PIKSEL ART

Një urim, nëpërmjet kodimit në art

Këtë dhjetor, Viti i Ri, trokiti ndryshe në lëndën e artit pamor. Urimet njëri-tjetrit dhe zbukurimet e klasës dhe të shkollës, i realizuam në një mënyrë të re, nëpërmjet kodimit me piksel art.

Tendencat në fushën e edukimit vijnë e shkojnë me shpejtësi të madhe. Sa herë që diçka e re shfaqet, shpesh na ndodh të pyesim veten, nëse është e vlefshme dhe na duhet të vendosim se kujt t’i japim më tepër prioritet. Kjo është edhe ajo që ndodhi mua kur fillova të dëgjoj për herë të parë fjalën “kodim”. Ishin dy koleget e mia, mësueset e informatikës, Rovena Hoxha dhe Matilda Hoxha, ato që nxitën tek unë kuriozitetin, duke më dhënë shtysë në këtë drejtim. Ato bashkëpunuan deri në fund, që gjithçka të finalizohej me sukses. Çdo ditë, unë mundohem të krijoj, eksploroj dhe zbuloj eksperienca domethënëse, të cilat marrin shkas nga bota rreth nesh dhe shkojnë përtej kornizave të artit pamor. Në fund të fundit, kjo është mënyra se si bota funksionon me gjithë kompleksitetin e saj dhe për këtë arsye, është shumë e rëndësishme, që për nxënësit të krijohen situata kuptimplota, duke integruar teknologjinë, inovacionin dhe kreativitetin. 


Ç’është kodimi dhe si lidhet ai me artin? 

Kodimi është një sërë veprimesh të njëpasnjëshme, që i jepen kompjuterit dhe ai i vë në zbatim, duke i ndjekur hap pas hapi. Kompjuterat, nuk janë edhe “aq” inteligjentë, ata thjesht u binden komandave tona dhe për aq kohë sa ne saktësisht u themi se çfarë duhet të bëjnë, ata e bëjnë. Shkencat kompjuterike mund të ndërthuren me të gjitha fushat e edukimit. Në thelb të kodimit dhe të bërit art, shtrihen të njëjtat aftësi: zgjidhja problemore dhe dizajni. Edhe nëse në shkollën tuaj nuk keni shumë akses në teknologji, nxënësit mund t’i mësojnë konceptet dhe aftësitë e kodimit edhe pa kompjuter, ashtu si nëpërmjet kodimit me piksel art. Sot, në një kohë kur gjithmonë e më shumë shkollat janë duke u fokusuar në edukimin STEAM (qasje e të mësuarit, që përdor Shkencën, Teknologjinë, Inxhinierinë, Artet dhe Matematikën si pikënisje për orientimin e nxënësve drejt kërkimit, dialogut dhe mendimit kritik), kodimi mund të shërbejë si një hap në këtë drejtim, në lëndën e artit pamor. Në këtë mënyrë ne lidhim ngushtësisht nxënësit me botën, duke i ofruar mundësi të reja të të parit dhe të kuptuarit.

(Klevi Pove, mesuese e artit pamor, shkolla "Flatrat e dijes", Fier; Portali Shkollor)

4,506 Lexime
6 vjet më parë