Orë model, filozofi XI
“Gjendja natyrore dhe kontrata shoqërore sipas Hobsit” kjo temë mësimore është planifikuar nga mësuesja e filozofisë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet Mirela Katundi, sipas nismës “tri lëndë në gjashtë orë”.
Fusha: Shoqëria dhe mjedisi
Lënda: Filozofi
Shkalla: V
Klasa: XI
Mësuese: Mirela Katundi
Gjimnazi "P. N. Luarasi" Tiranë
Tema mësimore 1: Gjendja natyrore dhe kontrata shoqërore sipas Hobsit
Tema mesimore 2: Komunikojme ide filozofike dhe politike te Lokut dhe Hobsit
Situata për diskutim:
Mësuesi/ja dhe nxënësit lexojnë së bashku fragmentin e zgjedhur në tekstin mësimor, nga vepra Leviatani, e T. Hobsit.
Nxënësit, diskutojnë rolin e ri të filozofisë politike të Hobsit, në këtë periudhë.
Kompetencat e të nxënit: Nxënësi/ja në fund të orës mësimore:
▪ Shpjegon teorinë e Hobsit, në lidhje me lindjen e shtetit dhe funksionet e tij.
▪ Analizon rolin e kësaj teorie, në kushtet kur u krijua.
▪ Vlerëson meritën e Hobsit në fushën e politikës.
▪ Mban qëndrim për konkretizimin e saj, në shoqëritë e sotme demokratike.
Fjalori me terma/koncepte të reja: Sovranitet - e drejta që gëzon çdo popull dhe çdo shtet, për të vendosur në mënyrë të pavarur për çështjet e veta, pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhëri ose kontrolli nga forca të tjera.
Asamble – mbledhje e përfaqësuesve të zgjedhur të një vendi. Ajo është organi më i lartë ligjvënës, që ka të drejtë të diskutojë dhe të vendosë për çështjet më të rëndësishme, si dhe të kontrollojë organet e zgjedhura prej saj.
Burimet e informacionit: Teksti mësimor, filozofia e-book, teksti i historisë, sociologjia, enciklopedi, fjalor filozofik, interneti etj.
Lidhja ndërlëndore e temës:
Nxënësit diskutojnë, duke përdorur njohuritë e marra nga lëndë shoqërore, si historia, sociologjia, qytetaria, etj., si dhe nga burime të tjera informacioni, për lindjen e shtetit dhe funksionet e tij.
Përdorimi i tekstit të filozofisë online (e-book) dhe kërkimi i informacioneve të reja në Internet, rrisin shkallën e mendimit kritik, të pavarur dhe krijues të nxënësve.
Metodologjia e orës së mësimit
Metodat e përdorura:
▪ Marrëdhëniet pyetje-përgjigje
▪ Punë e pavarur në grupe
▪ Harta konceptuale
▪ Debat dhe dialog
▪ Rrjeti i diskutimit
▪ Përdorimi i materialeve në librin digjital (e-book)
▪ Ese
Organizimi i orës së mësimit
Hapi i parë: Pyetje-përgjigje, stuhi mendimesh, harta e konceptit. Koha - 10’
Mësuesi / ja dhe nxënësit, pas leximit në fillim të orës, të pjesës nga vepra e Hobsit, diskutojnë rreth mënyrës së re të konceptimit të filozofisë dhe politikës gjatë kësaj periudhe. Ata ndërtojnë së bashku hartën konceptuale, me tiparet kryesore të filozofisë politike të Hobsit.
Marrëveshje mes individëve Kontratë shoqërore
FILOZOFIA POLITIKE E HOBSIT
Krijimi i një shteti sovran Mbrojtje e paqes dhe të drejtave
Vendosim në bashkëbisedim me nxënësit numrat përbri rëndësisë së politikës. Respektojmë diversitetin dhe logjiken në diskutim.
Hapi i dytë: Punë në grupe, debat dhe dialog. Koha - 15’
Mësuesi/ja organizon klasën për punë në grupe. Qëllimi është vlerësimi i filozofisë së Hobsit, si konceptim i ri filozofik dhe politik i shtetit. Nxënësit ndahen në grupe.
Grupi I: Shpjegon mënyrën se si Hobsi paraqet lindjen e shtetit.
Grupi II: Diskutojnë tiparet dhe funksionet e shtetit ligjor, sipas Hobsit.
Grupi III: Përshkruajnë modelin e tyre, për formën më të mirë të qeverisjes së shtetit, sot, për mbrojtjen e të drejtave të individit.
Hapi i tretë: Rrjeti i diskutimeve, debat dhe dialog. Koha -10’
Nxënësit analizojnë ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në Europë, në shek. XVII, në fusha të ndryshme të dijes politike dhe filozofike. Mësuesi/ja, shpjegon rëndësinë e lindjes së teorive të reja, që shpjegonin shtetin dhe rolin e tij të rëndësishëm në funksionimin normal të shoqërisë.
