Promovimi i sjelljes pozitive të nxënësve në klasë
Marrëdhëniet mësues- nxënës luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e sjelljeve pozitive. Shkollat e përgjithshme po bëhen gjithnjë e më gjithëpërfshirëse por për çfarë kanë nevojë fëmijët?
Marrëdhëniet mësues- nxënës luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e sjelljeve pozitive. Ajo çfarë mësuesit thonë dhe bëjnë në orën e mësimit, gjuha e trupit, komunikimi verbal dhe pritshmëritë, ndikojnë në mënyrën sesi nxënësit i përgjigjen mësuesve. Parimet mbi të cilat bazohet promovimi i sjelljes pozitive në klasë përfshijnë: - pritshmëritë e mësuesve të jenë të qarta dhe të transmetuara si verbalisht ashtu edhe vizualisht, - shfaqja e habisë dhe jo e zemërimit nga ana e mësuesit nëse ajo cfarë u kërkohet nxënësve nuk përmbushet, - modelimi paraprak i sjelljes së pritshme, kërkesat të formulohen me fjali të thjeshta, të shkurtra dhe të qarta.
Nuk mund të kontrollohet gjithmonë sjellja e të tjerëve. Për rrjedhojë, mësuesit mund të ndikojnë dhe menaxhojnë sjelljen e nxënësve por jo detyrimisht ta kontrollojnë atë. Është e rëndësishme të gjendet ekuilibri ndërmjet kontrollit të klasës dhe të qënit miqësor dhe i afërt me nxënësit. Sigurisht, kjo kërkon kohë për tu zhvilluar. Dhe për sa kohë ekuilibri vendoset, nevojitet të vendoset besimi dhe një marrëdhënie pozitive në mënyrë që ndikimi te nxënësit të jetë domethënës.
Të gjitha sjelljet i shërbejnë një qëllimi të caktuar. P.sh qëllimi i sjelljes për nxënësit mund të jetë marrja e lavdërimeve, fitimi i vemendjes ose mënyra e prezantimit para shokëve dhe shoqeve.
Metodat më efektive të përdorura nga mësuesit për promovimin e sjelljeve pozitive bazohen gjërësisht në teorinë që sjelljet janë të mësuara, kështu që edhe sjellja pozitive mund të mësohet.
Gjithashtu, mbizotëron mendimi që sjellja është mjedisore (kontekstuale). Fëmijëve u mësohet të sillen në një mënyrë të caktuar në mjedisin e shkollës. Sjelljet e pranueshme përforcohen në një klimë shkolle pozitive dhe klasë mbështetëse.
Shkollat e përgjithshme po bëhen gjithnjë e më gjithëpërfshirëse duke marrë në konsideratë situatat ku bëjnë pjesë edhe fëmijët me sjellje sfiduese. Për çfarë kanë nevojë fëmijët?
Fëmijët kanë nevojë për mjedis të sigurtë. Klasa në të shumtën e rasteve mund të jetë i vetmi vend i qëndrueshëm në jetën e një fëmije i cili nuk ka përjetuar këtë siguri gjatë gjithë jetës së tij ose saj. Mësuesit modelojnë sjelljen pozitive të nxënësve duke i trajtuar ata me respekt dhe duke ndërtuar një marrëdhënie pozitive me ta. Vendosja dhe zbatimi i rregullave në klasë kërkon shumë përpjekje nga mësuesit dhe marrëveshje të vazhdueshme me nxënësit.
Fëmijët kanë nevojë për rutina. Në përgjithësi fëmijët reagojnë mirë ndaj rutinave. Fëmijët kanë prirje për të thyer kufinjtë e vendosur së jashtmi me qëllim testimin e limiteve të tyre.
Fëmijët kanë nevojë për rregulla. Vendosja e rregullave të qarta duke i diskutuar më vetë nxënësit. Nga pesë deri në shtatë rregulla janë më se të mjaftueshme për nxënësit në klasë. Preferohet që rregullat të kenë një formulim pozitiv më tepër sesa negativ p.sh: duart dhe këmbët mbajini për vete, - në vend të: - mos gjuaj dhe mos shty. Rregullat mund të mësohen edhe me anë të lojës me role duke u përforcuar nepërmjet shpërblimeve.
Vëmendja ndaj sjelljes pozitive, përforcon sjelljen pozitive. Shumë mësues mundohen ti kapin nxënësit kur ata sillen mirë, dhe ti shpërblejnë ata për sjelljen e mirë. Gordon, (1996) sugjeron për përdorimin e formave të mëposhtme të shpërblimit:
- Shpërblimi i sjelljes së përshtatshme sa më shpejt të jetë e mundur.
- Shpërblimet të jenë të shkurtra dhe të arritshme nga ana e nxënësve.
- Shpërblimet të jenë bashkëpunuese (nxënësit të inkurajohen të punojnë të gjithë se bashku për arritjen e një shpërblimi)
- Asnjëherë të mos hiqet një shpërblim.
- Të përdoret elementi i surprizës. ( p.sh duke i dhënë një shpërblim të dyfishtë njëkohësisht)
- Dhënia e udhëzimeve të qarta fëmijëve. Mësuesit japin shumë udhëzime brenda një ditë shkolle.
Fëmijët shpeshherë ngecin në një stuhi kërkesash. Në mënyrë që kërkesat e nxënësve të jenë më të efektshme sugjerohet që:
kërkesat të jepen pasi mësuesja ka fituar vemendjen.
të jenë të shkurtra të qarta dhe specifike.
të shprehen me terma positive.
t'i jepet kohë fëmijëve për ti përmbushur kërkesat.
Rëndësia e rregullimit emocional për të mbështetur sjelljen pozitive të fëmijëve
Rregullimi emocional përfshin dy elementë bazë: empatinë dhe udhëheqjen. Empatia emocionale përfshin njohjen, emërtimin dhe vlerësimin e emocioneve të një fëmije pavarësisht sjelljes që ai manifeston. Një pranim i tillë emocioneve të brendshme nga i rrituri krijon një mjedis përgjegjshmërie dhe sigurie që e ndihmon fëmijën të reagojë me më shumë përgjegjshmëri. Rrethana të caktuara mund të kërkojnë gjithashtu vendosjen e limiteve për sjelljen e përshtatshme dhe qartësimin e pasojave të mundshme, process i cili në vetvete përbën udhëheqjen: angazhimin së bashku me fëmijën për zgjidhjen e problemeve me qëllim mësimin e aftësisë së fëmijës për vetrregullim. – fëmija dhe i rrituri punojnë së bashku për të kërkuar zgjidhje për rregullimin e emocioneve dhe për të parandaluar sjellje të papërshtatshme.
Bibliografi
1. Rose, Janet, McGuire-Snieckus, R. et al., (2015). Emotion Coaching - a Strategy for Promoting Behavioural Self-Regulation in Children/young People in Schools: A Pilot Study. Vol.13. No.2.
2. Whitehouse, K. (2014). Teaching for promoting positive behavior.
3. Grey, P. (2002). Working with emotions: Responding to the challenge of difficult pupil behavior in schools.
(Dr. Senada DULI, Psikologe shkollore/organizacionale)
Prindër, kuptoni fëmijën tuaj dhe respektoni punën e mësuesit!
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?