Kurrikula e gjimnazit bazuar në kompetenca
Kurrikula bërthamë në klasën X dhe XI është e detyruar dhe e përbashkët për të gjithë nxënësit. Në klasën XII, brenda kurrikulës bërthamë për lëndën “Matematikë”, nxënësit mund të zgjedhin programet sipas niveleve: niveli B ose niveli A+B.
Struktura e kurrikulës në arsimin e mesëm të lartë (gjimnaz) është e organizuar në:
- kurrikul bërthamë;
- kurrikul me zgjedhje;
për ta orientuar nxënësin drejt prirjeve dhe drejt interesave të tij.
Kurrikula bërthamë në klasën X dhe XI është e detyruar dhe e përbashkët për të gjithë nxënësit. Në klasën XII, brenda kurrikulës bërthamë për lëndën “Matematikë”, nxënësit mund të zgjedhin programet sipas niveleve: niveli B (B është niveli bazë) ose niveli A+B (A është niveli i avancuar, që përmban edhe nivelin bazë, pra A+B).
Kurrikula me zgjedhje ofrohet në të tria klasat, por ajo vjen duke u rritur në klasën XII, ku merr përqindje të konsiderueshme të orëve. Kurrikula me zgjedhje fokusohet në zgjedhjen e lëndëve që nuk zhvillohen në bërthamë. Në kurrikulën me zgjedhje, niveli i një lënde nënkupton njëherësh:
- trajtim të lëndës në nivel më të lartë vështirësie;
- zgjerim të përmbajtjes në krahasim me lëndën bërthamë, por përsëri me nivel më të lartë vështirësie se ai i lëndës bërthamë;
- lëndë të re në një fushë të caktuar kurrikulare.
Kurrikula me zgjedhje zgjidhet nga nxënësi për të plotësuar formimin e tij të përgjithshëm, për të përmbyllur studimet në arsimin e mesëm të lartë, si dhe në funksion të ndjekjes së studimeve në arsimin e lartë.
Shkolla ka detyrim t’i sigurojë secilit nxënës:
- kurrikulën e plotë bërthamë;
- numrin e orëve mësimore të kurrikulës me zgjedhje për nxënës;
- numrin e orëve për shërbimin komunitar.
Shkolla duhet të përpiqet që t’u ofrojë nxënësve një larmi sa më të madhe të kurrikulës me zgjedhje, sidomos në klasën XII, që lidhet me:
- lëndët me zgjedhje sipas menysë së planit mësimor;
- gjuhët e huaja të dyta;
- modulet kurrikulare.
Kurrikula në bazë shkolle nuk është e detyruar për nxënësi, por nëse ai dëshiron të zhvillojëaftësitë e tij mund të zgjedhë module kurrikulare nga lista e përcaktuar nga IZHA ose module të hartuara nga shkolla dhe të miratuara nga DAR/ZA-ja përkatëse. Modulet kurrikulare mund të jenë 1 orë ose 2 orë në javë. Modulet kurrikulare apo veprimtaritë e tjera që zhvillohen në kuadër të kurrikulës në bazë shkolle NUK vlerësohen me notë. Ato shënohen vetëm si shlyerje.
Zgjedhja brenda kurrikulës bërthamë
a) Lënda “Matematikë”
Për lëndën “Matematikë” brenda kurrikulës bërthamë nxënësit mund të zgjedhin programet sipas niveleve: niveli B (B është niveli bazë) ose niveli A (A është niveli i avancuar që përmban edhe nivelin bazë, pra A+B).
Programi i lëndës “Matematikë” e nivelit të avancuar përmban edhe programin e lëndës së matematikës së nivelit bazë (A+B) dhe trajtohet si një lëndë e vetme. Kjo nënkupton që nxënësit që do të zgjedhin matematikën e nivelit (A+B) do ta zhvillojnë atë në 6 orë mësimi në javë: në fillim do të zhvillojnë programin e matematikës bërthamë dhe më pas do të vazhdojnë me programin e matematikës së avancuar. Vlerësimi i nxënësit në lëndën e matematikës (A+B) kryhet si për një lëndë të vetme, pra në përfundim të klasës XII nxënësi ka një vlerësim me notë në lëndën e matematikës (A+B).
