PLANIFIKIMI

Plani vjetor i punës për nxënësit e klasave të katërta që kanë vështirësi në të nxënë

Material pune për nxënësit e klasave të katërta që kanë vështirësi në të nxënë. Mësuesja Violeta Kuqi u vjen në ndihmë kolegëve duke përgatitur një plan vjetor me tri periudha, si dhe veprimtari praktike për leximin dhe shkrimin e gjuhës shqipe.

Disa karakteristika kyçe të nxënësve me vështirësi në mësim janë si më poshtë :

  • Inteligjencë normale ose më të lartë
  • Mospërputhje mes inteligjencës dhe performancës
  • Vonesa në arritje
  • Mungesë të vëmendjes ose tërheqje e vëmendjes me sende të tjera
  • Vështirësi në vetmotivim dhe me aktivitete personale

Ky plan ka për qëllim:

  1. Përmirësimin e aftësive për të lexuar.
  2. Kuptimin e asaj çfarë lexojnë.
  3. Rritjen e besimit të nxënësit.
  4. Nxitjen e motivimit për të lexuar dhe për të shkruar.
  5. Respektimin e shenjave të pikësimit në të shkruar.


Puna me këta nxënës kalon në disa faza

Në fazat e para duhet të punohet shumë për të krijuar një atmosferë emocionale pozitive, me qëllim që të ngjallë interesin për librat e për leximin në veçanti. Si nxitje, mund të përdoret dhe motivim në formë dhurate e cila jo doemos mund të jetë materiale.


Faza e parë:


Në këtë fazë qëllimi është që të përmirësohet saktësia në lexim. Për këtë, nxënësi duhet të lexojë më zë të lartë një pjesë deri në 10 rreshta, disa herë, deri sa t’a lexojë pa gabime. Duhet treguar kujdes që teksti të jetë me shkronja të një madhësie mbi mesataren. Nxënësi duhet këshilluar që të lexojë ngadalë, pa u nxituar dhe saktë. Gjithashtu i duhet vënë detyrë që, nëse fjalët lexohen gabim, duhet t’i korrigjojë në moment. Ndërkohë që nxënësi lexon, mësuesi (ose prindi) duhet t’a ndjekë leximin e nxënësit dhe të mbaje shënim gabimet. Pas leximit, nxënësi duhet të rikthehet të rilexojë saktë fjalët që kishte vështirësi. Nxënësi duhet të lavdërohet dhe inkurajohet për çdo përpjekje që bën.


Faza e dytë:


Është rritja e shpejtësisë së leximit. Nxënësi do të lexojë 2 herë një pjesë prej 10 rreshtash duke i matur kohën e leximit. Qëllimi është që, herën e dytë, nxënësi të lexojë më shpejt se herën e parë dhe t’i vihet në dukje kjo arritje.


Faza e tretë:


Kombinimi i leximit të saktë me lexim të shpejtë. Udhëzimet janë si në dy fazat e mëparshme.


Faza e katërt:


Rritja e vetëbesimit. Në këtë fazë mund të punohet me çifte nxënësish. Zakonisht vihen bashkë nxënës të ngjashëm për sa i përket shkallës së leximit. Nxënësit lexojnë dhe korrigjojnë njëri-tjetrin. Nxënësit duhet të jenë të vëmendshme për ta kapur gabimet e tjetrit.


Faza e pestë:


Në këta fazë bëhen lexime në grup duke zhvilluar lojëra. Si p.sh: të lexohen vetëm fjalët që përmbajnë shkronjën A, të lexohen fjalët që tregojnë sende, të gjejnë një fjalë dhe të thonë fjalën me kuptim të kundërt apo të përafërt etj. Në këtë faze, duhet që nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje më përmbajtjen apo personazhet. Kjo gjë thellon të kuptuarit e pjesës. Në këta fazë, nxënësi mund të incizojë veten duke lexuar një pjesë disa herë, me qëllim përmirësimin e leximit, pasi të dëgjojë veten.


Gjatë të gjitha fazave, mësuesi duhet të mbajë kontakt më prindërit, që t’iu raportohet ecuria, apo për të bashkëpunuar me detyrat dhe qëllimet e secilës fazë.

Gjatë fazës së fundit nxënësi lihet të zgjedhë një libër jashtë klase dhe ta lexojë me qëllim që të tregojë në klasë pjesë nga përmbajtja e tij.

Nëse këto faza kalohen më sukses, nxënësit fillojnë të ndiejnë kënaqësi, fitojnë vetëbesim dhe arrijnë të lexojnë sipas standardeve.

(Përgatiti Violeta Kuqi, Portali Shkollor) 

10,223 Lexime
4 vjet më parë