Ne prindërit, "kallëpi" që fëmijët përdorin për model në jetë
Fundin e ditës mezi e shoh, madje më ngjason si ato ëndrrat ku ti vrapon e vrapon e këmbet kanë mbetur sërish në vend. Një maratonë përpjekjesh, mpleksur me përgjegjësi, orare, afate, nxitim, marrje fryme...
Fundin e ditës mezi e shoh, madje më ngjason si ato ëndrrat ku ti vrapon e vrapon e këmbet kanë mbetur sërish në vend. Një maratonë përpjekjesh, mpleksur me përgjegjësi, orare, afate, nxitim, marrje fryme, e sërish një buzëqeshje që pret "për tu veshur" prej teje. Audienca jote (ajo që ka rëndësi) nuk t’i ndan sytë një çast.
Ti je e lemerisur nga pamundësia e persosmërisë dhe mendja çartiset kontinente larg, ndërkohe që audienca jote pret përgjigje dhe buzagaz. Harrova, pret edhe puthje shtrydhëse. Në përpjekjet energjishteruese me kaosin dhe sfidat e çdo dite, audienca jote të vëzhgon pareshtur. Vëzhgon sytë, duart, veprimet dhe zemrën tënde... Ti kujton se mund t'ia hedhësh me marifetet e tua prej të rrituri, por sytë e sinqertë të audiencës të çarmatosin. Audienca jote është gjithmonë e vëmendshme, e gatshme për të thithur çdo sinjal që t’i lëshon në ajër dhe vetëm kur vetëdijësohemi për këtë fakt të pamohueshëm, kuptojmë rëndësinë e të qenit etalon.
Ne prindërit, jemi "kallëpi" që fëmijët përdorin për model në jetë. Edhe në momentet më të parëndësishme për ne, fëmijët (audienca) shikojnë dhe fotografojnë në kujtesën e tyre, qëndrimet dhe reagimet tona.
Prindërit shumëëëëëë herë e harrojnë faktin që jemi "nën vezhgim" pareshtur dhe se çfarë rëndësie ka jeta dhe tiparet e zemrës sonë. Audienca jonë nuk është e pamend, ajo është tejet inteligjente dhe intuitive. Ah edhe diçka, audienca dhe ne do të jemi së bashku një jetë të tërë, ndaj çdo hapi, çdo fjalë, çdo veprim e vendim duhen marrë me maturi dhe përgjegjshmëri që kur ne të mos jemi më aktorët kryesore, audienca të vazhdojë e sigurt udhëtimin e vet drejt përjetësisë.
(Edi Gogu; Portali Shkollor)
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Taktika konkrete se si të shmangim konfliktet në klasë, sugjeruar nga mësuesi Luan Stafasani
Kur fëmijët shqiptojnë keq fjalët