Kurrikula me zgjedhje në klasën XII
a) Zgjedhja e lëndëve në kurikulën me zgjedhje
Lista e lëndëve me zgjedhje në kurrikulën me zgjedhje përcaktohet në planin mësimor të gjimnazit sipas tabelës së mëposhtme.
Lënda “Letërsi me zgjedhje” ofrohet në klasën XII dhe zhvillohet me 2 orë në javë. Programi i lëndës së letërsisë me zgjedhje zgjeron dhe thellon njohuritë e marra në lëndën e letërsisë bërthamë, si dhe i përgatit nxënësit për studime të mëtejshme. Kjo lëndë ndikon në formimin estetik dhe letrar, si dhe në zhvillimin e aftësive krijuese të nxënësve. Më konkretisht, lënda e letërsisë me zgjedhje u krijon mundësi nxënësve që të njohin më shumë dhe të vlerësojnë pasurinë tonë folklorike, si dhe të analizojnë dhe të gjykojnë ndikimet që letërsia shqipe ka pasur nga folklori, duke marrë kështu trajtën e një letërsie të krahasuar.
Lënda “Gjuhë e huaj e dytë” si pjesë e kurrikulës me zgjedhje nis të mësohet në shkallën e tretë (klasaVI) dhe vazhdon deri në shkallën e gjashtë (klasaXII) me 2 orë mësimore në javë. Nxënësit thellojnë njohuritë e marra në vitet e mëparshme dhe niveli që synohet të arrihet në fund të maturës është A2+ sipas Kuadrit Europian të Referencave për Gjuhët. Nxënësit vlerësohen me notë në këtë lëndë. Kjo lëndë synon aftësimin dhe orientimin e nxënësve për të vepruar në situata të ndryshme komunikimi në gjuhën e dytë që kanë zgjedhur të mësojnë, si dhe i ndihmon ata të bëhen individë të pavarur, të lirë, të kulturuar, mendimtarë kritikë, krijues dhe të aftë të vlerësojnë gjuhën dhe kulturën kombëtare, si dhe ato europiane e botërore.
Lënda “Fizikë me zgjedhje”, e cila zhvillohet në klasën XII me 4 orë në javë, thellon njohuritë dhe konceptet bazë për formimin shkencor të nxënësve në lëndën e fizikës bërthamë, me synim përgatitjen e tyre për të vazhduar studimet në arsimin e lartë. Ky program i ndihmon nxënësit të përvetësojnë njohuritë dhe konceptet kyçe të fizikës, në mënyrë që ato të zhvillojnë aftësitë e tyre për të përballuar sfidat në degët universitare që do të zgjedhin. Programi zhvillon jo vetëm përmbajtjen lëndore, por edhe aftësitë thelbësore për të mësuarin gjatë gjithë jetës, duke u bazuar në mendimin krijues dhe në zgjidhjen e problemeve. Qëllimi është të balancojmë marrjen e njohurive dhe të koncepteve me aftësitë për t’i zbatuar ato në situata të jetës së përditshme.
Lënda “Kimi me zgjedhje” është pjesë e kurrikuës me zgjedhje që zhvillohet në klasën XII, në gjimnaz. Në këtë vit shkollimi, ajo ofrohet si një program i avancuar për nxënësit që synojnë të ndjekin studime të mëtejshme në shkencat kimike dhe në tregun e punës. Programi i lëndës “Kimi me zgjedhje” zgjeron dhe thellon njohuritë e marra në lëndën e kimisë bërthamë. Zbatimi i programit mundëson, gjithashtu, të kuptuarit e thellë të mundësive, sfidave dhe çështjeve etikeqë lindin ose shoqërojnë zbulimet dhe zhvillimet e reja në shkencë dhe në teknologji.
