i cili besoj se do të jetë një tjetër përpjekje e organizuar në shërbim të gjuhës amtare.



Dhjetëra shkolla të hapura gjatë këtij viti shkollor dëshmojnë interesimin e prindërve shqiptarë, të cilët dëshirojnë t’ua ruajnë gjuhën amtare fëmijëve të tyre. Në sa të tilla e keni ushtruar profesionin tuaj?


Është e vërtetë se qysh prej fillimit te vitit shkollor 2019/2020, në sajë të punës së palodhur të kolegëve të mi, janë hapur rreth 30 shkolla me mbi 500 nxënës. Këto shifra që, ndryshojnë nga dita në ditë, janë rezultat i një pune bindëse, informative dhe intensive me përkushtim, por mbi të gjitha rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë prindër-mësues. Çdo shkollë ka një këshill prindëror dhe për çdo informacion apo aktivitet komunikojmë dhe vendosim bashkarisht.



Mendoni se merita më e madhe është e prindërve apo e vetë nxënësve? Sa të zellshëm janë ata për të mësuar gjuhën shqipe? 


Secili ka meritën e vet, por padyshim prindit i takon të drejtojë fëmijën, që në rastin tonë është mësimi i gjuhës amtare. Jo vetëm në aspektin patriotik, por edhe atë praktik, tashmë është bërë evidente nevoja dhe rëndësia e njohjes së gjuhës shqipe tek fëmijët që lindin e rriten larg vendlindjes së prindërve. Fëmijët janë gjithmonë të zellshëm për të mësuar, mjafton që ne si mësues t’ua bëjmë sa më tërheqëse, sa më të dashur dhe të dobishme atë çka gjuha jonë na ofron pa kufinj.



Ç'emocion ndjeni teksa shikoni fëmijët të lexojnë dhe shkruajnë rrjedhshëm abetaren? Ju dhe kolegët tuaj, a e ndjeni veten misionarë? 


Besoj se ndihem njësoj si të gjithë kolegët e mi kur arrijnë rezultatet e synuara. Kur jam mes fëmijëve harroj gjithçka negative që na rrethon në jetën e përditshme. Të gjithë mësuesit janë misionarë, sepse vetë mësuesia është një mision, jo thjesht një profesion, siç ka thënë dhe Profesor Eqerem Çabej, ky mision bëhet akoma më i rëndësishëm dhe më i vështirë në diasporë.



Dihet që të jetuarit në emigrim nuk është e lehtë, sepse kjo sfidë shoqërohet me shumë vështirësi. Çfarë mesazhi do t'u dërgonit prindërve, të cilët jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, e kanë ndërtuar jashtë, për kushte jetese më të mira? 


Emigrimi e ka shoqëruar shqiptarin në shekuj dhe vështirësitë kanë qenë akoma më të mëdha se ato që ne po kalojmë, por duke iu referuar gjithmonë arbëreshëve, do të thosha se ata janë shembull frymëzimi për çdo shqiptar. Ata e ruajtën në shekuj gjuhën dhe traditën shqiptare, edhe pse pa asnjë mënyrë komunikimi me atdheun e tyre, ndërsa ne sot nuk na pengon asgjë ta bëjmë më së miri! 



(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor)


4,405 Lexime
4 vjet më parë