Prindërit i drejtohen Portalit Shkollor: Si të sillemi me fëmijët tanë me ADHD?
Janë të shumtë prindërit që i drejtohen redaksisë së Portalit Shkollor për të mësuar se si duhet të sillen me fëmijët e tyre që vuajnë çrregullimin e vëmendjes ose të quajtur ndryshe ADHD. Psikologia Lorela Garuli shpjegon me detaje simptomat e këtij çrregullimi ndërsa ka dhënë edhe këshilla.
Disa ditë më parë, Portali Shkollor publikoi një intervistë me psikologen Lorela Garuli, lidhur me Mungesa e vëmendjes, problematikat dhe simptomat e ADHD-s (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD).
Të shumtë ishin prindërit që iu drejtuan redaksisë së Portalit Shkollor, me interesin e madh për të mësuar se si duhet të sillen me fëmijët e tyre që vuajnë çrregullimin e vëmendjes. Psikologia shpjegoi me detaje simptomat e këtij çrregullimi, sa i përhapur është dhe cilën moshë prek më shumë, duke u ndalur edhe tek disa këshilla për prindërit.
Pas rasteve specifike, redaksia e Portalit Shkollor kontaktoi me psikologen Garuli për tu fokusuar vetëm në fakstin: Si duhet të sillen prindërit që kanë fëmijë me ADHD?
Sipas psikologes, prindërit që kanë një fëmijë me çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet, kanë një rol dhe përgjegjësi direkte sa i përket ndihmës që duhet t’u japin fëmijëve të tyre. Në mënyrë konkrete, ata duhet të nxisin motivimin e fëmijëve, duke treguar njëkohësisht shumë durim me ta, si edhe duhet të vendosin rregulla të qarta, të kuptueshme dhe rutina të mirëpërcaktuara. Është thelbësore që mjedisi ku jeton dhe mëson fëmija të jetë shumë i organizuar, i pastër, i qetë dhe pa stimuj të panevojshëm.
Më tej, Garuli thotë se prindërit duhet ta ndihmojnë fëmijën me detyrat e shkollës, të përdorin materiale për të organizuar kohën (ora muri, ora me rërë apo pajisje të ngjashme), të përdorin një ditar ku të shënohen aktivitetet e përditshme të fëmijës, të mbështjellin kopertinat e librave të shkollës, fletoreve, dosjeve dhe materialeve të tjera, me ngjyra dhe formate të ndryshme, për ta ndihmuar fëmijën t’i dallojë më lehtë, të përdorin stenda/ tabela/ kartona muri në dhomën e fëmijës, ku shënohen oraret e aktiviteteve ditore, javore, mujore të fëmijës…
Lorela Garuli shton se në të tilla raste, kur prindi kupton që fëmija vuan çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet, duhet:
- Ta angazhojë atë me aktivitete fizike; sportet në skuadra janë një variant shumë i përshtatshëm;
- Të komunikojnë me një gjuhë të thjeshtë, qartë dhe shkurt;
- T’ia japin udhëzimet një nga një, me radhë, duke qenë se këta fëmijë kanë vështirësi të mbajnë mend shumë gjëra njëkohësisht;
- Të mos qortojë në mënyrë të vazhdueshme sjelljet e papërshtatshme të fëmijës; ato që nuk kanë shumë pasoja të rëndësishme, më mirë të neglizhohen;
- Të mos e qortojë në prani të të tjerëve, apo t’u tregojë atyre për “bëmat” e fëmijës (gjë të cilën fatkeqësisht prindërit e bëjnë shpesh);
- Të përforcohen sjelljet pozitive, përpjekjet dhe përparimi që bën fëmija, duke theksuar pikat e tij të forta;
- Si edhe të kenë një aleancë bashkëpunimi me shkollën dhe mësuesit.
Çfarë është çrregullimi i vëmendjes?
Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD) përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungesë vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të larta sesa fëmijët e tjerë të së njejtës moshë. Zakonisht këto vështirësi shfaqen përpara moshës 7-vjeçare. Problematikat e fëmijëve me ADHD bëhen shkak për shfaqjen e një sërë vështirësive në kontekstin familjar, shkollor, në marrëdhënie me prindërit, motrat/vëllezërit, shokët/shoqet e klasës, me mësuesit e me radhë. Simptomat dhe karakteristikat e ADHD ndahen në tre lloje: mungesa e vëmendjes, hiperaktiviteti dhe impulsiviteti.
(Portali Shkollor)
Stop bullizmit te të gjithë!
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Çfarë mund të bëjë shkolla për të parandaluar bullizmin?