Lënda “Biologji me zgjedhje” ofrohet në klasën XII, sipas një programi mësimor që zhvillohet me 4 orë mësimore në javë. Zbatimi i programitu mundëson nxënësve të zgjerojnë dhe të eksplorojnë në thellësi njohuritë e marra në lëndën e biologjisë bërthamë. Ky program i përgatit nxënësit që dëshirojnë të vazhdojnë studime universitare në fushën e shkencave të natyrës dhe që kërkojnë njohuri të thelluara biologjike. Lënda "Biologji me zgjedhje" synon, gjithashtu, aftësimin e nxënësve për të nxënë gjatë gjithë jetës, në mënyrë të veçantë për kërkimin shkencor, të menduarit në mënyrë krijuese, zgjidhjen e problemit, skicimin teknologjik, komunikimin dhe punën në grup.
Lënda “Histori me zgjedhje” ofrohet në klasën XII dhe nxënësit që zgjedhin ta zhvillojnë këtë lëndë, ndjekin programin mësimor të saj me 4 orë mësimore në javë. Programi i lëndës “Histori me zgjedhje” zgjeron dhe thellon njohuritë e marra në lëndën e historisë bërthamë dhe i përgatit nxënësit për studime të mëtejshme. Lënda “Histori me zgjedhje” synon zhvillimin e koncepteve kyç dhe kompetencave historike të nxënësve përmes trajtimit në mënyrë të integruar të historisë së qytetërimeve botërore dhe të historisë së shqiptarëve në periudhat antike, mesjetare, moderne dhe bashkëkohore. Programi i historisë me zgjedhje i ndihmon nxënësit që të kuptojnë më mirë realitetin e sotëm dhe ngjarjet aktuale që ndodhin, për të bërë lidhjen e së sotmes me të shkuarën historike dhe me perspektivat e së ardhmes.
Lënda “Gjeografi me zgjedhje” ofrohet në klasën XII dhe nxënësit që zgjedhin ta zhvillojnë këtë lëndë, ndjekin programin mësimor të saj me 4 orë mësimore në javë. Programi i lëndës “Gjeografi me zgjedhje” në zgjeron dhe thellon njohuritë e marra në lëndën e gjeografisë bërthamë dhe i përgatit nxënësit për studime të mëtejshme. Lënda “Gjeografi me zgjedhje” synon zhvillimin e kompetencave gjeografike të nxënësve përmes studimit të thelluar të shpërndarjes hapësinore të dukurive dhe të proceseve gjeografike nga pikëpamja rajonale, të mundësive dhe sfidave të ndërvarësisë globale ndërmjet vendeve dhe rajoneve të ndryshme në nivel europian dhe botëror.
Në Shkencat sociale, si pjesë e kurrikulës me zgjedhje në klasën XII, nxënësi mund të zgjedhë të zhvillojë njërën prej lëndëve “Sociologji” ose “Psikologji”, ose mund të zgjedhë t’i zhvillojë të dyja së bashku(Sociologji dhe Psikologji).
Fusha e arteve përbëhet nga tri lëndë (Art pamor, Muzikë, Teatër), të cilat mund të ofrohen si pjesë e kurrikulës me zgjedhje, të pavarura nga njëra-tjetra. Kjo nënkupton që nëse nxënësi ka zgjedhur të zhvillojë lëndën “Muzikë” në klasën X, ai mund të zgjedhë lëndën “Art pamor” në klasën XI dhe lëndën “Teatër” në klasën XII.Në ato raste kur shkolla ka shumë paralele mund të zhvillojë të tria lëndët njëkohësisht, duke i kombinuar të tria lëndët në 2 vitet e tjera, pasi u jepet mundësia të gjithë nxënësve të zhvillojnë njohuritë e tyre në të gjitha lëndët, brenda fushës së arteve.
