PËRKRAHJE

Psikologia Genta Ruçi u drejtohet prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta: Ju mundeni!

Shumë prej prindërve të këtyre fëmijëve udhëhiqen nga një forcë e brendshme dhe një kurajo e jashtëzakonshme për të ecur përpara, për të qënë gjithmonë në koherencë me zhvillimin e fëmijës. Shumë të tjerë kanë nevojë për mbështetje, e këtu nuk bëhet fjalë për material mësimore. Ata duan të dëgjohen!

Fëmijët me nevoja të veçanta (NV) janë një temë e ndjeshme për familjen dhe shoqërinë tonë. Si fëmijët me NV ashtu edhe prindërit e tyre kanë nevojë për ndihmen e shoqërisë dhe institucioneve ku këta fëmijë do rriten dhe arsimohen. 


Në këto kohë ku fëmijëve po u mungojnë shumë nga aktivitetet e përditshme, mënyra më e mirë që mund tu gjendemi pranë, është kontakti me prindërit e tyre. Përmes komunikimit me prindërit mësimdhënia po vazhdon çdo ditë dhe në forma të ndryshme, po u dërgohen material, video, imazhe duke punuar çdo ditë e në mënyrë të vazhdueshme. Prindërit po luajnë role të shumta, si prind, mësues dhe terapist, ku përpjekjet dhe forca e tyre për të ndjekur dhe zbatuar udhëzimet janë për tu admiruar.


Duhet të kuptojmë që nuk është aspak e lehtë të përballesh me shumë ndryshime njëherësh, e sidomos kur flasim për fëmijë me të cilët është punuar fort në krijimin e një rutine. Fatmirësisht shumë prej prindërve të këtyre fëmijëve udhëhiqen nga një forcë e brendshme dhe një kurajo e jashtëzakonshme për të ecur përpara, për të qënë gjithmonë në koherencë me zhvillimin e fëmijës.


Shumë të tjerë kanë nevojë për mbështetje, e këtu nuk bëhet fjalë për material mësimore. Ata duan të dëgjohen, tu japin zë ndjesive dhe përjetimeve të tyre, duan të dëgjohen ngarkesat dhe problematikat që ata hasin. Këta prindër po luftojnë fort, luftojnë që në momentin që janë përballur me diagnozën e fëmijës, po luftojnë me emocionet e tyre, me pranimin e situatës, me zhvillimin e fëmijës, me përshtatjen në shoqëri, me rutinën që u duhet të ndjekin, e tani u duhet të luftojnë dhe me izolimin e fëmijëve  në shtëpi. 


Ndoshta nuk do mjaftonte një shkrim për tu treguar se u gjendemi pranë, se jemi krah tyre në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, por është një mënyrë për tu thënë që ata munden dhe që ne jemi kurdoherë për ta. 



 Prindër të dashur ju mundeni:

  • Sepse  udhëhiqeni nga një motiv shumë i fortë, “të qënit prind”.
  • Sepse zgjoheni me forcën e buzëqeshjes së çiltër që fëmija ju dhuron çdo ditë.
  • Sepse jeni forca e tyre për të ecur përpara në procesin e gjatë e të vështirë të të nxënit.
  • Sepse jeni dashuria dhe gëzimi që ata kanë nevojë.
  • Sepse jeni kurajo  dhe guximi ku ata mbështeten.
  • Sepse jeni ata që kuptoni dhe heshtjen e tyre.
  • Sepse jeni ata që mbështesni pasionet e tyre.
  • Sepse jeni pranë tyre në çdo progres dhe arritje.
  • Sepse jeni bashkëudhëtar në vështirësitë e tyre….. dhe sepse ata kanë nevojë për ju dhe për ne të gjithë.


Punoi: Msc Genta Ruçi


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,637 Lexime
4 vjet më parë