Përforcimi i të nxënit: rrjeti i diskutimit, mbajtja e strukturuar e shënimeve. Koha - 10’
Nxënësit përforcojnë idetë kryesore të temës, për rolin që luajti Hobsi dhe teoria e tij mbi shtetin, në zhvillimet e mëpasme të shkencave politike dhe teorive filozofike.
Shfaqim në projektor “LEVIATHAN” i Hobsit dhe shteti në kohët moderne. Në figurën e përbindëshit cilët lloj udhëheqësish historike mund të vendosim? Cili është tipari i tyre i përbashket? 15 minuta diskutim me nxënësit.
Vlerësimi i nxënësve: Vlerësimi formues i nxënësve: duke patur parasysh shkallën e pjesëmarrjes gjatë orës, nivelin e arsyetimit dhe frymën kritike, argumentat pro dhe kundër.
Vlerësim anë të portofolit: Detyra me shkrim.
Detyra: Shprehni me shkrim, në formën e esesë, temën: “Në gjendjen natyrore njerëzit jetojnë me frikën e përhershme ndaj njeri-tjetrit, ose “luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”. Ligji natyror që i drejton është lufta për mbijetesë.
Për të krahasuar idetë filozofike të HOBSIT DHE LOKUT në lidhje me moralin dhe shtetin:
Organizimi i pjesës së dytë të orës mësimore.
Hapi i parë: Pyetje-përgjigje, rrjeti i diskutimit, harta konceptuale - 10’
Mësuesi/ja ndërton kete pjesë të orës së mësimit, duke u bazuar në njohuritë e marra në temat paraardhëse dhe informacionin e nxënësve, lidhur me filozofët më të shquar që u trajtuan. Ai/ajo, shënon në tabelë emrat e filozofëve dhe në formën e një harte koncepti idetë e tyre më kryesore:
Nxënësit diskutojnë konceptin për shtetin të dy filozofëve duke argumentuar të përbashkëtat dhe ndryshimet midis tyre.
Hapi i dytë: Punë në grupe - 15’.
Klasa ndahet në grupe, të vendosur sipas bangave apo sipas dëshirës. Secili grup nxënësish plotëson me shkrim, emrin e njërit filozof dhe idetë e tij më të rëndësishme, p.sh.:
Emri i filozofit | Idetë filozofike |
---|---|
Hobsi | ……………….. |
Hapi i tretë: Debat-dialog, 10’. Mësuesi/ja, drejton debatin konstruktiv mes nxënësve, lidhur me idetë më të pranueshme të filozofëve të kësaj periudhe, në përputhje me moralin e kohës, në të cilën jetojmë.
Loje me role: Një nxënës në rolin e një pushtetari flet me qytetarët që përfaqësohen nga nxënësit e tjerë të klasës. Një grup me tre nxënës dëgjon me vëmendje debatin dhe në fund përcakton si flet ai që do të mbrojë pushtetin dhe si flasin njerëzit e thjeshtë në shoqëri.
A ndodh ky fenomen në shoqërinë tonë? Cilat janë shkaqet?
AKTUALITET POLITIK:
Nisur nga idetë e Hobsit dhe vepra e tij, nxënësit duke u lidhur edhe me njohuritë e tyre nga historia, sjellin shembuj të figurave historike që kanë sjellë dhune në shoqëri.
A mendojnë se pasi merr pushtetin nga qytetarët “sovrani” kthehet në përbindësh ndaj tyre? Shtetet sociale në botën ku jetojmë sot, a e përdorin dhunën në qeverisjen e njerëzve?
A heqim vërtet dorë nga e drejta jonë natyrore kur ja japim pushtetin dikujt?
Përforcimi i të nxënit: Rrjeti i diskutimit, mbajtja e strukturuar e shënimeve -10’
Nxënësit përforcojnë idetë kryesore të linjës së pestë. Ata shënojnë në fletoren e tyre pikat kyçe të kapitullit. Mësuesi/ja, konkludon orën e mësimit, duke vlerësuar kontributin e filozofisë së shek. XVII në njohjen e botës dhe zhvillimin e dijes njerëzore.
Vlerësimi i nxënësve: Vlerësimi formues i nxënësve: duke patur parasysh shkallën e pjesëmarrjes gjatë orës, nivelin e arsyetimit dhe lidhjen mes koncepteve të mësuara.
Vlerësimi i nxënësve përfshin: Njohuritë filozofike; fjalorin e pasur në diskutime, debatin qytetar, argumentimin e ideve, mendimin kritik ndaj të tjerëve.
(Portali Shkollor)
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Rregullorja e shkollës
Testime dhe detyra përmbledhëse për Arsimin Fillor, viti shkollor 2023-2024