Lënda “Teknologji e informacionit dhe e komunikimit” në klasën XII zhvillohet me 2 orë mësimore. Në lëndën e TIK-ut nxënësit zhvillojnë të kuptuarit e koncepteve kryesore të shkencave kompjuterike dhe aftësinë e të menduarit kompjuterik, si dhe i aplikojnë ato për të zhvilluar dhe për të përdorur tek sistemet e informacionit. Ato sigurojnë bazat për studimet e larta universitare në Shkencat e Natyrës, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Informatikë, Politeknik etj.
Lënda “Teknologji” ofrohet në klasën XII dhe nxënësit që zgjedhin ta zhvillojnë këtë lëndë, ndjekin programin mësimor të saj me 2 orë mësimore në javë. Lënda e teknologjisë kontribuon në një edukim të balancuar, duke iu dhënë nxënësve një përvojë të gjerë dhe sfiduese, që do t’u krijojë mundësi atyre të fitojnë një grup njohurish, kuptimesh, aftësish njohëse e përpunuese dhe kompetenca të thjeshta, duke i përgatitur në këtë mënyrë që të jenë pjesëmarrës në një botë teknologjike. Lënda krijon mundësi integrimi për njohuritë dhe shkathtësitë të marra në lëndë të tjera, së bashku me cilësitë për hulumtim dhe mendim reflektiv, për gjetjen e zgjidhjeve me vëmendjen e duhur ndaj çështjeve të shëndetit dhe të sigurisë; lehtëson zhvillimin e një sërë aftësive të komunikimit që do t’i nxisin nxënësit të shprehin aftësitë e tyre krijuese në mënyrë praktike dhe me imagjinatë; siguron një kontekst të gjerë, në të cilin nxënësit mund të zbulojnë dhe vlerësojnë ndikimin e teknologjive në ekonomi, në shoqëri dhe në mjedisin përreth.
Lënda “Edukim fizik, sporte dhe shëndet” përveç programit në kurrikul bërthamë, zhvillon edhe tri lëndë me zgjedhje, përkatësisht programet mësimore: “Aerobi”, klasa X, “Fitnes dhe shëndet”, klasa XI dhe “Kondicioni fizik”, klasa XII. Kjo lëndë mësimore do të ndihmojë nxënësit e klasës XII, që nëpërmjet njohurive të saj t’i aftësojë dhe t’i orientojë ata drejt përgatitjes për Universitetin e Sporteve. Programi i lëndës “Kondicioni fizik” është hartuar në përshtatje me veçoritë individuale dhe në grup (fizike, funksionale, psikologjike, njohëse dhe sociale te moshës), të cilat krijojnë mundësi për përmirësimin fiziko-lëvizor, intelektual, shëndetësor dhe formimin e kompetencave që do t’u shërbejnë nxënësve gjatë gjithë jetës.
b) Zgjedhja e moduleve kurrikulare në kurrikulën me zgjedhje
Modulet kurrikulare mund të jenë module profesionale që zhvillojnë tek nxënësi aftësi të nevojshme për tregun e punës ose module që zhvillojnë çështje ndërkurrikulare dhe lëndore. Lista e moduleve kurrikulare që zhvillohen në kurrikulën me zgjedhje përcaktohet nga IZHA, si më poshtë:
Modulet kurrikulare me zgjedhje të karakterit të përgjithshëm
Nr. | Modulet lëndore | Orë mësimore |
---|---|---|
1. | Edukimi financiar | 36 orë |
2. | Edukimi për karrierë | 36 orë |
3. | Ndryshimet klimaterike | 36 orë |
4. | Trashëgimia kulturore | 36 orë |
5. | Edukimi shëndetësor, aftësim për jetën dhe edukim seksual | 36 orë |
6. | Pronësia intelektuale | 36 orë |
7. | Të folurit në publik | 36 orë |
8. | Markat dhe patentat | 36 orë |
9. | Algjebër dhe kombinatorikë e përparuar | 34 orë |
10. | Elemente të astrofizikës dhe kozmologjia | 34 orë |
Modulet kurrikulare me zgjedhje të karakterit profesional
Modulet profesionale | Orë mësimore |
---|---|
