Qëndrimet e mësuesve ndaj arsimit gjithëpërfshirës: faktor favorizues apo pengues?
Qëndrimet e mësuesve ndaj gjithëpërfshirjes lidhen me kulturën e gjithëpërfshirjes. Qëndrimet pozitive mund të krijojnë një kulturë pozitive ndërsa qëndrimet negative mund të pengojnë zbatimin e gjithëpërfshirjes edhe në kushtet dhe mjediset më të mira të mundshme. Një shkrim nga studiuesja Rovena Dokollari.
Qëndrimet e mësuesve ndaj gjithëpërfshirjes mund të jenë të një rëndësie të veçantë kur bëhet fjalë për zbatimin në praktikë. Qëndrimet lidhen me kulturën e gjithëpërfshirjes. Qëndrimet pozitive të mësuesve mund të krijojnë një kulturë pozitive ndërsa qëndrimet negative mund të pengojnë zbatimin e gjithëpërfshirjes edhe në kushtet dhe mjediset më të mira të mundshme. Më poshtë jam ndalur në disa çështje, të cilat duhen gjeneruar sidomos tek mësuesit praktikantë, si:
Edukimi i mësuesve praktikantë para emërimit si mësues
Në përgjigje të rritjes së vëmendjes që po merr gjithëpërfshirja në mbarë botën, institucionet e arsimimit të mësuesve janë zhvendosur në pedagogjinë e trajnimit të mësuesve në përputhje me arsimin gjithëpërfshirës. Garantimi që mësuesit të përfitojnë kompetencat e duhura para emërimit në detyrë për të plotësuar nevojat në rritje të nxënësve të ndryshëm, ka qenë një përgjegjësi e madhe e shkollave të edukimit të mësuesve. Mësuesit kanë nevojë të kenë besim tek aftësitë e tyre, dhe të kenë njohuri dhe aftësi në arsimin gjithëpërfshirës për të përmbushur sfidat me të cilat ata hasen në klimën aktuale në shkollë. Edukimi i mësuesve para emërimit në detyrë duhet të shihet si fillim i rrugëtimit të gjatë drejt arsimit gjithëpërfshirës. Përgatitja e mësuesve për arsimin gjithëpërfshirës duhet të përfshijë strategji që synojnë transformimin e praktikave të mësuesve, të cilat ndikohen gjerësisht nga qëndrimet, besimet dhe vlerat e tyre.
Arsimi i mësuesit praktikant
Rritja e ndërgjegjësimit dhe ngritja e kapaciteteve të mësuesve në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës, duhet të motivohet nëpërmjet planifikimit të kualifikimeve dhe trajnimeve të mëtejshme për të gjithë mësuesit. Zhvillimi i një rrjeti aktiv formal për mësuesit, ku ata mund të shkëmbejnë përvoja dhe të ndajnë informacionin që konsiderohet i nevojshëm. Kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve të zakonshëm dhe ndihmës mësuesve që të punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe të ofrojnë mbështetje për zhvillimin e tyre. Në gjykimin tim duhet marrë parasysh shumë seriozisht krijimi i një diplome Masteri për këtë profil, edhe pse ky kurs nuk e zëvendëson nevojën që të gjithë mësuesit duhet të kenë një profil mësuesi gjithëpërfshirës, pavarësisht të qenit ndihmës apo kryesor. Kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve të zakonshëm dhe ndihmës mësuesve që të punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara do të ofronte mbështetje për zhvillimin e tyre.
Përvoja e mësimdhënies në detyrë
Mësuesit kanë ende mungesë informacioni në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës, ata përpiqen të marrin informacione nëpërmjet internetit, ndarjes informale të përvojave dhe mjeteve të tjera informale; për shumë prej tyre arsimi gjithëpërfshirës nuk ka qenë madje as kurs në studimet e tyre universitare. Mësuesit e zonave rurale përballen me më shumë sfida në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës: ekspertët psiko-socialë nuk shkojnë në këto shkolla, fëmijët me aftësi të kufizuara nuk kanë mundësi që të vendosen në një klasë të përshtatshme, prindërit janë më shumë skeptikë përsa i përket pranimit të vështirësive të fëmijëve të tyre dhe infrastruktura e shkollave nuk është e kënaqshme.
Në përgjithësi, mësuesit mbajnë qëndrime pozitive ndaj arsimit gjithëpërfshirës për çdo nxënës. Ata përqafojnë vlerat e tij dhe preferojnë diversitetin në vend të homogjenitetit. Kurrikula e Re Arsimore ka një qasje më shumë gjithëpërfshirëse, është me në qendër nxënësin dhe promovon mundësi të barabarta; megjithatë, nevojat për përfshirje duhet të integrohen në të gjitha disiplinat dhe të zbatohen në një mënyrë ekzakte.
Arsimimi i mësuesve para marrjes së detyrës dhe në detyrë
Mësuesit studentë vetëm sa duken sikur kanë kontakt me vendet e tyre të punës në të ardhmen gjatë praktikave të tyre të mësimdhënies. Perceptimet dhe njohuritë e mësuesve mbi arsimin gjithëpërfshirës dhe natyra e kualifikimeve e mësuesve ndryshon shumë pasi pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë njohuri mbi arsimin gjithëpërfshirës.
Studiuesja: Rovena Dokollari
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Rruga zyrtare që ndiqet për t’u bërë mësues, që nga nisja e studimeve deri te punësimi