Model

Mësim i integruar

Majlinda Salepi sjell sot në Portalin Shkollor një model të mënyrës së ndërtimit të mësimit të integruar. Shikoni planifikimin me detaje të kësaj ore mësimi.

Fushat: Matematikë, Edukim fizik, sporte dhe shëndet

Lëndët: Matematikë, E. fizik, sport.

Shkalla: II

Klasa: III

Mësuese: Majlinda Salepi

Shkolla "22 Tetori" Berat

Tematika: 

• Algjebra dhe funksioni

• Lojërat parasportive

Situata e të nxënit: 

Lojë: “Votoj si në parlament”

Nxënësit janë pajisur me dy karta, përkatësisht me ngjyrë të gjelbër dhe me ngjyrë të kuqe.Këto karta ata do t’i përdorin për të dhënë përgjigjet sipas situatës “pro”ose “kundër”. P.sh 3x4=21 (Në këtë rast nxënësit do të duhet të nxjerrin kartën me ngjyrë të kuqe)


Tema mësimore: 

4.7 Shumëzimi me një faktor më të madh se 5.

4.8 

• Tabela e shumëzimit

• Rregullat e lojës

Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore 

Nxënësi/ja: 

• shumëzon me një faktor 6,7,8,9,10, vargun e numrave natyrorë deri në 10.

• zbaton kuptimin e shumëfishit të një numri gjatë shumëzimit me një faktor më të madh se 5.

• zbulon rregullin dhe kryen veprimet gjatë një vargu numrash të dhënë.

• krijon problema me shumëzimin e një faktori më të madh se 5. plotëson tabelën e shumëzimit deri në 10.

• përcakton vetitë dhe kufizat e shumëzimit duke punuar në grup.

• dallon fjalitë që përdoren në shumëzim dhe në pjesëtim.

• përcakton faktorët kur është dhënë prodhimi dhe anasjelltas.

• njeh rregullat e lojës.

• zbaton rregullat e lojës.

• ndërton bashkëpunim me shokët e grupit. Fjalët kyçe: shumëzimi, numër rreshtash, numër shtyllash, shumëfish, rregull, faktor, prodhim, veti , tabelë shumëzimi, rregulla, lojë, bashkëpunim. 


Burimet: 

• Libri i nxënësit 

• Sende të ndryshme për grupime.

• Modele demonstruese për mësuesin.

• top, lapsa me ngjyra, shkumësa me ngjyra.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurikulare: Art, gjuha dhe komunikimi, edukim fizik, shoqëria dhe mjedisi.


Metodologjia, teknikat e përdorura, veprimtaritë e nxënësve:

• Lojë

• Punë në grup.(Vëzhgo - mendo - diskuto - nxirr përfundimin.) 

• Të punuarit në bashkëpunim. 

• Punë e pavarur. 


Faza e parë: Loja: “Votojmë si në parlament”

Duke u mbështetur tek njohuritë e mëparshme do te zhvillohet loja si në situatën e të nxënit.


Faza e dytë: Punë në  grup (Vëzhgo-mendo-diskuto-nxirr përfundimin)

Ndahet klasa ne grupe me nga 4 ose 5 nxënës.

Secili grup do të plotësojë tabelën e shumëzimit sipas këtyre hapave:

1- Plotësoni rreshtin dhe kolonën e parë dhe ngjyroseni me ngjyrë të verdhë.


Drejtoj pyetjen:

-Çfarë vini re?

Nxënësit do të nxjerrin vetinë e parë.

Kur një numër shumëzohet me zero prodhimi del zero.


xx 0 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10
0 0 0 0 0 0 0 0 0 0 0 0
1 0 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10
2 0 2                  
3 0 3                  
4 0 4                  
5 0 5                  
6 0 6                  
7 0 7                  
8 0 8                  
9 0 9                  
10 0 10                  


2- Plotësoni rreshtin dhe kolonën e dytë dhe ngjyroseni me blu.

Nxënësit do të punojnë si më lart në grup.

Drejtohet përsëri pyetja:

- Çfarë vini re tani?

Nxënësit do të nxjerrin vetinë e dytë.

Çdo numër, i shumëzuar me 1, jep gjithmonë veten.

Vazhdon plotësimi i tabelës dhe nxjerrja e vetive.


Faza e tretë: Të punuarit në bashkëpunim 

Jepet në tabelë vargu:

3, 7, 15, 31,…,…,… 

Kërkohet nga nxënësit të zbulojnë rregullën.

Pasi dëgjohen përgjigjet zbulohet dhe shpjegohet rregulla e përdorur. 

Kërkohet nga grupet të krijojnë situata të thjeshta problemore me një faktor më të madh se 5 të cilat do të zgjidhen nga grupi tjetër duke arsyetuar dhe shpjeguar çdo hap.


Faza e katërt: Punë e pavarur

Nxënësit do të plotësojnë në mënyrë të pavarur  ushtrimet e librit


Faza e pestë: Lojë: “Votoj si në parlament”

Nxënësit do të përdorin kartat për pohimet më poshtë:

-Numrat që shumëzohen quhen mbledhorë.

Shumëzimi zëvendëson mbledhjen e përsëritur.

Etj…………………………………………………… .

Bëhet vlerësimi i punës  në mënyrë të vazhduar  nga mësuesi\ja. 


Faza e gjashtë: Rregullat e lojës

Në këtë faze nxënësit do të dalin në oborr dhe do të ndërthuret edukimin fizik me matematikën.


HAPI I  

- Zhvillohet një vrap i lehtë rreth fushës për nxemje.

- Kryhen ushtrime të thjeshta gjimnastikore. 


HAPI II

- Ndahen nxënësit në grupe me nga 7-8 antarë.

- Theksohen teknikat që do të zbatohen dhe rregullat që duhet të respektohen sipas skemës më poshtë.

- Nxënësit do të pasojnë topin sipas drejtimit të shigjetës . Nxënësi që përgjigjet gabim digjet dhe del nga loja duke u zëvendësuar me një tjetër.

Monitorohet dhe përsëritet veprimtaria.


HAPI III

Kryhen ushtrime për ç’tendosjen e muskujve dhe të rregullimit të frymëmarrjes.

Vlerësimi i situatës.

Situata quhet e realizuar kur nxënësi.

• Shumëzoi me 6,7,8,9,10 vargun e numrave natyrorë deri në 10.

• Zbatoi kuptimin e shumëfishit të një numri gjatë shumëzimit me një faktor më të madh se 5.

• Zbuloi rregullin dhe kryen veprimet gjatë një vargu numrash të dhënë.

• Krijoi problema me shumëzimin e një faktori më të madh se 5. Plotësoi tabelën e shumëzimit deri në 10.

• Përcaktoi vetitë dhe kufizat e shumëzimit.

• Dalloi fjalitë që përdoren në shumëzim dhe në pjesëtim.

• Përcaktoi faktorët kur është dhënë prodhimi dhe anasjelltas.

• Zbatoi rregullat e lojës.

• Bashkëpunoi me shokët e grupit.


Vlerësimi i nxënësve

Nxënësit vlerësohen për përqendrimin e tyre gjatë orës se mësimit.

• Për të punuarit e tyre në grup dhe individualisht.

• Për diskutimin dhe dhënien e ideve të tij në mësim.


Detyrat e dhëna për punë të pavarur: Nxënësit do të plotësojnë fletoren e punës dhe të krijojnë 5 rreshtime dhe një problemë me prodhimet e mësuara.

(Portali Shkollor)

13,938 Lexime
6 vjet më parë