SHEMBULL

Mënyra se si një mësues duhet të vlerësojë një nxënës

Ju paraqesim një shembull vlerësimi që realizon një mësues për nxënësit e tij. Procedura tregohet hap pas hapi si më poshtë...

1.Vlerësimi i vazhduar të ketë peshën 45%, nga ku:

-Përgjigjet me gojë 15%;

-Detyrat me shkrim në klasë 15%, të cilat janë diktime, teste të ndërmjetme ose detyra kontrolli;

-Detyra e shtëpisë 15%.


2. Vlerësimi i projektit, detyrave tematike, detyrave individuale, ose punëve në grup, që kanë vlerën 25% të vlerësimit.


3. Vlerësimi i testit ose detyrës përmbledhëse, që zë peshën 30 % të vlerësimit.


Lind pyetja: Si ndahen detyrat?

Detyrat ndahen në detyra shtëpie dhe klase, si në vlerësimin e vazhduar ashtu dhe në vlerësimin e portofolit, të cilat sa i takon numrit të tyre janë në dorën e mësuesit. Pra, duke u nisur tek hartimi i modelit të ri të evidencës për çdo nxënës, brenda 18 orëve të një lënde mësuesi bën një vlerësim me gojë, një vlerësim detyre shtëpie, një vlerësim detyre klase, një vlerësim test të ndërmjetëm ose diktim (kjo mund të jetë edhe më shumë se në 18 orë), kjo për lëndën Gjuhë shqipe ose Matematikë dhe një vlerësim në punën që bën nxënësi në bashkëpunim, kjo për vlerësimin e vazhduar.


Detyrat e vlerësimit të vazhduar mund të hartohen nga mësuesi në fletë format A4 ose mund të punohen nga nxënësi në fletë format A4.  Për të mos shpenzuar ekonomikisht shumë nxënësin, detyrat e vlerësimit të vazhduar mund të bëhen nga nxënësi në fletore me formatin A4 dhe që fleta e detyrës së punuar mund të shkëputet fare thjeshtë sepse e lejon struktura e ndërtimit të fletores. Gjithashtu, një mundësi tjetër e arsyeshme është që të merret për bazë fletorja e thjeshtë e detyrave të klasës dhe shtëpisë për secilën lëndë që nxënësi mban detyra, duke qenë shembulli më i mirë i koleksionimit të detyrave për vlerësimin e vazhduar, të cilat mund të futen në dosjen e nxënësit  dhe që kanë vlerën reale të  vlerësimit të vazhduar.


Edhe detyrat e portofolit janë në dorën e mësuesit për klasat 1-3 të Arsimit Fillor. Duke u bazuar te kjo gjë si dhe te hartimi i evidencës së re ju mund të planifikoni 5 detyra shtëpie dhe 5 detyra klase për lëndët Gjuhe shqipe dhe Matematikë, kurse për lëndet Dituri natyre dhe Qytetari,  2 detyra shtëpie dhe 2 detyra klase. Detyrat e portofolit hartohen nga mësuesi me kompjuter, duke i pikëzuar ato dhe duke i bërë të qartë nxënësit për kriteret e vlerësimit të tyre. Tek portofoli mund të shtohen edhe detyra tematike të dhëna nga mësuesi ose detyra individuale, që nxënësi i punon me dëshirën e tij, por që edhe këto vlerësohen dhe koleksionohen në portofolin e nxënësit.


(Portali Shkollor)

7,283 Lexime
5 vjet më parë