"Mohimi i një gjuhe, është mohimi i kombit"
Analisti Nijazi Muhamedi thotë se BE e njeh shqipen si gjuhë minoritare në Maqedoni, ndërsa Maqedoninë e njeh dhe do ta pranojë në UE vetëm si shtet etnik i maqedonasve e jo si shtet multientik. “Përse fshihet kjo? E di Tirana zyrtare.
Dje në Maqedoni ka qenë një ditë jo e zakonshme. Ditë feste për disa që e pritën me shumë optimizëm dhe kënaqësi “zyrtarizimin e gjuhës shqipe", ndërsa për disa të tjerë ka qenë një tallje publike me dinjitetin e shqiptarëve dhe vullnetin e tyre për të qenë të barabartë brenda të të njejtit shtet, kjo për arsyen se, ligji në fjalë megjithatë është i menduar për minoritetet që i lejon të flasin gjuhën e tyre gjithkund ku janë 20%, ndërsa shqiptarët janë shtetformues
.
Sipas analistit Nijazi Muhamedi BE e njeh shqipen si gjuhë minoritare në Maqedoni, ndërsa Maqedoninë e njeh dhe do ta pranojë në UE vetëm si shtet etnik i maqedonasve e jo si shtet multientik. Ai me tej ngre akuza duke thënë: “ përse fshihet kjo? E di Tirana zyrtare. Mendon kjo Tiranë se vërtet mashtrueshëm dhe pas shpine do ta censurojë përjetësisht vullnetin politik të shqiptarëve për dinjitet të barabartë me maqedonasit dhe të drejtat legjitime të shqiptarëve, siç ka bërë deri më tash?”.
Sa i përket ligjit të aprovuar se çfarë në fakt nënkupton, ai shprehet: “Ky ligj merret vetëm me dimensionin gjoja komunikativ të qytetarëve, me institucionet shstetërore, dhe ka fshirë dimensionin identitar, kulturor dhe të produksionit letrar, të trashëgimisë, etj. Pra, lejohet e drejta e gjuhës në shkollën shqipe, e drejta e kulturës shqiptare dhe e drejta e përdorimit të gjuhës në mediat shqiptare, por ky ligj nuk i lejon që të themelojnë entin e teksteve mesimore shqipe, nuk e kanë të drejtën e planprogramit të veçantë për shkollën shqipe.
Ai në fund thotë se definimi kushtetues aktual nuk e pengon zyrtarizimin e shqipes, por: “Definimi kushtetues aktual e pengon shqipen të quhet me emrin e vet që është mohim i popullit që e flet atë, pra, mohimi i shqiptarëve në këtë vend dhe i kombit shqiptar në përgjithësi. Të qënit gjuhë zyrtare dhe bashkëzyrtare janë dy gjëra të ndryshme. Do të ishte e barabartë, bashkëzyrtare kur të shkruhet në katër pllakat simbolike – identitare të shtetit në OKB dhe përmes të cilave Maqedonia do identifikohej si shtet i dy gjuhëve, pra i dy popujve apo komuniteteve gjuhësore të saj.
Ndërsa, njohësja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Albulena Halili thotë: "Që në krye të herës bëhet fjalë për një mashtrim të radhës. Ligji i miratuar nga kuvendi i Maqedonisë nuk është ligj për gjuhën shqipe por emërtimi i tij zyrtar është ligji për përdorimin e gjuhëve. Pra, sërish sikur edhe në amendamentet kushtetuese që dolën nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, edhe në këtë ligj gjuha shqipe nuk përmendet shprehimisht, por asaj i referohet me “gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve”.
E dyta, ky ligj është përfshirë qëllimshëm në programin nacional për miratim të së drejtës së UE-së 2017-2019 ku parashihen masat e planifikuara për realizim gjatë dy viteve të ardhshme, duke e konsideruar atë si pjesë të procesit të euro-integrimit. Për të satën herë, në emër të proceseve euro-atlantike, ndaj të cilave shqiptarët kurrë nuk kanë pasur ndonjë hezitim, por përkundrazi kanë qenë përshpejtues të tyre, bëhen zotime të rreme për një çështje mjaft të rëndësishme siç është statusi i gjuhës shqipe në Maqedoni.
E treta, ky nuk është një ligj të ri. Siç edhe thuhet në dokumentin zyrtar, “qëllimi i miratimit të ligjit është shndërrimi konsekuent i amendamenteve kushtetuese në tekste ligjore në raport me përdorimin dhe zbatimin e gjuhës që e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe shkrimit të saj”. Sipas këtij qëllimi, me të drejtë mund të konstatojmë dështimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit gjashtëmbëdhjetë vjet nga nënshkrimi i saj, mospërmbushjen e detyrimeve nga ana e institucioneve përgjegjëse për shndërrimin në ligje të amendamenteve kushtetuese të miratuara në vitin 2001, gjë e cila nuk amniston asnjë subjekt politik i cili ka qenë në qeverisje këto gjashtëmbëdhjetë vite. Ky ligj është vetëm një plan veprimi për përmbushje të obligimeve të cilat është dashur të përmbushen deri në vitin 2004. Mu për këtë arsye kryeministri Zaev në deklaratat e tij ka deklaruar se me këtë ligj ne po e përmbyllim Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Gjuha maqedonase de facto dhe de jure është gjuha zyrtare e këtij shteti. Gjuha shqipe mbetet edhe më tej gjuhë e nënrenditur, ndërkaq përdorimi i saj – i nënkuptuar."
Ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve thotë:
“Me ndryshimet e miratuara, nuk rrezikohet pozicioni kushtetues i gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik si gjuhë zyrtare në gjithë territorin, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa avancohet përdorimi i gjuhëve të të gjithë bashkësive në Republikën e Maqedonisë.
Neni 1
(1) Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuhë shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabet i saj, në përputhshmëri me ketë ligj.
(3) Në të gjitha organet të pushtetit qendror, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përskaj gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.
(Nga Xhemazije Rizvani, Shkup; Portali Shkollor)
Si lindi shkolla, një nga institucionet më jetëgjata të qytetërimit tonë?
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"