Mësuesia, profesion i femërorizuar apo profesion femëror?

Problematika e shtruar që në hyrje të këtij punimi, është një konstatim i drejtpërdrejtë, pa nevoja statistikore, i dukshëm në përmasa të një shqetësimi

Problematika e shtruar që në hyrje të këtij punimi, është një konstatim i drejtpërdrejtë, pa nevoja statistikore, i dukshëm në përmasa të një shqetësimi.


Ndërkohë që në shkollat fillore vërehet një përqindje gjithnjë e më e vogël e meshkujve në mësimdhënie, tendencë e viteve të fundit është një rritje e ndjeshme deri diku, e pjesëmarrjes së tyre në shkollat e mesme, për t’u katapultuar pastaj në universitete.


Kjo kurbë e luhatjeve të punësimit, lidhet drejtpërsëdrejti me faktorë socialë dhe politikë, por edhe me modele stereotipike të aprovuara edhe nga vetë femrat, të cilat bëhen mbartëse dhe bartëse të tyre.


Duke besuar se zvogëlimi i pjesëmarrjes së meshkujve në profesionet e mësimdhënies, lidhet drejtpërsedrejti me rënien e prestigjit social të figurës së mësuesit, duam ta mbështesim argumentimin në fakte të ardhura nga përditshmëria:


Mësuesia si profesion nuk rezervon karrierë profesionale, përtej postit të drejtuesit të shkollës, pozicion i cili ka bjerrë reputacionin për aq kohë sa shkolla funksionon në varësi vertikale dhe karriera stopohet tek drejtori i DAR, i cili edhe pse me Dispozita Normative duhet të jetë figurë e papolitizuar, zgjidhet sipas kriterit politik. Drejtuesi i shkollës nuk ka pavarësi administrative dhe ekonomike.

Në nivelin hierarkik të pagave, profesioni i mësuesit (megjithë rritjet e herë pas herëshme) nuk arrin të përmbushë tërësisht kërkesat në rritje të shqërisë, përkthyer këto në standarte jetese dhe marrëdhënie tregu.


E përfshirë në sektorin tepër të ngushtë buxhetor, për specifikat e vendit tonë, mësuesia ka qenë shpeshherë terren i përleshjeve elektorale, duke ia bjerrë edhe një nivel prestigjin, në rastin më të thjeshtë me përfshirje në formate të gatshme mitingore dhe në raste flagrante me kërcënime depersonalizuese. 


Këto arsye, duket i largojnë meshkujt nga ky profesion, për t’i shfaqur në mënyrë magjike në universitete, së bashku me prestigjin dhe të ardhurat e shumëfishuara.

Në tentativë për të shpjeguar  këtë femërorizim të profesionit të mëuesisë, duhet të reflektojmë edhe mbi disa specifika të profesionit në fjalë, të cilat e kthejnë në “të preferueshëm” zanatin e “mësuesisë” dhe mësuesin nga misionar në zanatçi.


Puna e mësuesit lë më shumë hapsira kohore të lira, se çdo profesion tjetër. Kjo “lehtësi” kthehet në “tundim” dhe me keqardhje konstatohet se vetë femrat e orientojnë të ardhmen e tyre profesionale drejt mësuesisë, pikërisht duke u trysnuar nga kjo “lehtësi”.

E destinuar për paraditen, me një orar të kufizuar prej 6 orësh fizike, e orientuar kryesisht në tri stinë, mësuesia u lë mjaft kohë të lirë femrave, të cilën ato nxitojnë ta venë në shërbim të punëve rutinë shtëpiake, rritjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve, shërbimit ndaj pjesës mashkullore të familjes dhe, domosdoshmërisht, frekuentimit të stereotipit që shoqëria me pjesëmarrjen e tyre ka formatuar.  


Puna në shkollë, do të ishte e preferuara e femrave, sidomos grave, sepse nuk kërkon zgjedhje mes punës dhe familjes, mësuesia u duket se përkon me “destinacionin” e tyre: edukimin e fëmijëve.


Por nëse do të kërkonim një gjenezë të këtij “profesioni të femërorizuar”, atëherë gjurmët do të na çonin drejt zgjedhjes së studimeve pranë unviersiteteve. 