1. Fusha e industrisë së turizmit dhe të mikpritjes a) Guida turistike b) Etika e të ushqyerit dhe shërbimi në bar-restorant | 36 orë 36 orë |
2. Fusha e shërbimeve elektro-shtëpiake Punime të montimit të pajisjeve të shtëpisë | 36 orë |
3. Fusha e mekanikës Punime të riparimit dhe të mirëmbajtjes mekanike | 36 orë |
4. Fusha e arredimit dhe e stilimit Etika e të veshurit dhe e arredimit | 36 orë |
5. Fusha e parukerisë dhe e estetikës Estetika dhe truku | 36 orë |
6. Fusha e teknologjisë ushqimore Përpunimi i produkteve ushqimore | 36 orë |
7. Fusha e bujqësisë dhe veprimtaritë bujqësore, si dhe ndikimet e saj në jetën e përditshme Kopshtaria | 36 orë |
8. Fusha e veterinarisë Kujdesi për kafshët e shoqërimit 9. Fusha e laboratorit Veprimtari për asistent laboratori | 36 orë 36 orë |
10. Fusha e sekretarisë Veprimtari për asistent zyre | 36 orë |
11. Fusha e kujdesit për klientin Veprimtari për shërbimin e klientit | 36 orë |
Modulet kurrikulare në kurrikulën me zgjedhje mund të kryhen në ato raste kur shkolla ka mundësi që t’i ofrojë dhe në rast se nxënësi ka interes për to. Në rast të kundërt ato mund të plotësohen me lëndë të tjera nga kurrikula me zgjedhje. Në kurrikulën me zgjedhje modulet kurrikulare planifikohen dhe vlerësohen njësoj si lëndët e tjera të planit mësimor.
Nxënësi mund të zgjedhë module kurrikulare nga lista e moduleve lëndore ose/dhe profesionale të përcaktuara nga IZHA.
c) Zgjedhja e nxënësit në klasën XII
Bazuar në interesat e nxënësit, zgjedhjet e lëndëve në klasën XII orientohen duke pasur parasysh edhe kriteret e vendosura nga Institucionet e Arsimit të Lartë. Gjatë periudhës prill – maj të klasës XI, nxënësi parashikon zgjedhjet e tij në një formular të hartuar nga vetë shkolla.
Shkollat mund të zhvillojnë vetë instrumente që i vijnë në ndihmë për përzgjedhjen e lëndëve nga nxënësit dhe në formimin e klasave me zgjedhje, sikurse mund t’i referohet modeleve të mëposhtme të sugjeruara.
Një model formulari është dhënë si më poshtë:
Formular për përzgjedhjen e lëndëve nga kurrikula me zgjedhje në klasën XII të gjimnazit
I dashur nxënës,
Ky formular plotësohet nga Ju.
Në klasën XII, përmes këtij formulari ju do të përzgjidhni lëndët me zgjedhje që dëshironi të mësoni. Lëndët me zgjedhje synojnë të zgjerojnë mundësitë tuaja për studime të mëtejshme në jetë dhe për tregun e punës. Bashkëngjitur këtij formulari në shtojcë jepet numri minimal dhe maksimal i orëve mësimore të kurrikulës me zgjedhje në klasën XII, si dhe lista e lëndëve dhe e moduleve me zgjedhje, nga të cilat ju mund të zgjidhni të studioni në këtë klasë.
Referuar kësaj liste, ju jeni të detyruar të bëni zgjedhjet tuaja, duke i renditur ato nga zgjedhja e parë (1 – më e preferuara) deri tek e fundit (më pak e preferuara). Formulari do të plotësohet së bashku me prindin ose me kujdestarin tuaj. Formulari i firmosur nga prindi ose kujdestari juaj do t’i dorëzohet mësuesit kujdestar.
Shkolla do të shqyrtojë preferencat tuaja për lëndët me zgjedhje për t’i plotësuar ato sa më mirë. Ajo do të shqyrtojë edhe mundësitë e saj për secilën lëndë, duke u bazuar në: numrin e domosdoshëm të nxënësve për të hapur një klasë; praninë e mësuesve të kualifikuar për lëndët e përzgjedhura në shkollë; ekzistencën e mjediseve për klasa.
