Lasgush Poradeci nën ritmin daktil
Ju sjellim një analizë të poezisë "Vallja e luleve", të shkrimtarit të mirënjohur Lasgush Poradeci, nga Ergert Cenolli. Kjo analizë, u vjen në ndihmë maturantëve, të cilët përballen me të tilla kërkesa në testimin final të maturës shtetërore.
Lasgush Poradeci është mjeshtri më i madh i ritmit në poezinë shqipe. Vargu lasgushjan është një muzikë e brendshme, që porsa e lexon të krijon në vetvete imazhet e tingujve gurgullues që të pushtojnë të gjithin. Larminë e vargjeve, pikturimeve poetike të natyrës, trajtesave filozofike poetike dhe sidomos erotizmin poetik, e shoqërojnë ritme e nota të ndryshme, që herë herë të duken të panjohura e herë herë që rrjedhin për së lashti. Kujtomë “Kënga pleqërishte”, ku tingujt ngjiten e zbresin, shuhen e ngjallen nën një rregullsi polifonike. Ritmet, siç e shkrova më lart, janë të larmishme: daktilë, troke, sponde, jambe etj.
Një prej vjershave tipike të ritmit daktil, është “Vallja e luleve”, që fillon me strofën:
Vijnë vashat, valle –valle,
Gush’e gji stolisura.
Një pëllumb, një sysorkadhe,
Seç vjen m’e mbollisura.
Në vargjet 3 dhe 4, fjalët stolisura dhe mbollisura, janë ndërtuar me ritëm daktil, me nje/ i/ të zgjatur dhe/ u/ dhe /a/ të shkurtra. Kujtojmë se në sitemin silabotonik, daktili përfaqëson një rrokje të gjatë apo të theksuar dhe dy të shkurtra apo të patheksuara. E gjithë vjersha shkon, ashtu siç e ka titullin, nën imazhin e një valleje, mrekullisht harmonike:
Ç’m’i ka hije shtat’ i hedhur,
Hije kraharu´ari,
Pa fillon me zë të dredhur
Motra së këndu´ari
Ju që niseni për lule,
Shoqe moj të mi´jëza
Merr-më-ni as edhe mua
Ndër pyje kori´jëza
Nga studiuesit ky lloj vargu është quajtur edhe “varg rrëshqitës” dhe kjo na bën të bindemi se ky lloj rritmi është një ritëm natyral Ilir, pasi na kujton totemin kryesor të tyre që ishte gjarpëri apo E Ëma e Vatrës. Duke folur për kultin e gjarpërit, prof. dr. Mark Tirta thotë: "Studiuesit, ndër ta dua të përmend R. Ferri e A. Stipteviq, në sajë të shqyrtimit të një materiali mjaft të gjerë, kanë arritur në përfundimin se një nga vatrat ku ky kult ka pasur në lashtësi një përhapje e një peshë të veçantë kanë qenë trojet e Ilirëve. Për më tepër, për këtë kult ka pasur vazhdimësi dhe në Arbërit e Mesjetës e deri në Shqiptarët e sotëm.” (“Mitologjia ndër shqiptarë”, f. 146-147). Na bind për këtë edhe vetë Lasgushi kur në strofën e 6-shtë thotë:
Në ju pyeçin për mua:
Ç’u bë flokbanu´sheja?
Thoni, se më një përrua
E zu gjarpëru´sheja: (theksi, pra përzgjatja ndodh gjithmone në rrokjen e 3-të nga fundi)
Duke iu kthyer ritmit të valles, do të ishte më frytdhënëse për lexuesin e apasionuar, që duke kënduar vjershën të dëgjonte Vallen Pogonishte, për të cilën jam i bindur se është një prej valleve më të e origjinale të trojeve tona (natyrisht duke e pastruar nga përpunimet dhe devijimet që mund t’i ketë bërë koha). Në këtë valle gjithshka “rrëshqet” bukur e natyrshëm dhe valltarët ecin varg e vistër pas njëri-tjetrit me lakime që të krijojnë përshtypjen e gjarpërit apo nepërkës, që shkon rrëshqanthi nëpër bar e lule. Këtë rrëshqitje lozonjare vetë populli e ka mishëruar me vargjet: “Më vrave, të vraftë pika/ moj nepërka pika-pika…”
Edhe poezia e Lasgushit është nën rrëshqitjen lozonjare të “Valles së vashave”, që shkojnë ngadale duke kthyer kokën të presin shoqen e vonuar (të mbollisur). Kjo shoqe e “mbollisur”, është kaq e vonuar pasi është stolisur e rregulluar për t’u takuar me trimin, i cili duket se vjen i shndërruar në formën e “gjarpërushes”, që do të pushtojë belin e flutërës ( e për saktësim, këtu duhet të kujtojmë se edhe flutura rrjedh nga një kafshëzë që para se t’i dilnin krahët, ka qenë kafshëz rrëshqitëse). Ndaj vjersha mbaron me vargjet:
Thoni se ndaj një burimi
Me-të patë flu´turën:
Thoni, seç e zuri trimi
Atë bel-këpu´turën.
Pra, fjala e fundit e vargjeve 3 dhe 4 në të shtatë strofat, është hojëzuar mjeshtërisht nën ritmin daktil, ndaj edhe “Vallja e vashave”, rrëshqet lodrueshëm, ndër pyje, korijëza, luleza e lëndinëza lasgushjane.
(Erget Cenolli; Portali Shkollor)
Program për 28-29 Nëntorin, për klasat e arsimit fillor
Metodat dhe teknikat e mësimdhënies me në qendër nxënësit
Test Përmbledhës, klasa e dytë