MËSIMDHËNIA

Mësimdhënia me bazë kompetence

Studentët e vitit të parë master shkencor për mësuesi Anglisht, Aurela Gjoka, EltonGjurra, Indrit Çëkrezi dhe Vanxheli Janku kanë përgatitur punimin me temë "Mësimdhënia me bazë kompetence". Cilat janë kompetencat kyçe?

Tabela Përmbajtjes:

1.1. Çfarë është Mësimdhënia me bazë kompetence? Cilat janë kompetencat  kyçe të të nxënit? 

1.2. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit.

1.3. Kompetenca e të menduarit.

1.4. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë. 

1.5. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin.

1.6. Kompetenca personale.

1.7. Kompetenca qytetare.

1.8. Kompetenca digjitale. 

1.9. Rëndësia e mësimdhënies me bazë kompetence. 



Mësimdhënia me bazë kompetence. 

Çfarë është Mësimdhënia me bazë kompetence? Cilat janë kompetencat kyçe të të nxënit? 

Në vitin 2014, Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS) e Republikës së Shqipërisë ndryshoi mënyrën e mësimdhënies së arsimtarëve shqiptar nëpërmjet ndryshimeve ligjore të kornizës kurrikulare. Korniza kurrikulare është një dokument kryesor i shkruar, në të cilin jepen orientimet dhe udhëzimet thelbësore në hartimin dhe zbatimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar shqiptar dhe këtu përfshihen: qëllimi i arsimit, kompetencat kyçe  të të nxënit, rezultatet e të nxënit, nivelet e të nxënit, mësimdhënia me në qendër nxënësin etj. Qëllimi i kësaj kornize kurrikulare është që të ndërtohet një shoqëri shqiptare e dijes, që shoqëria shqiptare të integrohet në epokën digjitale, që të rritet lëvizshmëria dhe ndërvarësia e komunikimit, kulturës, zhvillimeve të reja shoqërore, që të kemi një konceptim të ri të proçesit të të nxënit, që të rrisim rëndësinë e komunitetit, që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm social e kulturor etj. Në kornizën kurrikulare të Republikës së Shqipërisë përcaktohen shumë elementë reformues, por, ndër më kryesoret po përmendim: mësimdhënien me bazë kompetence dhe mësimdhënien me në qendër nxënësin. Mësimdhënia me bazë kompetence dhe mësimdhënia me në qendër nxënësin janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sepse të dyja kanë në vëmendje nxënësin dhe proçesin e të nxënit. Kurrikula me bazë kompetence e e zhvendos përqëndrimin e  vëmendjes nga nxënia e përmbajtjes lëndore me mësuesin në qendër  për në situatat e të nxënit me në qendër nxënësin. Si rezultat, mësimdhënja kurrikulare me në qendër nxënësin ofron situata të ndryshme të të nxënit përmes të cilave, nxënësi formohet ne aspektin shoqëror, kulturor, intelektual e qytetar. Kompetencat kyçe sipas organeve te larta arsimore shqiptare përfshijnë integrimin e shkathtësive, aftësive, njohurive, qëndrimeve dhe vlerave me qëllimin për të arritur një qytetari aktive, një gjithëpërfshirje shoqërore dhe një zhvillim të qëndrueshëm vetjak. 

Në këtë mënyrë, Kompetencë Kyçe e të Nxënit = Shkathtësi+Aftësi+Njohuri+Qëndrime+Vlera (të kombinuara sëbashku). Në figurën e mëposhtme, jane paraqitur 7 kompetencat kyçe të të nxënit. 

  

Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit.

 Kompetenca e parë kyçe e proçesit të të nxënit është kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit. Qëllimi i kësaj kompetence është që nxënësi të aftësohet për të komunikuar në mënyrë sa më të dobishme. Kështu, nxënësi fiton aftësi të shkëlqyera për t’u shprehur dhe për të komunikuar në gjuhën amtare dhe në gjuhë të huaj. Nxënësi shpreh mendimet e tij me anë të komunikimit verbal (fjalë dhe shprehje artistike e shkencore) dhe me anë të komunikimit joverbal (shenja, kode, simbole etj.). Nxënësi shpreh gjithashtu mendimet e tij ne formë elektronike duke perdorur shkathtësitë e duhura të përdorimit pozitiv të teknologjisë së informacionit. Nxënësi është motorri i dialogut dobiprurës shoqëror duke rrespektuar mendimet e të tjerëve dhe duke sjellur argumente sa më të besueshme e të sakta në dobi të përmirësimit të shoqërisë shqiptare. Gjatë kohës që nxënësi/ja komunikon me të tjerët, ai/ajo shfaqin edukatën e empatisë (duke vendosur veten në situatën e tjetrit) dhe të tolerancës reciproke. Nxënësi/ja komunikon dhe shprehet në mënyrë sa më konstruktive, demokratike e qytetare.


