Libri i mësuesit

Orë model, lënda histori, klasa e X

Është një orë model e detajuar ku shpjegohet se si mësuesi mund të arrijë objektivat në orën e mësimit. Ky material do t’iu vijë në ndihmë mësuesve për të planifikuar orët e mësimit në këtë lëndë.

Fusha: Shoqëria dhe Mjedisi 

Lënda: Histori 10 

Shkalla:

Klasa: 10

Tematika: V - Periudha e tronditjeve të mëdha (1914- 1945)

Tema mësimore: Fillimet e krizave të shek. XX. Lufta e Parë Botërore

Situata e të nxënit

Reflektim i nxënësve: Nxënësit paraprakisht janë udhëzuar të sjellin në klasë foto me pamje nga Lufta e parë Botërore; diskutojnë mbi fotot duke bërë një panoramë të zhvillimit të kësaj lufte.


Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe: 

Nxënësi/ja: 

1. zhvillon dhe vlerëson ngjarjen historike duke përdorur disa prej burimeve historike dhe të informacionit; 

2. argumenton vlerat e trashëgimisë historike duke vlerësuar këtë trashëgimi si pjesë të identitetit të një populli;

3. përcakton lidhjet shkak- pasojë ndërmjet ngjarjeve;

4. përdor konceptet kryesore që lidhen me ngjarjen historike.


Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave të fushës sipas temës mësimore: 

Nxënësi/-ja: 

• përcakton shkaqet e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore;

• argumenton arsyet pse fitoi Blloku i Antantës;

• gjykon mbi rolin e SHBA-së në Luftën e Parë Botërore.


Burimet: teksti ‘’Historia botërore dhe qytetërimi” V11.(Karl Grimberg)

Fjalë kyç: Antanta; Aleanca Trepalëshe; Princi Franc Ferdinand; plani Shlifen; beteja e Verdunit.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Gjuhët dhe komunikimi, Gjeografi; Sociologji, TIK.


Organizimi i orës së mësimit 

Parashikimi: Përvijim i të menduarit

Mësuesi bën një paraqitje të shkurtër të temës dhe njëkohësisht nxënësit diskutojnë mbi rrethanat e situatat konfliktuale mes shteteve europiane që nxitën krijimin e aleancave mes tyre. Pas diskutimit, nxënësit ndahen në grupe e ju lihet të lexojnë pjesën e tekstit “Shkaqet e Luftës së Parë Botërore”. Nxënësit në bashkëpunim me njëri – tjetrin mbajnë shënimet përkatëse. Në përfundim të leximit të pjesës, nxënësit diskutojnë mbi shkaqet e fillimit të Luftës së Parë Botërore duke përcaktuar: 


Lufta e Parë Botërore: 

- Krijimi i blloqeve politiko-ushtarake(Antanta-Blloku qendror)

- Fryma e nacionalizmit të skajshëm e imperializmit

- Preteksti - Vrasja e princit austriak Franc Ferdinant në Sarajevë


Përfundime të cilat mësuesja i shënon në dërrasë të zezë.

b. Ndërtimi i njohurive: Rrjeti i diskutimit 

Nxënësit udhëzohen të lexojnë pjesën “Përgatitja për luftë e plani gjerman i luftës”e caktohen për të punuar në dyshe. 

Pyetja: - Argumentoni se cilat ishin përparësitë dhe mospërparësitë e secilit bllok ushtarak? 

Pasi nxirren përparësitë e mospërparësitë e secilit bllok nxënësit japin idetë e tyre të diskutuara më parë me njëri- tjetrin duke pranuar vërejtjet apo sugjerimet e të tjerëve. Diskutohet për të arritur në një përfundim të përbashkët. Përfundimet shënohen në dërrasë nga mësuesi.


Antanta

Përparësitë: a)Zotëronte burime të mëdha ekonomike e detet: b)Kishte epërsi numerike në raport me kundërshtarin. 

Mospërparësitë: a) Nuk ishte e përgatitur ushtarakisht sa kundërshtari; b) nuk siguronte dot një mobilizim të menjëhershëm. 


Blloku Qendror 

Përparësitë: a) Kjo aleancë kishte një ushtri të fuqishme të armatosur të aftë e me përvojë; b)Sulmi i befasishëm 

Mospërparësitë: Mungesa e aftësisë për të përballuar luftën për një kohë të gjatë.


Përforcimi i njohurive: Shkrim i lirë 

Gjatë përforcimit nxënësit reflektojnë mbi idetë e tyre. Mësuesi shkruan në dërrasë çështjen rreth së cilës nxënësit në grupe do të japin idetë e tyre me shkrim të lirë. 

- Cili ishte roli i SHBA në Luftën e Parë Botërore e çfarë ndikimi pati hyrja e SHBA në anën e bllokut të Antantës?

Grupet e nxënësve diskutojnë e ndajnë idetë e tyre me njëri-tjetrin. 


Vlerësimi 

Nxënësit vlerësohen për punën e realizuar në grup,argumentimit të pyetjeve, strategjitë e të menduarit e të shprehurit në bazë të pjesëmarrjes së tyre në orë të mësimit. 


Detyrat dhe puna e pavarur. Bëni një ese me temë “Lufta e Madhe”.


Ky material u shkëput nga libri i mësuesit Histori 10, botimet Albas. Ju mund ta shkarkoni librin e mësuesit duke klikuar këtu


(Portali Shkollor)

9,999 Lexime
6 vjet më parë