Motivimi dhe vlerësimi i nxënësve në punën me grupe
Politikat mbi punën në grup ende nuk janë të mirë- përcaktuara nga hulumtime të sakta empirike. Në veçanti, nuk është e përcaktuar se si mund të përmirësohet efektiviteti i punës së grupeve të klasës.
Tema: Puna në grup në klasë, motivimi e vlerësimi i nxënësve në punën me grupe
Përmbajtja:
1. Hyrje
2. Cfarë është puna në grup
3. Avantazhet dhe disavantazhet e punës në grup
4. Strategjitë e motivimit të nxënësve për të punuar në grup
5. Metodat e vlerësimit të nxënësve në punën në grup
1. Hyrja
Ekzistojnë tre kontekste kryesore për mënyrën e të mësuarit në klasë. Nxënësit mund të bashkëveprojnë me mësuesin, ata mund të punojnë në mënyrë individuale ose mund të punojnë me njëri-tjetrin. Ky projekt bazohet në pikëpamjen se ekziston një potencial i madh dhe i pashfrytëzuar në kontekstin e tretë. Politikat mbi punën në grup ende nuk janë të mirë- përcaktuara nga hulumtime të sakta empirike. Në veçanti, nuk është e përcaktuar se si mund të përmirësohet efektiviteti i punës së grupeve të klasës. Mënyrat sesi do të motivohen dhe se si do të bëhet vleresimi, paraqesin një sfidë më vete.
2. Çfarë është Puna në Grup
Puna në grup është me shumë se sa thjesht nxënësit e ulur në grupe. Nga puna në grup nënkuptojmë nxënësit që punojnë së bashku si një grup ose ekip. Ata mund të jenë duke punuar në një detyrë praktike, në një problem që kërkon një zgjidhje, ose duke diskutuar opinionet mbi një çështje të caktuar për të cilën, argumentat janë të fortë, por asnjë në të vërtetë nuk është më i drejtë se të tjerët. Puna në grup mund të përdoret në të gjitha fushat e kurrikulës dhe për shumë lloje të ndryshme detyrash. Mësuesi mund të jetë i përfshirë në fazat e ndryshme të punës, por veçoria e punës në grup është mbajtja e një bilanci të kontrollit të punës nga vetë nxënësit. Puna në grup i shfaq fëmijët si bashkëpunëtorë, jo vetëm si një nxënës që ndihmon një tjetër.
3. Avantazhet dhe disavantazhet e punës në grup
3.1 Avantazhet e punës në grup
• Nxënësit aftësohen të mbajnë përgjegjësi mbi mbarëvajtjen dhe rezultatin e punës. Gjithashtu, ata mbajnë mbi vete të qenit përgjegjës dhe të përgjegjshëm.
• Nxënësit zhvillojnë aftësi të komunikimit dhe të punës në grup. Puna në grup i ndihmon ata të mësojnë se si të punojnë me njerëz jashtë rrethit të tyre të miqve, duke përfshirë ata që kanë prejardhje dhe përvoja të ndryshme. Ata madje mund të mësojnë se si të punojnë me ata që nuk janë dakort dhe të tjerët që nuk mund të pëlqejnë ose duan si miq.
• Nxënësit punojnë së bashku dhe "mësojnë" njëri-tjetrin. Kjo përmirëson kuptueshmërinë përmes diskutimeve dhe shpjegimeve shtesë. Kur punon në një grup pune, secilit nxënës i jepet mundësia që të komunikojë me të tjerët brenda grupit. Çdo ide apo sugjerim, pavarësisht kush e jep, shqyrtohet dhe diskutohet plotësisht para se grupi të arrijë në një përfundim. Ka po ashtu dhe një shkëmbim korrekt të informacionit mbi atë që po bëhet. Kjo kontribuon shumë në suksesin e punës të dhënë. Ky mund të quhet “diskutimi në grup”.
