Të mësuarit me projekte

Matematikë, të ndërtojmë mjete mësimore

Tema “Të ndërtojmë mjete mësimore” në lëndën e matematikës në klasën e 8-të është organizuar për t’u zhvilluar me anë të projektit. Kjo është një metodë mësimore efikase e cila bashkon treshen e suksesit mësues-nxënës-prindër.

PROJEKT

Tema: Të ndërtojmë mjete mësimore

Lënda: Matematikë

Klasa: VIII

Kohëzgjatja e projektit: 3 orë

Ideja e projektit: Ideja e këtij projekti lidhet me aftësimin e nxënësve për të përdorur mjetet rrethanore dhe shndërrimin e tyre në mjete mësimore didaktike. Nxënësit bashkëpunojnë, diskutojnë, punojnë dhe krijojnë mjete konkrete: postera, fjalëkryqe, kuice, kalendarë matematikorë ose aplikacione të ndryshme me ndihmën e kompjuterit.


Ngjarjet hyrëse që frymëzojnë projektin: Shpeshherë në orë të ndryshme mësimi përdoren ndërmjet të tjera, si: mjete mësimore të bëra nga duart e nxënësve ndër vite, shihen punime të tyre të dokumentuara në CD ose demonstrohen materiale të shkarkuara nga interneti.


Partnerët në projekt:

• Nxënësit e klasës VIII

• Mësuesi/ja

• Prindërit


Kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit

Dëgjon me vëmendje prezantimin dhe komentet e bëra, bën pyetje, jep propozime.

Paraqet të paktën një mendim për një detyrë të caktuar gjatë diskutimit në grup.


Kompetenca e të nxënit

Përzgjedh materialet, si p.sh., letrën, për kryerjen e detyrës dhe arsyeton zgjedhjen që ka bërë.

Parashtron pyetje dhe përgjigjet në pyetjet për detyrën e dhënë në njërën nga format e të shprehurit.

Mbikëqyr në mënyrë të pavarur përparimin e vet në një detyrë, veprimtari, duke përdor teknika të ndryshme për gjetjen e gabimeve dhe i korrigjon ato.

Grumbullon dhe klasifikon objektet e krijuara.

Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin

Bashkëvepron me moshatarët (pavarësisht statusit social) dhe të tjerë për realizimin e projektit.

Kompetenca qytetare dhe kompetenca personale

Tregon vetëbesim, kujdes dhe përpikëri gjatë kryerjes së detyrave.

Bashkëpunon me të tjerët për arritjen e një qëllimi të përbashkët në aktivitetet në klasë.

Diskuton dhe në bashkëpunim me anëtarët e grupit vendos rregullat për realizimin e detyrës në grup.


Metodat: Hulumtim i përbashkët, punë individuale, punë në grup, punë në dyshe, diskutim, prezantim.


Burimet e nevojshme: Teksti, mjete vizatimi, karton me ngjyra të ndryshme, letra me ngjyra, letër adeziv me ngjyra, ngjitës, gërshërë, aparat fotosh, materiale nga interneti, laptop, videoprojektor, skica, fotografi etj.


Pyetja kërkimore: A mund të bëjmë mjete të ndryshme mësimore duke përdorur mjete rrethanore?


Veprimtaritë:


Ora I

Gjatë kësaj ore bëhet një prezantim i shkurtër i temës së projektit. Klasa ndahet në grupe, nxënësit diskutojnë duke shfrytëzuar informacione të trajtuara në tekst, në internet, si dhe idetë e tyre. Ata hedhin në letër idetë e tyre caktojnë mjetet që u duhen, caktojnë rolin dhe detyrën e secilit anëtar të grupit. Në fund të orës secili grup paraqet përpara klasës projekt-idetë. Të gjithë nxënësit marrin pjesë në këtë diskutim duke bërë edhe vërejtje e sugjerime për mënyrën e realizimit të mjeteve të përzgjedhura për t’u realizuar.


Ora II

Nxënësit punojnë në grupe. Ballafaqojnë edhe njëherë projekt-idenë. Kontrollojnë mjetet e nevojshme dhe vazhdojnë punën për realizimin e projektit. Ata bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, shkëmbejnë mendime duke dhënë ndihmë konkrete.

Mësuesi/-ja vëzhgon punën e nxënësve gjatë gjithë orës. Mban shënimet e nevojshme, jep ndihmesën e tij/saj për pyetjet që nxënësit mund të kenë, jep sugjerime, nëse e shikon të nevojshme.


Ora III

Gjatë kësaj ore nxënësit do të prezantojnë sipas grupeve mjetet e krijuara. Nxënësit e tjerë mund të bëjnë pyetje të ndryshme për mënyrën se si ato e kanë realizuar atë dhe rëndësinë e tij në orën e mësimit.


Pas përfundimit të prezantimeve, nxënësit votojnë në mënyrë anonime për mjetet që ka krijuar secili grup.


Pasi numërohen votat, shpallet grupi fitues.

Nxënësit plotësojnë një fletë, ku u përgjigjen pyetjeve:

‒ Çfarë ndihme u ofroi ky projekt në matematikë?

‒ Çfarë u pëlqeu më shumë?

‒ Çfarë vështirësish kishit gjatë zhvillimit të tij?

‒ A doni ta vazhdoni këtë projekt më tej?


Vlerësimi i nxënësve:

Duke u bazuar në vlerësimet formuese gjatë projektit (diskutimet, tabelat, vëzhgimin, planet paraprake dhe vazhdimësia e tyre) në dosjet personale dhe në produktin e realizuar, aftësinë për të demonstruar ato që dinë, aftësinë e bashkëpunimit në grup dhe prezantimin, mësuesi/ja bën vlerësimin përmbledhës të nxënësve.

Shënim. Mësuesi/ja mund të diskutojë me nxënësit dhe ata ta zgjedhin vetë temën e projektit që duan të realizojnë, mund t’u sugjerojë nxënësve një projekt që ai/ ajo mendon më të arsyeshëm për grupin e nxënësve që ka.


*Ky projekt i propozuar shërben si një ide për mësuesin/en.


(Materiali u shkëput nga libri i mësuesit i përgatitur nga Albas, Portali Shkollor)

14,230 Lexime
7 vjet më parë