Mësuesja Gjyste Simoni rrëfen për empatinë dhe punën ndaj nxënësit të saj me sindromën Doun
Si është të punosh si mësuesja e një nxënësi të diagnostikuar me sindromën Doun përtej zhurmnajës që bëhet në ditë të shënuara? Për mësuesen Gjyste Simoni është një rast i veçantë, sepse fëmija që ajo ka marrë përsipër të kujdeset, edukojë e të arsimojë, është tejet i dashur. Intervista me të thotë shumëçka.
Mësuesja Gjyste Simoni e klasës III-C në shkollën 9-vjeçare "Gjergj Kastrioti ", Lezhë , na ka rrëfyer modestish për punën që ajo bënë veçanërisht me nxënësin e saj shumë të dashur, Klevisin. Në 33-vitet e saj të punës si mësuese, ky mbase është rasti kur Gjystja ka pasur ndjeshmërinë më të lartë të të kujdesurit, edukuarit, të arsimuarit dhe të të bërit të lumtur të një nxënësi që është diagnostikuar më sindromën Doun. Por pavarësisht mbështetjes që i bëhet atij si nga mësuesja kujdestare, nga mësuesja ndihmëse, bashkëmoshatarët por edhe bashkëpunimi me prindërit, fëmija ka nevojë për më shumë shërbime logopedie në shkollë. Këtë gjë na e ka shprehur mësimdhënësja e tij përgjatë intervistës së mëposhtme që ne kemi zhvilluar me të.
Znj.Gjyste, gjatë viteve të punës tuaj si mësuese patjetër keni eksperienca të ndryshme me nxënësit e arsimit fillor. Por e veçanta e këtyre viteve të fundit është fakti se ndër të tjerë punoni edhe me një fëmijë i cili është diagnostikuar me sindromën Doun. Ne e kemi parë të lumtur Klevisin në videot e një aktiviteti që ju na keni dërguar një ditë në adresat e kontaktit të Portalit Shkollor. Si ja dilni ju dhe mësuesja ndihmëse për të pasur sukses me një rast të tillë? A është e vështirë për ju?
Unë si mësuese, si nënë dhe si prind, e ndiej si detyrim profesional dhe njerëzor që krahas punës me nxënësit t'i përkushtohen edhe nxënësit me Sindromën Doun i cili kërkon përkujdesje, respekt, gjithëpërfshirje dhe shumë dashuri. Kjo kategori nxënësish është tepër e ndjeshme, e zgjuar, këtë e shoh në çdo orë mësimi tek sytë, lëvizjet dhe ndjesitë e tij. Unë në punën time si mësuese me përvojë 33-vjeçare bëj përpjekje të vazhdueshme që ky nxënës të integrohet me nxënësit e tjerë në klasë dhe duke u përfshirë në mësim me tema të veçanta. Me nxënësin punojmë me objektivat e vendosura në planin PEI. Nxënësi fal shumë dashuri kështu që puna me të nuk është e vështirë.
Çfarë metodash ndiqni secila? Si e angazhoni ju atë? A ka programe të posaçme?
Metodat që përdorim janë, punë individuale por edhe në grup, shpeshherë alternohemi me radhë për të punuar me të. Duke qenë se punojmë me plan PEI, programe të posaçme nuk ka, por ne përshtatim kurrikulën në bazë të nivelit që shfaq nxënësi.
Po marrëdhënia juaj dhe e prindërve të tij si shkon? A punoni ju bashkë për të arritur atje ku doni në zhvillimin e rastit?
Marrëdhëniet prind-mësues kujdestar, prind-mësues ndihmës janë të shkëlqyera. Prindi ka interes maksimal për mbarëvajtjen e ecurisë mësimore dhe social-emocionale të nxënësit. Bashkë me prindin kemi hartuar objektivat e planit PEI dhe vetë prindi është i vetëdijshëm për arritjen e fëmijës së tij.
Cila është vëmendja që tregoni ju të dyja si mësuese ndaj tij?
Duke qenë se fëmija shfaq shenja hiperaktiviteti, prapambetje të rëndë mendore dhe vështirësi në artikulim, ne si mësuese vëmendjen kryesore e përqendrojmë në aktivitete që ulin hiperaktivitetin si: prerja dhe ngjitja e formave te ndryshme, për zhvillimin e artikulimit në kopjimin dhe leximin e shkronjave që njeh dhe arrin t'i shqiptojë. Gjithashtu vëmendje të madhe i kushtojmë situatave kur nxënësi ka dëshirë të përfshihet me grupin e bashkëmoshatarëve.
Po bashkëmoshatarët si sillen me të? A e mbështesin?
Bashkëmoshatarët tregojnë një kujdes shumë të madh ndaj tij, e mbajnë afër, e përkrahin, e përfshijnë në lojëra të ndryshme. Nxënësi ndihet shumë mirë dhe i barabartë mes grupit të shokëve.
A ka ai fëmijë talente dhe si shprehet për to? Po me mësimet si vijon?
Nxënësi, pra Klevisi, pëlqen shumë muzikën, kërcimin si dhe lëndën e matematikës. Arrin të numërojë me gishta nga 1 në 10-të, edhe pse duke artikuluar me vështirësi, mbledh numra nga 1 në 5 duke shoqëruar me figura dhe objekte të ndryshme.
Për çfarë ka më tepër nevojë ky fëmijë, nga ana e shërbimeve në shkollë?
Fëmija ka më shumë nevojë për shërbime logopedie në shkollë (pasi shkolla jonë nuk ka logopedistë). Fëmija ndjek shërbime logopedie privatisht dy herë në javë.
A mund të na rrëfeni kujtimin më të bukur për të, kur ai është ndjerë i lumtur si rezultat i punës tuaj dhe angazhimit të gjithsecilit?
Kujtimet më të bukura ne ia krijojmë çdo ditë duke e përfshirë me nxënësit e klasës pa përjashtime ose stigma. Kujtimi më i bukur ka qenë festa e Abetares ku nxënësi performoi para të gjithëve në një vallëzim bashkë me një shoqe klase. Ditën e 21 marsit, ditën e Sindromës Doun ai u ndie shumë i lumtur, këtë e shprehu duke falënderuar, përqafuar të gjithë moshatarët e tij duke mbledhur duart në formë zemre. Gëzimi atë ditë dallohej lehtësisht në fytyrën e tij.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë kolegët/koleget që punojnë me fëmijët me sindromën Doun?
Sindroma Doun është çrregullim kromozomik dhe nuk përfaqëson personin që e mbart atë. Le të bëhemi çdo ditë empatik dhe të përkrahim këta nxënës për të ecur në hapa të sigurtë gjatë jetës.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Zemërimi i Mujit”, filmi i parë vizatimor i realizuar me punime të nxënësve - flet mësuesi Altin Shuaipi
Dimensioni njerëzor i një mësuesi
Mësuesi i letërsisë, Erget Cenolli, mes pasionit për mësimdhënien, krijimit poetik dhe shkrimit publicistik