Kompetenca e të menduarit. 

Kompetenca e të menduarit na shërben për të menduar në mënyrë kritike dhe krijuese. Gjatë fitimit të kësaj kompetence, nxënësi formon dhe më pas, mbron qëndrimet e tij në mënyrë të pavarur duke e analizuar, sintetizuar, gjykuar, vlerësuar dhe duke e interpretuar atë. Nxënësi mëson si të marrë vendime duke u bazuar në vërtetësinë e informacionit të grumbulluar. Nxënësi bën një lidhje të fortë midis vendimeve të tij dhe pasojave të atij vendimi. Nxënësi vlerëson të tjerët dhe vetëvlerësohet. Nxënësi arrin në një zgjidhje të mundshme dhe kontekstuale të një problemi të caktuar. Gjithashtu, nxënësi fiton njohuritë kryesore në të gjitha fushat disiplinore (letërsi, matematikë, fizikë, kimi, qytetari, gjuhë e huaj, teknologji etj. duke i kombinuar e përshtatur njohuritë e fituara në jetën e përditshme personale dhe komunitare. 


Kompetenca e të nxënit.

Kjo kompetencë u jep mundësinë nxënësve të flasin në lidhje me tema nga përditshmëria , si dhe të realizojnë detyra apo aktivitete që u kërkohen në klasë. Gjithashtu, një pikë mjaft e rëndësishme  që lidhet me këtë kompetencëështë se nxënësit kanë mundësinë të përdorin burime të ndryshme informacioni për të përgatitur një temë të caktuar. Nëpërmjet kësaj kompetence, nxënësit duke shfrytëzuar edhe ndihmën e mësuesit, zgjidhin dhe prezantojnë detyra përpara shokëvë dhe shoqeve të klasës. Gjithashtu, nxënësit përdorin portofolin personal për të nxjerrë në pah përparësitë dhe mangësitë e tyre në fusha të ndryshme.


Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin.

Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin renditet e 4-ta ndër kompetencat. Duke qenë se shkolla organizon aktivitete të ndryshme, kjo kompetencë i ndihmon nxënësit të përfshihen në to dhe të nxjerrin në pah cfarë kanë të përbashkët dhe  cfarë ndryshon nga njëri aktivitet tek tjetri. Gjithashtu, kjo kompetencë u jep mundësinë nxënësve  të shprehin mendimet e tyre në lidhje me sjelljen e nxënësve në klasë apo edhe në mjediset jashtë klasës. Në njëfarë mënyrë ajo i përgatit nxënësit për të ardhmen.


Kompetenca personale.

Kompetenca personale i ndihmon nxënësit të bëjnë jetë të shëndetshme, si dhe të përkushtohen ndaj të mirës së përbashkët. Kjo kompetencë, e shprehur nëpërmjet rezultateve të nxënit u mundëson nxënësve që në fund të arsimit të lartë të jenë të aftë të bëjnë zgjedhje dhe të marrin vendime të informuara. Me anë të kompetencës personale, ata bëhen te pavarur dhe të përgjegjshëm, duke u vetëdijësuar për pasojat e veprimeve të tyre. Gjithashtu, nxënësit u përmbahen kodeve të sjelljes, duke shmangur në këtë mënyrë paragjykimet për kulturën, vlerat dhe besimet e te tjerëve, por duke i respektuar dhe pranuar ato. Kompetenca personale është e rëndësishme, pasi ajo i ndihmon nxënësit të menaxhojnë emocionet e tyre, t’ia njohin vetes përparësitë dhe dobësitë dhe të punojnë për kapërcimin e këtyre të fundit. Së fundmi, kompetenca personale, nxit frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis nxënësve.


Kompetenca qytetare.

Krahas kompetencës personale, qëndron kompetenca qytetare. Duke qenë se të mësuarit për të jetuar së bashku është një sfidë e botës së sotme, kjo kompetencë siguron që nxënësit të jenë në gjendje të verojnë si qytetarë të përgjegjshëm, duke marrë parasysh kontekstin e ngushtë dhe të gjerë. Kompetenca qytetare, e shprehur nëpërmjet rezultateve të nxënit, u mundëson nxënësve që në fund të arsimit të lartë të kuptojnë ligjësitë e zhvillimit të tyre shoqëror dhe mënyrën e funsionimit të tyre(kultura, shprehitë, rregullat, pritshmëritë). Kjo kompetencë zhvillon tek ata aftësinë e të vlerësuarit diversitetin dhe të demonstruarit tolerancë dhe respekt ndaj këtyre dallimeve. Nxënësit gjithashtu bëhen pjesëmarrës në proceset demokratike në te gjitha nivelet, si dhe bëhen të dobishëm duke kontribuar në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve në nivel shkolle dhe komuniteti. Kontributi më i rëndësishëm që mund të përmendet është kontributi për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, duke qenë se vitet e fundit po hasen probleme të mëdha në mbrojtjen e tij.


