SUGJERIMET

Mësuesi i historisë përballë situatës së krijuar

Këshilla në ndihmë të mësuesve të Historisë 12, por edhe për lëndët e tjera, të sugjeruara nga Edlira Angjeliu, mësuese e historisë në gjimnazin ''Kristaq Capo'' Berat.

Askush nga ne nuk e mendonte dhe parashikonte këtë situatë në shtator kur filluam të hartonim planet mesimore ne lendët përkëse. Dhe kemi planifikuar aty temat mësimore, strategjitë e të nxënit, veprimtaritë që do të zhvillonim me nxënësit. Në situatën në të cilën ndodhemi duhet të qëndrojmë të gjithë në shtëpi. Kjo nuk do të thotë që ne të rrimë pa u marrë me asgjë. Ka plotë mënyra për ta mbushur ditën dhe për t’u ndjerë mirë në fund të saj. Asgjë nuk duhet të ndalë në këtë situatë perveç faktit që nuk duhet të lëvizim jashtë shtëpisë. Duhet të vazhdojë çdo veprimtari e rutinës tonë të përditshme vetëm se në kushte jo normale. Do ja dalim.


Mesuesit si po ju vijnë në ndihmë nxënësve deri në këtë moment? Informacioni për nxënësit nuk ka munguar, por si të jemi më të mirëpritur tek ata?


Në këtë moment flas në pozicionin e mesueses së Historisë 12.

Në mënyrën më të mundshme, më të përshtatshme, më të mirë për mësuesit dhe nxënësit duhet të vazhdojmë të mbajmë kontakt me ta dhe familjarët e tyre të cilët mund të bëhen një ndihmesë shumë e madhe për ne mësuesit.

Ti orientojmë ata së pari (që është më e rëndësishme) se çfarë duhet të bëjnë për të përballuar këtë situatë të krijuar, së dyti lidhur me ecurinë e procesit mësimor.

Për momentin të hartojmë një plan të ri në të cilin të spostojmë tema mësimore të ngarkuara me koncepte të reja dhe informacion të ngjeshur dhe të zhvillojmë në kushtet e krijuara ato tema të cilat nxënësi mund t’i përvetësojë edhe në distancë. Të mos harrojmë që nxënësit, fëmijët tanë janë po aq të ngarkuar emocionalisht sa as ne nuk e përballojnë në këto kushte ngarkesën e informacionit. Jemi ne mësuesit që perpiqemi të zhvillojmë orë mësimore dhe të tërheqim vëmendjen e nxënësve për 90 minuta. Le të përpiqemi të jemi kreativë dhe të zgjedhim forma interesante mësimdhënie sot më tepër se kurrë.

Për temat të cilat anashkaluam për momentin do t’ju kushtojmë vëmendjen e duhur kur të kthehemi në shkollë dhe të gjithë të jemi qetësuar. E rëndesishme është që nxënësi pasi ka mbyllur komunikimin me mesuesin të mos thotë: “Uhhh na lodhi…”, “S’kam nerva ta bëj këtë detyrë”, etj. Shumë prej mësuesve janë edhe prindër dhe e shohin këtë reagim tek fëmijët e tyre.

  • Në lëndën HISTORI 12 për periudhën e mbetur deri në fund të vitit shkollor nxënësi duhet të përvetësojë koncepte të tilla si: Njeriu i ri, njeriu kolektiv, vëtizolim, boshti ideologjik, kulturë masive Muri i Berlinit, BS, Kina, Blloku Lindor, arti dhe kultura në diktaturë, tranzicioni shqiptar, kriza 1997, etj etj. E kush më mirë se gjyshërit dhe të afërmit e tyre, në kushtet e krijuara, do t’jua shpjegonte nxënësve këto terma. Ne mësuesit duhet të orientojmë në momente të caktuara se çfarë duhet të diskutojnë si të strukturojnë bisedën, si të përfshijnë familjarët në to, si të mbajnë shënime etj. Ne i njohim mirë gjyshërit tanë dhe i dimë se sa të apasionuar janë pas këtyre temave, “burim informacioni” mund t’i quajmë pa frikë. Më besoni se kur t’jua shpegojnë qëllimin e kësaj që po beni do te ndihen shume mire dhe të vlerësuar. Ju siguroj që do te jetë një bisedë e bukur, e vlefshme ku nuk do të mungojnë notat e humorit aq të vlefshme për familjet tona në këto momente. Mund t’ju lindë pyetja për ata nxënës që nuk i kanë gjyshërit në shtëpi. Secili ka një ose më shumë dajë apo xhaxha, hallë apo teze e në fund të fundit nuk kanë çfarë t’ju pengojnë në këtë periudhë. Vëmendje e veçantë për gjyshet tona të dashura. Në një ditë të caktuar e ashtuquajtura për momentin orë mësimi t’ja kushtojmë atyre. Mësuesi orienton nxënësit se çfarë informacioni mund të marrë prej tyre për të arritur rezultatet e të nxënit në kushtet që na u krijuan. Le të na ndihmojë kjo formë të marrim informacion, të kalojmë kohë cilësore me familjarët tanë, por mbi të gjitha të shkëputemi nga televizori dhe lajmet për virusin.
  • Ju sygjerojmë nxënësve që së bashku me familjarët e tyre të shohin filma shqiptarë që na pëlqejnë aq shumë të gjithëve dhe të konkretizojnë konceptet e mësipërme.
  • Lexoni pjesë nga librat që familjarët tuaj kanë në bibliotekën e tyre që mund t’ju ndihmojnë për lëndën e historisë.
  • Me ndihmën po të familjareve kërkoni në fondin e muzikës shqiptare këngë nga periudha të cilën po trajtojmë në lëndën histori dhe aty merrni informacion, po kështu në pikturë, sculpture dhe të gjitha artet e tjera.
  • Shkruani në një fletore shprehjet qe u përdorën nga gjyshërit, prindërit dhe mendimin tuaj. Do të arrini të bëni një analizë krahasuese midis tre brezave. Diskutoni edhe me shokë dhe shoqet në grupet e krijuara.
  • Nxënësi mund të punojë në një kohë që ai e zgjedh vetë për detyrat e portofolit, projektin kurrikular, veprimtari, temat e të cilave janë dhenë nga mësuesi.
  • Duke shpresuar që kjo situatë do të kalojë shumë shpejt, le t’i gjendemi nxënësve pranë në mënyrën se si mendojmë se është më mirë për ta.


Edlira Angjeliu, mësuese e historisë në gjimnazin ''Kristaq Capo'' Berat


(Portali Shkollor)

2,244 Lexime
4 vjet më parë