Analizë dhe interpretim poezie

Planifikimi i orës së mësimit, tema: “Pazari i këpucarit”

Fatmir Fejziu, mësues në shkollën Mileniumi i Tretë, Kosovë; ka përgatitur planin mësimor për temën “Pazari i këpucarit”, në lëndën e letërsisë, klasa e 7-të.

Plani i orës mësimore

Fusha e kurrikulës / Lënda: Letërsi- Analizë dhe interpretim poezie /Gjuhë shqipe

Shkalla e kurrikulës 3 / Klasa VII

Tema: Pazari i këpucarit

Mjetet e punës: Libri Gjuha Shqipe 7, ALBAS fq.65-66).

Përdorimi i teknologjisë informative: film i shkurtër- My Shoes


Kontributi në kompetencat kryesore:

Kompetenca personale (individ i shëndoshë)

Kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit (komunikues efektiv)


Fjalët kyçe: Këpuca, gëzimi, loja, varfëria, aftësia, jeta


Rezultatet e të nxënit:

  • Diskutojnë për videon e prezantuar.
  • Analizojnë kuptimin e poezisë.
  • Interpretojnë kuptimin e parë dhe të figurshëm të poezisë
  • Argumentojnë gjuhën e tekstit

 

Kriteret e suksesit:

  • Trego se çfarë paraqet videoja e shkurtër.
  • Kupto poezinë dhe analizo tekstin.
  • Gjej kuptimin e parë dhe të figurshëm të poezisë.
  • Argumento gjuhën e tekstit.


Kthe poezinë në prozë.


Evokim (Pjesa hyrëse) - Shqyrtim i përbashkët - 10 min

Përmes projektorit shfaqet videoja e shkurtër My shoes. Nxënësit pasi shohin videon japin mendimet e tyre se si e kanë kuptuar videon duke e lidhur me realitetin jetësor dhe ndërkohë diskutojnë edhe për qëllimin e videos. Gjithashtu mësimdhënësi i lëndës shtron disa pyetje që lidhen me njësinë mësimore. Përmes videos pasqyrohet edhe qëllimi i orës dhe orientimi i nxënësve për fazën e realizimit me temën mësimore, poezinë “Pazari i Këpucarit” nga Visar Zhiti. Nxënësit, përmes videos dhe diskutimit nxiten dhe motivohen që në fazën tjetër të orës të jenë të vëmendshëm gjatë leximit dhe analizës së tekstit.

Realizim (Pjesa kryesore) - Ndërthurja - 20 min.

Formohen grupet e nxënësve prej 4 anëtarëve, pasi që edhe pjesa e kuptimit, interpretimit dhe gjuhës së tekstit përmban 8 detyra. Secili grup ka për detyrë që në bazë të tekstit, fillimisht përmes angazhimit individual dhe më pas grupor shqyrtojnë paqartësitë individuale, në mënyrë që gjatë prezantimit të japin përgjigje sa më të mira në detyrat e dhëna.

Reflektim (Pjesa përfundimtare) - Përshtatje teksti - 15 min.

Nxënësit pas punës në grupe, kthehen dhe punojnë individualisht duke përshtatur dhe kthyer poezinë në prozë duke pasur kujdes shenjat e pikësimit që përdoren në dialog (vizat, presjet etj.) duke shtuar fjalë të tjera dhe dukë dhënë më tepër hollësi. Kjo detyrë është tregues i realizimit të rezultateve të të nxënit dhe arritjeve të suksesit.

(Nga Fatmir Fejziu, mësues në shkollën Mileniumi i Tretë, Kosovë; Portali Shkollor)

9,253 Lexime
7 vjet më parë