• Puna mund të ndahet në pjesë. Kjo i lejon nxënësit të trajtojnë probleme dhe detyra më të mëdha dhe më komplekse sesa do të ishin në gjendje të bënin individualisht.
• Nxënësit mund të punojnë së bashku për të bashkuar njohuritë dhe aftësitë e tyre.
• Nxënësit mësojnë të planifikojnë dhe të menaxhojnë më me efektshmëri kohën e tyre.
• Mësuesit përfitojnë duke parë nxënësit të trajtojnë problemet në mënyra unike. Kjo mund të përmirësojë perspektivën e mësuesit dhe të bëjë mësimdhënien e tyre të ardhshme më efektive.
• Nxënësit mund të marrin dhe të japin me njëri – tjetrin “feedback” të vazhdueshëm mbi ecurinë e punës.
• Ata mund të mësojnë se si funksionojnë grupet në mënyrë produktive.
Që grupet të funksionojnë në mënyrë produktive, nxënësit duhet të përmbushin përgjegjësitë individuale. Anëtarët produktivë të grupit përgatiten, kontribuojnë në ndërveprimin e grupit, mbështetin njëri-tjetrin dhe japin punë të mirë brenda afateve kohore. Në mënyrë që nxënësit të funksionojnë produktivisht në grupe, ata kanë të drejtë të presin që grupi të vlerësojë kontributet e tyre individuale dhe të ndajë punën në mënyrë të barabartë ndërmjet anëtarëve.
• Ata mund të mësojnë pse grupet marrin vendime më të mira se individët.
Nxënësit mund të shohin se si perspektivat e ndryshme, diskutimet e shumta, pyetjet dhe analizat kritike mund të rezultojnë në zgjidhje dhe performancë më të mirë. Nëse nxënësit marrin një provim individualisht dhe pastaj bëjnë të njëjtën provim si një grup, rezultati i provimit të grupit është gjithnjë më i lartë, sepse nxënësit ndajnë atë që dinë, debatojnë përgjigjet dhe përmes këtij procesi shpesh mund të gjejnë rrugën drejt përgjigjes së duhur.
3.2 Disavantazhet e punës në grup
• Pjesëmarrja e pabarabartë. Ka shumë mundësi që në një grup, disa nga nxënësit nuk bëjnë shumë punë, ndërsa të tjerët punojnë shumë. Kjo pabarazi në punën e bërë, mund të shkaktojë probleme mes nxënësve në grup. Kjo gjithashtu do të shkaktojë zemërim në mesin e anëtarëve të grupit, sepse disa mund të marrin merita për një punë që ata nuk e kanë bërë fare, ndërsa të tjerët mund të kenë luftuar shumë për t’i fituar këto merita. Xhelozia, në një skenar të tillë është pa dyshim e pashmangshme.
• Konflikti i brendshëm. Kur një grup me nxënës të ndryshëm fillojnë të punojnë në një grup, mosmarrëveshja është e sigurt që do të lindë midis të gjithë nxënësve të grupit. Secili nxënës mund të ketë idetë e veta që mund të bien ndesh me atë që nxënësi tjetër mund të sugjerojë. Disa nxënës në një grup mund të kenë gjithashtu vështirësi të pranojnë sugjerime ose ide nga një bashkëmoshatar tjetër, pasi ata do të donin që të gjithë të tjerët të pranonin idetë ose sugjerimet e tyre. Ky konflikt mund të ndalojë rrjedhën e punës, derisa çështja të zgjidhet (kjo do të sjellë vonesa).
• Jo mendim individual. Kur punon në një grup, nuk ka vend për të menduarit individual apo të pavarur. Nuk i jepet prioritet mendimit të vetëm një nxënësi. Është më shumë një përpjekje e grupit për të përfunduar një punë siç duhet. Të gjitha idetë dhe sugjerimet e paraqitura nga të gjithë anëtarët e grupit duhet të merren parasysh për përfundimin me sukses të punës.
