Kodi i etikës së mësuesit

Përkushtimi ndaj nxënësit dhe procesit të të nxënit

Mjedisi arsimor, në harmoni me atë komunitar, mund të jenë faktorë mbështetës dhe motivues të të nxënit vetëm nëse kanë në themel vlerat e parimet, të cilat ato synojnë dhe përpiqen t’i rrënjosin

Shkolla dhe profesioni i mësuesit kërkojnë që mësuesi, në vendimmarrjet e tij profesionale në ushtrimin e profesionit, të ketë përparësi cilësinë e të nxënit, mirëqënien dhe sigurinë e nxënësit.


Zbatimi i sjelljeve që burojnë nga parimet e mëposhtme krijon modelin e mësuesit që vlerëson si parësor interesin më të mirë të nxënësit dhe të të nxënit të tij.


Mësuesi i përkushtohet të gjithë nxënësve njëlloj dhe ushqen potencialin qytetar, shoqëror, intelektual, emocional dhe fizik të tyre.


Mësuesi beson në suksesin e çdo nxënësi dhe siguron kushtet e të nxënit për të gjithë. Mësuesi nxit dhe motivon të gjithë nxënësit për zhvillimin e plotë të potencialit të tyre intelektual, fizik, emocional, shoqëror e qytetar.


Mësuesi njeh, kupton parimet e vlerësimit dhe i zbaton ato saktësisht, në mënyrë të ndershme, të paanshme e jo diskriminuese në praktikën e tij profesionale.


Mësuesi vlerëson nxënësit në bazë të kritereve të pranuara të vlerësimit dhe regjistron e raporton rregullisht te të interesuarit (nxënësit, prindërit, shkollën etj) për arritjet dhe progresin e tyre.


Mësuesi përpiqet të ofrojë më të mirën e mundshme profesionale për nxënësit e tij dhe pranon kontributin e tyre në procesin e krijimit dhe të përvetësimit të njohurive.


Mësuesi i ndihmon nxënësit të vlerësojnë identitetin  tyre, të mësojnë më shumë rreth trashëgimisë së tyre kulturore dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre qytetare dhe shoqërore.


Mësuesi trajton të gjithë nxënësit në mënyrë të barabartë dhe me respekt, në përputhje me ligjin, me dinjitetin dhe vlerat e tyre të brendshme.


Mësuesi lufton sjelljet dhe praktikat e pandershme, korruptive e të paligjshme që bien ndesh me këtë kod dhe angazhohet për standarde të larta etike në marrëdhënie me nxënësit.


Mësuesi është model i sjelljes dhe i zgjidhjeve paqësore në marrëdhëniet me nxënësit dhe të gjithë të tjerët. Mësuesi njeh të gjitha format e mundshme të dhunës (fizike, psikologjike, etj.) ndaj nxënësve, brenda dhe jashtë mjedisit arsimor, dhe i shmang e i lufton ato së bashku me nxënësit.


Mësuesi njeh, kupton dhe zbaton parimet e përgjithshme të Konventës së të drejtave të fëmijës, në mënyrë të veçantë, parimin e interesit parësor të fëmijës dhe atë të trajtimit të barabartë të tij.


Mësuesi trajton me respekt dhe mirëbesim çdo informacion personal dhe të ndjeshëm për nxënësin dhe nuk e bën atë publik, nëse një gjë e tillë nuk i kërkohet nga ligji.


Mësuesi është i vetëdijshëm për kufijtë e tij profesionalë në marrëdhëniet me nxënësit dhe respekton ato në mjedisin arsimor.


(Portali Shkollor)

6,658 Lexime
7 vjet më parë