Kompetenca digjitale.

Kompetenca digjitale nënkupton përdorimin kritik dhe efektiv te TIK-ut në ambjentet e punës, ne shkollë, gjatë kohës së lirë dhe ne komunikimin e përditshëm. Kjo kompetencë mbështetet tek aftësite themelore për të gjetur , krijuar, për të shkëmbyer informacion, për të komunikuar si dhe për të bashkëpunuar me rrjetet sociale në internet.

Në bazë të kurrikulës shkollore me bazë kompetencat, kompetenca digjitale quhet e arrirë atëherë kur, nxënësi është I aftë të ndërveprojë me moshatarët e tij por edhe me te rritur ,duke perdorur shumëllojshmërinë e mediave digjitale. Një rëndësi të madhe ka edhe siguria e nxënësit, pra , që të plotësohen kriteret për kompetencën digjitale, duhet që nxënës të jetë I aftë te qendrojë I sigurt duke lundruar ne internet. Kjo përpos shkathtësive të tjera si, zhvillimi I vetëdijes dhe ndërgjegjësimi mbi globalizimin dhe larmitë e ndryshme kulturore, duke përfshirë këtu edhe ndërveprimin me nxënës nga kultura të tjera. Kompetenca digjitale I jep një kornizë më të qartë nxënësit sesi ai/ajo të gjejë, të përpunojë, dhe të analizojë një informacion të caktuar, I cili e ka burimin nga interneti.


Rëndësia e mësimdhënies me bazë kompetence. 

Mësimdhënia me bazë kompetence është shumë e rëndësishme për sistemin arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë pasi nxënësit shqiptarë ndërthurin njohuritë e tyre teorike me aftësitë praktike. E rëndësishme për t’u përmendur është fakti se kurrikula dhe mësimdhënia me bazë kompetence përqëndrohet më së shumti tek situatat e të nxënit dhe tek rezultatet e të nxënit. Situata e të nxënit përfshin diçka praktike si përshembull: një dialog, një pikturë, një vidjo, një prezantim, një poster etj.. Ndërsa, rezultatet e të nxënit përfaqësojnë një produkt përfundimtar të të nxënit, e cila e thënë shkurt: përfaqëson atë qëndrim, njohuri, shkathtësi e aftësi që  nxënësi e zotëron tashmë teorikisht dhe praktikisht. Gjithashtu, mësimdhënia me bazë kompetence hartohet dhe zbatohet mbi bazën e 6 niveleve të taksonomisë së Blumit. Për t’a përmbyllur, mund të themi bindshëm se mesimdhënia pasive  me në qendër mësuesin përfshinte objektivat mësimore, të cilat ishin në të vërtetë vetëm plane shumë teorike për zhvillimin e proçesit mësimor, ndërsa, mësimdhënja aktive me në qendër nxënësin përfshin situata konkrete dhe shumë praktike. Padyshim që mësimdhënia aktive me në qendër nxënësin rezulton dhe do të rezultojë  edhe më e suksesshme se sa mësimdhënia pasive me në qendër mësuesin. 



Bibliography

EU. (2017). "Key Competences-Curriculum Reform, Synthesis, Report, on Peer Learning Activities. Belgium.: EU Commission.

ISP. (2002). Fjalor Edukimi (Psikologji-Sociologji-Pedagogji). Tiranë.: Instituti i Studimeve Pedagogjike.

IZHA. (2014). "Kurrikula e Arsimit parauniversitan i Republikës së Shqipërisë". Tiranë: IZHA.

Karameta, P. (2014). "Arsimi i gjeneratës tjetër". Tiranë.: Karameta, P.

MASHT. (2012). "Korniza e kurrikulës e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës". Prishtinë: RK.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS), S. (2014). Korniza kurrikulare. Korniza Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Shqipërisë. (pp. 9-10). Tiranë: MAS.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit, S. (2014). Korniza Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Shqipërisë. Korniza Kurrikulare. (p. 54). Tiranë: Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Shqipëri.

RSH. (2012). "Ligji 69/2012. In RSH, "Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë". Tiranë.: Fletorja Zyrtare e Ligjeve të RSH.

Punuan: Aurela Gjoka, Elton Gjurra, Indrit Çëkrezi dhe Vanxheli Janku. Studentë të vitit të parë  të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Anglishtes, Master i Shkencave Mësuesi-Anglisht.  Tiranë, më: 26 Qershor 2019.



Punuan: Aurela Gjoka, EltonGjurra, Indrit Çëkrezi dhe Vanxheli Janku. Studentë të vitit të parë master, të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Anglishtes, Master i Shkencave Mësuesi-Anglisht. Tiranë, më: 26 Qershor 2019.

55,851 Lexime
5 vjet më parë