Planifikimi i orës mësimore 90 minuta, lënda letërsi
Ky është një model ditari i realizuar sipas nismës “tri lëndë në gjashtë orë”. Ditari për klasën e njëmbëdhjetë është hartuar nga Safinas Boksi, mësuesja e letërsisë në gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër.
Planifikimi i orës mësimore 90 minuta
Fusha: Gjuha dhe komunikimi
Lënda: Letërsi
Shkalla: V
Klasa: XI
Mësuese: Safinas Boksi
Gjimnazi: "28 Nëntori" Shkodër
Ora I: Tema mësimore 1: Naim Frashëri. Jeta dhe vepra
Ora II: Tema mësimore 2: Analizë “Lulet e verës”
Situata e të nxënit: Bisedë mbi njohuritë që kanë nxënësit për Naim Frashërin
Situata e të nxënit: Interpretoj vargje nga vëllimi “Lulet e verës”
Rezultatet e të nxënit të kompetencave lëndore sipas temës së mësimit 1
- përshkruan momentet kryesore të jetës së Naim Frashërit, të cilat ndikuan në krijimtarinë e tij;
- veçon veprat kryesore të N. Frashërit;
- diskuton dhe vlerëson rëndësinë e krijimtarisë së Naimit në letërsinë Rilindjes;
- Evidenton veçoritë e romantizmit në veprat e autorit;
- përfshihet në diskutime duke dhënë kontributin e tij bën pyetje dhe përgjigjet në mënyrë të përgjegjshme.
Rezultatet e të nxënit të kompetencave lëndore sipas temës së mësimit 2
- dallon gjerësia e tematikës, thellësia e ndjenjës, bukuria e vargut në vëllimin Lulet e verës;
- dallon temën dhe motivet në vepër;
- analizon gjendjen emocionale që krijohet nga mjedisi,( koha, vendi, detajet fizike, situatat) apo rrethanat e një teksti;
- analizon kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore dhe sjelljes së njeriut
Fjalë kyçe:
• Naim frashëri
• Romantik
• Panteizmi
• “Lulet e verës”
• Patriotik
• Erotik
• filozofik
Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhë shqipe, Histori, Historia e kulturës shqipe, TIK-u.
Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve:
PNP-Stuhi mendimesh, Organizues grafik, Pema e mendjes, Diskutim.
Burimet dhe mjetet mësimore:
Teksti mësimor, skeda. tabela, videoprojektor, bllok
Zhvillimi i orës së mësimit
Pjesa e parë e orës (45 minuta)
Lidhja me njohuritë e mëparshme: Stuhi mendimesh
Mësimi fillon me kontrollin dhe diskutim e detyrave të shtëpisë. Më pas lexohen dhe diskutohen ato që nxënësit kanë lexuar për Naim Frashërin.
- Ç’dini për jetën dhe veprën e Naim Frashërit?
- Çfarë keni lexuar nga Naimi?
Ndërtimi i njohurive të reja: Organizues grafik
U kërkohet nxënësve të lexojnë tekstin dhe më pas ta përmbledhin atë duke ndërtuar organizues grafik.
Pjesa e dytë e orës (45 minuta)
Ndërtimi i njohurive të reja: Pema e mendjes
Mësuesi nis të flasë rreth vëllimit “Lulet e verës” Përmes ‘Pemës së mendjes’ bashkë me nxënësit ndërton diagramën e analizës së veprës Lulet e verës
Nxënësit shkruajnë diagramën në bllok dhe ilustrjonë me vargje nga motivet e vëllimit "Lulet e verës".
Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura: Diskutim
1. Cilët ishin faktorët kryesorë që ndikuan në formimin e Naim Frashërit si patriot, poet e mendimtar?
2. Pse Naim Frashëri konsiderohet si figura më përfaqësuese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Cili është kontributi i tij në çështjen kombëtare si dhe në letërsinë shqipe?
3. Naimi, si rilindës dhe njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, bëri një punë sistematike për zhvillimin dhe pasurimin e saj. Lexoni fjalët që ai shkruan në parathënien e Këngës së parë të Iliadës (përkthyer prej tij):
“Gjuha jonë duhetë shkruarë thjeshtë shqip, se fjalët e huaja e shëmtojnë shumë. Është’e gjërë gjuha jonë dhe’e bukurë shumë, ka fort fjalë të mira për të vënë në vent të fjalëve të huaja.”
a. Çfarë dëshmojnë këto fjalë dhe cila është rruga që sugjeron Naimi për zhvillimin e gjuhës shqipe?
b. Shprehni mendimin tuaj në lidhje me vlerësimin që i bëhet Naimit si “bilbil i gjuhës shqipe”.
1. Cilat janë tri çështjet themelore të krijimtarisë meditative-filozofike të Naimit në vëllimin Lulet e verës?
2. a. Ç’është Zoti për Naimin?
b. Ç’atribute i njeh poeti atij?
c. Shpjegoni kuptimin e panteizmit si thelb i filozofisë së Naim Frashërit.
3. Në ç’raporte vendosen jeta, vdekja dhe koha e shkuar në poezinë meditative-filozofike të Naimit?
4. Diskutoni për Naimin si poet i dashurisë, duke u ndalur në të veçantën e tij.
Vlerësimi:
Vlerësohen nxënësit për leximin aktiv të tekstit, për pyetjet dhe saktësinë e përgjigjeve rreth jetës dhe veprës së Naim Frashërit.
Vlerësohen për evidentimin e tematikës, motiveve, veçorive romantike të vëllimit Lulet e verës, për analizn e tekstit poetik, për saktësinë e përgjigjeve.
Detyrë shtëpie dhe punë e pavarur:
Ndaluni tek poemat Bagëti e bujqësia dhe Histori e Skënderbeut. Ku qëndron e veçanta e romantizmit të Naimit në secilën prej këtyre dy veprave?
Lexoni poezinë Fyelli
(Portali Shkollor)
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Rregullorja e shkollës
Gjeografi, teste përmbledhëse për periudhën e parë për klasën VI, VIII, X, XII