Fakultetet humane janë më të preferueshme nga femrat, ndërsa fakulteti i edukimit dhe formimit fillestar që formon mësues të ciklit fillor dhe parashkollor, frekuentohet eskluzivisht nga femrat.


Në fakt, përqindja femërore është rritur tanimë edhe në fakultete tradicionalisht të konsideruara mashkullore si inxhinieria, arkitektura, veterinaria, edhe pse shumë nga këto gra duket sikur më pas zhduken ose modifikojnë profesionet drejt “zanateve” që u krijojnë lehtësira. Nuk janë të pakta rastet kur gra inxhinere punojnë si mësuese matematike apo informatike, kimistet si mësuese kimie, veterineret si mësuese biologjie etj.   


Nëse i referohemi realitetit familjar në vendin tonë, atëherë me keqardhje vërejmë se ka shumë familje që materiet shkollore i ndajnë arbitrarisht që në shkollën fillore në lëndë për vajza e lëndë për djem. Që 6 vjeç vajzat konsiderohen më pak të afta në matematikë se bashkëmoshatarët meshkuj, duke u standartizuar ky mentalitet në thënie stereotipike”djemtë janë më të zgjuar se vajzat”(!)

Kjo na bën të kuptojmë se stereotipet në përgjithësi në edukim dhe në mësimdhënie janë rracionalë, ndonëse askush nuk ka vërtetuar se “vajzat e kanë problem matematikën” apo se “gratë nuk janë të lindura për numrat”, apo se “meshkujt duhet t’i nënështrohen profesioneve mashkullore” (!)


Këto kushte bëjnë që vajzat të kenë mundësi punësimi më të pakta se djemtë, ndoshta duke orientuar edhe studimet e tyre universitare në drejtimin e shkencave humane, krahasuar me meshkujt që janë të lirë të zgjedhin profesione me prestigj më të lartë social dhe ekonomik.


Megjithatë, nëse i referohemi faqes Qendra.info, të dhënat na thonë se gratë kanë rezultate më pozitive se meshkujt: numri i femrave të diplomuara  është më i madh se i meshkujve; në timon femrat rezultojnë më të kujdesëshme se meshkujt; për shkaqe hormonale femrat janë më imune se meshkujt; ndarja tradicionale e roleve në familje i bën meshkujt më të ndjeshëm ndaj depresioneve për shkaqe recensioni, ndërsa femrat më të qeta; femrat janë dëgjues dhe mentorë më të mirë dhe më lehtë se meshkujt i tejkalojnë problemet. 

Kjo do të thotë se më me sukses përballen me kolegët dhe klientët. Një hulumtim i zhvilluar në Universitetin në Minnesoti me 14.000 veta ka treguar se femrat konsumojnë ushqim më të shëndetshëm se meshkujt. Derisa ata lëpijnë gishtat nga orizi i ngrirë dhe mishi i skuqur,  femat për meny do të zgjedhin pemët dhe perimet. 

Po përse gratë janë më të afta se burrat? Tentativat për një përgjigje, asnjëherë nuk do të jenë përgjigje definitive. Gjithsesi, gratë dëshirojnë dhe duhet të emancipohen. Të përfshira në luftën e nevojës për t’u rebeluar, ato duhet të rebelohen në rolin e nënave dhe shtapiakeve, rol në të cilin ende shoqëria vazhdon t’i inkuadrojë (jo pak raste edhe me dhunë).


Ndoshta aftësia ecën paralelisht me korrektësinë e femrës në respektimin e rregullave. Stereotipi i kërkon vajzat që në fëmijëri të qeta e të adhurueshme. Të respektosh rregulla, a të bën të jesh më i/e mira në shkollë?!...


Për aq kohë sa ekzistojnë ide të pabaza: punë për gra e punë për burra, është mirë që gratë të nisin të mos t’i respektojnë më rregullat. T’i thyejnë ato. Le ta nisim duke e thyer tabunë që po mitizon profesionin e mësuesisë: profesion i femërorizuar dhe profesion femëror.


Fotot që shoqërojnë tekstin janë përzgjedhur nga autorja e shkrimit, Natasha Porocani (Shuteriqi)

5,633 Lexime
8 vjet më parë