• Marrja e vendimeve kërkon kohë. Duke pasur parasysh faktin se është një përpjekje e grupit, duhet të merren parasysh sugjerimet dhe idetë e të gjithë njerëzve në grup. Para marrjes së ndonjë vendimi, të gjitha aspektet duhet të diskutohen dhe shqyrtohen plotësisht, gjë që rrjedhimisht merr shumë kohë dhe energji.
• Humbja e kreativitetit. Sa herë që duhet të punojme në një grup pune, mendimi i grupit bëhet më i rëndësishëm. Për shkak të kësaj arsyeje, kreativiteti është mbytur. Askush nuk mund të marrë një vendim të mirë, sepse secili dhe çdo person i grupit do të ketë dicka për të thënë për të.
• Konsumimi i kohës. Puna në një grup konsumon shumë kohë. Kjo pasi ka nevojë për marrëveshje dhe bashkëpunim nga të gjithë anëtarët e ekipit.
4. Strategjitë e motivimit të nxënësve për të punuar në grup
• Lejojuni nxënësve të kenë kontrollin
Edhe pse udhëzimet nga një mësues janë të rëndësishme për të mbajtur nxënësit në detyrë dhe të motivuar, duke u lejuar nxënësve të kenë disa zgjedhje dhe kontroll mbi atë që ndodh në klasë është në fakt ,një nga mënyrat më të mira për t'i mbajtur ata të angazhuar. Për shembull, duke u lejuar nxënësve të zgjedhin llojin e detyrës që do të bëjnë ose cilat probleme do të punojnë, mund t'u japi atyre një ndjenjë kontrolli që i motivon ata për të bërë më shumë.
• Përcaktoni objektivat
Mund të jetë shumë zhgënjyese për nxënësit që të kryejnë një detyrë, nëse nuk ka objektiva të përcaktuara qartë. Nxënësit duan dhe duhet të dinë se çfarë pritet prej tyre në mënyrë që të qëndrojnë të motivuar për të punuar. Në fillim të vitit, vendosni objektiva, rregulla dhe pritshmëri të qarta ndaj nxënësve në mënyrë që të mos ketë konfuzion dhe nxënësit të kenë qëllime për të punuar.
• Ndrysho peizazhin
Një klasë është një vend i mrekullueshëm për të mësuar, por ulur në një tavolinë cdo ditë, mund ta bëjë shkollën të fillojë të duket paksa e mërzitshme për disa nxënës. Për të zgjuar interesin në lëndën ose thjesht për të mësuar në përgjithësi, jepuni nxënësve tuaj një shans për të dalë nga klasa. Ndërmerrni udhëtime në terren, ose drejtohuni drejt bibliotekës për disa kërkime. Trurit i pëlqen risia dhe një mjedis i ri mund të jetë pikërisht ajo që u duhet disa nxënësve per të qëndruar të motivuar për të mësuar.
• Përdorni konkurrencën në mënyrë pozitive
Konkurrenca në klasë nuk është gjithmonë një gjë e keqe dhe në disa raste mund të motivojë nxënësit që të përpiqen më shumë dhe të punojnë për të shkëlqyer. Përpiquni për të nxitur një frymë miqësie të konkurrencës në klasën tuaj, ndoshta përmes lojërave në grup në lidhje me materialet ose mundësitë e tjera për nxënësit, që të tregojnë njohuritë e tyre.
• Ofro shpërblime
Gjithkush pëlqen të marrë shpërblime dhe nëse u ofron nxënësve mundësinë për t’u shpërblyer, ky është një burim i shkëlqyeshëm motivimi. Gjëra të tilla, si festat me ushqime, shikimi i filmave, apo edhe diçka më e thjeshtë, mund t'i bëjnë nxënësit të punojnë më shumë dhe me të vërtetë të synojnë të arrijnë diçka. Konsideroni personalitetet dhe nevojat e nxënësve tuaj për të përcaktuar shpërblimet e duhura për klasën tuaj.
