Pse nuk dakordohem për testimin e mësimdhënësve?
Sot shoqëria është në vazhdën e dinamikës së ndryshimeve të mëdha, ne mësimdhënësit ballafaqohemi në mënyra të ndryshme, duke e ditur se shkolla si një mjedis edukativo-arsimor është e lidhur ngusht me zhvillimet e shkencës e të teknologjisë
Jam krenare që mbaj mbi supet e personalitetit tim emrin “mësuese”. Që një dekadë e më shumë jam në procesin e mësimdhënies edhe pse është një proces kompleks e i vështirë, por mbi të gjitha të jep kënaqësi.
Sot shoqëria është në vazhdën e dinamikës së ndryshimeve të mëdha, ne mësimdhënësit ballafaqohemi në mënyra të ndryshme, duke e ditur se shkolla si një mjedis edukativo-arsimor është e lidhur ngusht me zhvillimet e shkencës dhe të teknologjisë, ndryshimet politiko-sociale e asaj ekonomike.
Përkundër të gjithave, ne prapë i sfidojmë, vazhdojmë punën tonë të përkushtuar ndaj nxënësve me qëllim që t’i përgatisim për shkathtësitë e shekullit 21.
Por kush të pyet për punën tonë se?
Vlerësimi i mësimdhënësve mund të bëhet në forma e mënyra të ndryshme e instrumente të tjera matëse për t’i evidentuar të metat dhe cilësinë e arsimit tonë në vend nga MASh-t, sepse po e them me plot sinqeritet se testimi nuk mund të jetë forma apo mënyra më e saktë për cilësinë e arsimit në vend, KURRË DHE KURRË, se është një vlerësim përmbledhës i viteve p.sh 30, 20, 15, 10, 5 e 1 vit përvojë pune që kanë mësimdhënësit, dhe si do t’i paraqesin në një copë letër të gjitha, ekziston mundësia 100% testime sukses, ndërsa puna në klasë as 30% e realizuar, apo edhe e kundërta mund të ndodhë në këtë lloj testimi dhe lind pyetja:
A do të mund t’i identifikoni mësimdhësit për:
- Menaxhim të mirë në klasë
- Motivim për mësimnxënie
- Bashkëpunimi nxënës-mësimdhënës, prindër-mësimdhënës dhe anasjelltas
- Kreativitetin brenda klasës
- Metodologjinë
- Klimën brenda klasës
- Zotërimin e interpretimit të informacionit tek nxënësit
- Artikulimin e fjalës tek mësimdhënësit dhe atij të nxënësit
- Intonacionin se si iu drejtohemi ne nxënësve
- Afërsinë, dashurinë se si e paraqesim tek fëmijët
Kushtet didaktike e ato fizike dhe shumë e shumë gjëra të tjera që përmes TESTIMIT nuk do të mund t’i kapin këto informacione MASh-T, por iu kisha lutur personalisht ministrit z. A. Bajramit bashkë me kabinetin e tij që të hartojnë ndonjë strategji tjetër për vlerësimin e përformancës së mësimdhënësve, apo..apo ta respektojnë UA të dalur vet nga ky institucion 14/2013 VLERËSIMI I PËRFOMANCËS SË MËSIMDHËNËSVE me 12-13 nene, të jenë më afër nesh, me hospitime, monitorime e vlerësimin e dosjeve tona, sepse ne kemi rezultate që u testuam nga profesorët tanë të UP-së për të qenë mësimdhënës, këtë e kemi përfunduar, tash ejani dhe na vizitoni në shkolla, monitoroni punën tonë nga afër, sepse çdo gjë që shihet e preket është më e besueshme dhe ju ftoj në klasën time, punoj në shkollë fshati, pa internet, pa kabinet të kompjuterëve, apo llaptop personal nga MA, pa fotokopje, pa letër A4, pa shkumësa me ngjyra, pa hamera e shumë e shumë gjëra të tjera elementare për ta zhvilluar mësimin, beso apo jo, të gjitha i siguroj vet, vetëm e vetëm që nxënësit të kenë sa më shumë rezultate të mëdha.
Jam kundër testimit të mësimdhënësve, por jam edhe kundër grevës, nuk duhet t’ua ndalim buzëqeshjen, gëzimin e 1 Shtatorit fëmijëve, sidomos atyre pëllumbave që për herë të parë ulen në bankat e shkollës, por le të fillojë ky vit i mbarë e me sukses të madh pa testime ndaj mësimdhënësve, por me hospitime e monitorime e forma të ndryshme nga MASh-t dhe DKA-at.
Me respekt mësuesja,
Sebahate Sopjani
SHF “Bajram Curri” PN Harilaq, Fushë Kosovë
Teste vlerësimi për klasën e parë
Teste përmbledhëse për klasën e parë, tremujori i parë
Model testimi në lëndën gjuha shqipe, klasa e 11