Në shkollat e Tiranës nis programi për kontrollin e nxënësve për shëndetin oral dhe të syve
Shkollat e Tiranës janë institucionet e para arsimore ku janë hapur kabinetet e reja dentare dhe ka nisur kontrolli i shëndetit oral dhe i syve për fëmijët e moshës 6-14 vjeç.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ishin në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”, për të inspektuar laboratorin e ri dentar dhe për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme për kontrollin shëndetësor të fëmijëve. Veliaj tha se ky projekt do të shtrihet në të gjithë shkollat e kryeqytetit.
“Dua t’i nxis prindërit që të mos i lënë pas dore këto kontrolle për fëmijët e tyre, ta marrin seriozisht rekomandimin nëse duhet rregulluar një dhemb apo nëse duhet bërë një korrektim I syzeve për sytë. Plani është që të shkojmë në të gjitha shkollat, por për momentin e kemi nisur me një shkollë në qendër të qytetit, si shembull për të tjerat. Jam i sigurt nga ajo që pashë se nisma do të jetë një histori suksesi”, deklaroi Veliaj.
Ai nënvizoi se krahas ndërtimit të çerdheve, kopshteve dhe të shkollave, një vëmendje të veçantë i kushtohet edhe shëndetit të fëmijëve. Veliaj shtoi se, paralelisht me pajisjen me laboratorë mësimorë, shkollat e reja në kryeqytet po pajisen edhe me laboratorë dentarë.
Veliaj theksoi se edukimi shëndetësor që në moshë të vogël është një fillim i mirë për një shoqëri shumë herë më të shëndetshme në të ardhmen. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se nisja e dy programeve të reja, atij të kujdesit oral dhe kujdesit të syve, do i shërbejnë jo vetëm shëndetit të fëmijëve, por edhe edukimit të tyre shëndetësor.
“Kemi filluar një program shumë të rëndësishëm, i cili po shtrihet në 10 shkolla të Tiranës. Kemi organizuar një program pilot për kujdesin oral, duke vendosur në 10 shkolla 10 kabinete dentare, që do kujdesen për edukimin shëndetësor, për të gjitha ekzaminimet e nevojshme apo trajtimet për fëmijët, që kanë nevojë të kujdesen edhe më shumë. Ne e dimë shumë mirë që përmes kujdesit oral shmangim shumë sëmundje. Duke e pilotuar në Tiranë, duam që këtë model ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare përpara pak javësh, ka miratuar një tjetër program, programin e kujdesit të tyre”, tha Manastirliu.
Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
8 zgjedhjet më të mira për një mëngjes të shëndetshëm
Majlti i maresë, si prodhohet dhe cilat janë vetitë kurative
Ushqimi i shëndetshëm ndërton tru te shëndetshëm