5. Metodat e vlerësimit të nxënësve në punën në grup
Të gjitha parimet që ndiqen për vlerësimin individual, mund të ndiqen edhe per vlerësimin në grup. Megjithatë, duhet të pranojmë se vlerësimi në grup sjell disa sfida.
Së pari, në varësi të objektivave që janë caktuar, mësusesi mund të dëshirojë të vlerësojë produktin përfundimtar të grupit (p.sh., krijimin, përfundimet, prezantimin), aftësitë e grupit të tyre (p.sh. aftësia për të qëndruar brenda afateve) . Së dyti, performanca e grupit duhet të përkthehet në nota individuale, gjë që ngre çështje për drejtësinë dhe barazinë. Komplikimi i të dyja këtyre çështjeve është fakti se as aftësitë e grupit dhe as kontributi individual nuk janë domosdoshmërisht të dukshme në produktin përfundimtar.
Disa metoda janë:
1. Vlerësimi i të mësuarit dhe performancës individuale sëbashku me të grupit.
Të mësuarit dhe performanca individuale mund të vlerësohen në shumë mënyra. Disa mësues shtojnë një komponent individual në projektet e grupeve (p.sh., një ese të shkurtër, shënimet e ditarit të mbajtura gjatë punës); disa kombinojnë një projekt grupi me një test ose një kuiz individual. Performanca e grupit dhe e individit pastaj pasqyrohen në notën e përgjithshme të projektit.
Nuk ka një ndarje peshash perfekte, por e rëndesishme është që këto ndarje të: (a) pasqyrojnë qëllimet tuaja për të nxënit e nxënësve dhe (b) kërkojnë të motivojnë llojin e punës që dëshironi të shihni.
2. Bëni te qarta kriteret e vlerësimit dhe skemën e vlerësimit.
Është gjithmonë e rëndësishme të artikulosh kriteret e performancës, në mënyrë që nxënësit të kuptojnë pritjet dhe standardet tuaja. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse theksoni aftësitë që zakonisht nuk vlerësohen, si aftësia për të zgjidhur konfliktet, deleguar detyrat etj. Kriteret për vlerësimin e produktit dhe procesit të punës, duhet t’u komunikohen nxënësve, para se ata fillojnë punën e tyre dhe pastaj ata i përdorin ato për të dhënë reagime kuptimplotë përgjatë dhe në fund të projektit.
Është gjithashtu e rëndësishme të mendoni se si do të peshoni komponentët e ndryshëm të projekteve të grupit në skemën tuaj të notave. Disa pyetje që duhen marrë parasysh përfshijnë:
- Cila përqindje e notës së përgjithshme të nxënësit do të bazohet në ecurinë e grupit kundrejt komponentëve individualë?
- Cila përqindje do të bazohet në vlerësimet e produktit kundrejt vlerësimeve të procesit të punës?
- Sa peshë do t'i jepni vlerësimeve që ata i bëjnë njëri-tjetrit ose vetë-vlerësimeve?
Një numër i madh dimensionesh i punës në grup, mund të ndikojnë, qoftë formalisht apo jo, në një notë të nxënësit. Ajo që është e rëndësishme është të mendoni se cilat dimensione të performancës së nxënësve kanë rëndësi për ju dhe se si kriteret e klasifikimit dhe pesha e komponentëve të vlerësimit, mund të ndihmojnë në motivimin e sjelljeve që dëshironi të shihni. Përfundimisht, është e rëndësishme që në mënyrë të qartë, të komunikoni skemën tuaj të vlerësimit të notave tek nxënësit.
(Punoi Manjola Xhavara për Portalin Shkollor)
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Rregullorja e shkollës
Testime dhe detyra përmbledhëse për Arsimin Fillor, viti shkollor 2023-2024