"Tri lëndë në gjashtë orë"

Nisma, plani dhe ditari i lëndës gjeografi VIII

Materiali në vijim është përgatitur nga Enkeleda Sinjari. Në brendësi do të gjeni orë model, planifikimi i tremujorit të dytë dhe disa analiza të shkurtra që tregojnë më shumë për nismën e MASR “Tri lëndë në gjashtë orë”.

Orë mësimore e zhvilluar si një e tërë - 90 minuta

Fusha: Shoqëria dhe Mjedisi

Lënda: Gjeografi 

Shkalla: IV

Klasa: VIII

Tema mësimore:

1. Amerika Veriore - Vështrim i përgjithshëm

2. Amerika Veriore - Popullsia dhe ekonomia

Situata e të nxënit: Paraqit me shkrim ose me gojë njohuritë që ke për pikat turistike më të vizituara të Amerikës Veriore.

Amerika Veriore quhet shpesh edhe “Vendi i Imigrantëve”. Çfarë mund të thuash më tepër në lidhje me këtë emërtim? Pyetje të tjera mund të jenë:

- Kur dhe pse kanë shkuar shqiptarët në Amerikën e Veriut?

- Cilat janë disa nga prodhimet me të mira të industrisë amerikane?


Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

Nxënësi:

Tregon në hartë veçoritë e pozitës gjeografike dhe të hartës politike të Amerikës Veriore Anglosaksone.

• Përshkruan karakteristikat gjeografike të relievit e të hidrografisë.

• Përshkruan tiparet kryesore të klimës e të mjediseve jetësore.

• Plotëson hartën politike të Amerikës Veriore-Anglosaksone.

• Përshkruan tiparet e popullsisë e të qendrave të banuara.

• Shpjegon si është formuar shoqëria shumë kulturore në Amerikën Veriore.

• Rendit prodhimet kryesore të industrisë e të bujqësisë.

• Shpjegon arsyet e zhvillimit të lartë ekonomik të Rajonit


Fjalët kyçe: Amerika Anglosakson, Latin, Hartë politike, demografike, ekonomike, Pasuri ujore, Imigrantë, Popullsi vendase, Shpërndarje e popullsisë, Veprimtari ekonomike.

Burimet: Harta fizike e Amerikës Veriore, atlase, globe shkollore, pamje me ngjyra etj. harta skicë

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: Historia, biologjia, qytetari


Metodologjia, teknikat e përdorura, veprimtaritë e nxënësve.

a. Faza e parë – 15 minuta

Shkrim i lire dhe diskutim

• Udhëzo nxënësit/et të shkruajnë ato që dinë për pikat turistike më të vizituara të Amerikës Veriore.

b) Kërkoj leximin, sipas një radhe të caktuar, të këtyre shkrimeve duke u përpjekur që komentet për to të jenë të shkurtra se koha është e kufizuar.

c) Zhvilloj një bisedë të lirë rreth vlerave që kanë vendet dhe objektet turistike, për të cilat nxënësit kanë marrë informacione nga TIK, duke i nxitur nëpërmjet pamjeve me ngjyra, të dhëna statistikore etj.

d)Amerika Veriore quhet shpesh edhe “Vendi i Imigrantëve”. Çfarë mund të thuash më tepër në lidhje me këtë emërtim? Pyetje të tjera mund të jenë:

- Kur dhe pse kanë shkuar shqiptarët në Amerikën e Veriut?

- Cilat janë disa nga prodhimet me të mira të industrisë amerikane? Etj.


b. Faza e dytë - 40 minuta- grupi i ekspertëve

A. Organizoj punën e pavarur të nxënësve në grupe sipas bankave. Formoj grupe me numër anëtarësh sa janë edhe çështjet e temës në libër. Jap udhëzime për mënyrën se si do të punohet duke porositur të lexohen me radhë të gjitha çështjet nga ҫdo nxënës/e, si dhe të mbahen shënime të shkurtra. Leximi do të realizohet me ndalesa në përfundim të çështjeve dhe, çka është shumë e rëndësishme, me vëzhgimin e hollësishëm të hartave të shfaqura me video-projektor të hartës politike, fizike, hidrografisë, klimës dhe mjediseve jetësore, popullsisë dhe ekonomisë së Amerikës Veriore, hartave të atlasit, figurave të librit, ose të pamjeve të tjera të ngjashme që nxënësit kanë sjellë në klasë.

• Pozita gjeografike dhe harta politike

• Veçoritë natyrore

• Hidrografia, Klima dhe mjediset jetësore

• Popullsia dhe vendbanimet në Amerikën Veriore

• Veprimtaritë ekonomike


Një nga anëtarët e ҫdo grupi që luan rolin e mësuesit ka detyrë:

a. Të shpjegojë brendinë e ҫështjes së lexuar;

b. Të sqarojë pyetjet e mundshme nga anëtarët e tjerë;

c. Të formulojë pyetje të shkurtra për shoqet dhe shokët e grupit.


Përqendrohem më tepër në përshkrimin dhe lokalizimin në hartë të:

• Pozitës e përbërjes vetëm nga dy shtete të Amerikës V: Kanadaja dhe ShBA,

• Pesë rajoneve të mëdha fiziko-gjeografike,

• Pasurive të shumta ujore dhe rëndësinë e tyre,

• Klimave të zonës së ftohtë: polare e subpolare dhe klimat e zonës mesatare: kontinentale, subtropikale, mesdhetare e tropikale.

• Shpërndarja e popullsisë në territorin e Amerikës Veriore

• Kuptimi dhe vlerat e shoqërisë shumëkulturore

• Degët më të zhvilluara të industrisë etj.


Diskutohet me nxënësit pyetjet e rubrikës: Mendon në mënyrë kritike


c. Faza e tretë -35 minuta- veprimtari praktike

1. Organizoj nxënësit/et në grupe dhe secilit anëtar në grup iu jap një fletë pune për të ngjyrosur dhe përshkruar:

a. pozita gjeografike dhe harta politike

b. veçoritë natyrore

c. hidrografia

d. klima dhe mjediset jetësore

e. popullsia dhe vendbanimet ne Amerikën Veriore

f. veprimtaritë ekonomike


Pasi nxënësit punojnë në mënyrë individuale në fletët e tyre të punës, bashkojnë punët e tyre dhe i ekspozojnë në tabelën e zezë.


3. Udhëzoj grupet të lëvizin përreth dhe të shqyrtojnë fotografitë dhe pamjet, të mbajnë shënime, të bëjnë vërejtje dhe të diskutojnë ndërmjet tyre.


Vlerësimi dhe detyrat: Vlerëso nxënësit/et më të aktivizuar dhe, veçanërisht, ata/ato që kanë grumbulluar më tepër materiale figurative, statistikore etj.

Detyrat e dhëna për punë të pavarur: Krijo në formatin PowerPoint një prezantim të shkurtër Amerikës Veriore.

(Portali Shkollor)

11,539 Lexime
6 vjet më parë