Kurrikula me zgjedhje, Klasa XII
Lëndët | Orë mësimore/javë | Renditja |
---|---|---|
Shembull
Lëndët sipas planit mësimor | Orë mësimore/javë | Lënda e renditur sipas preferencës së nxënësit |
---|---|---|
Letërsi | 2 | 10 |
Gjuhë e huaj e dytë | 2 | 2 |
Matematikë e avancuar | 2 | 3 |
Fizikë | 4 | 1 |
Kimi | 4 | 5 |
Biologji | 4 | 6 |
Sociologji | 2 | 12 |
Psikologji | 2 | 14 |
Histori | 4 | 8 |
Gjeografi | 4 | 4 |
Arte | 2 | 7 |
TIK | 2 | 13 |
Teknologji | 2 | 11 |
Edukim fizik | 1 | 9 |
Module kurrikulare (Këtu nga lista e moduleve të miratuara nga MASR dhe të hartuara nga IZHA shënohen modulet që mundëson shkolla) | Max8 | 15 |
Shembull i zgjedhjeve të nxënësit në klasën XII
Fushat | Zgjedhja Varianti 1 (17 orë kurrikul bërthamë) | Zgjedhja Varianti 2 (17 orë kurrikul bërthamë) | Zgjedhja Varianti 3 (19 orë kurrikul bërthamë me matematikë të avancuar) | Zgjedhja Varianti 4 (17 orë kurrikul bërthamë) |
---|---|---|---|---|
Letërsi | 2 orë | |||
Gjuhë e huaj e dytë | 2 orë | 2 orë | ||
Shkencat e natyrës (Fizikë, Biologji, Kimi) | -Fizikë (4 orë) - Biologji (4orë) - Kimi (4 orë) | - Biologji (4 orë) - Kimi (4 orë) | ||
Shoqëria dhe mjedisi Shkenca sociale (Histori, Gjeografi, Sociologji,. Psikologji etj.) | - Histori (4 orë) - Psikologji (2 orë) - Sociologji (2 orë) | Psikologji (2 orë) | Sociologji (2 orë) | |
Arte (Teatër, Muzikë, Art pamor) | Art pamor (2 orë) | |||
Edukim fizik, sporte dhe shëndet (Sporte) | 1 orë | 1 orë | 1 orë | |
Teknologji dhe TIK | TIK (2 orë) | |||
Module kurrikulare | 1 orë | 4 orë | ||
Totali | 13 orë | 13 orë | 11 orë | 13 orë |
d) Formimi i klasave në klasën XII
i) Shkolla duhet të bëjë çmos të përmbushë kërkesat mbizotëruese të nxënësve. Kështu kur shumë nxënës kërkojnë sociologjinë si lëndë me zgjedhje, por shkolla nuk ka mësues të kësaj lënde, atëherë drejtori i shkollës, i ndihmuar me përparësi nga
DAR/ZA-ja, duhet të përpiqet që të sigurojë mësues të lëndës së sociologjisë.
ii) Në klasën XII:
- në rast se për një lëndë me zgjedhje formohen dy ose më shumë paralele, shkolla do të zbatojë pikën 4b të udhëzimit nr. 44, datë 16.10.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e MASH nr. 21, datë 23.07.2010 për normat e punës mësimoreedukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.
- në rast se për një lëndë me zgjedhje formohet vetëm një paralel, shkolla mund të formojë një klasë me jo më pak se 20 nxënës.
iii) Nëse shkolla në klasën e 12-të nuk ofron mundësi për të zhvilluar lëndë me zgjedhje sipas kërkesave të nxënësve (për shkak të numrit të vogël të nxënësve që e kërkojnë këtë lëndë), në raste specifike kur lënda është kriter për vazhdimin e studimeve në arsimin e lartë, DAR/ZA-ja përkatëse mund të organizojë klasa në nivel DAR/ZA-je.
Mësimi mund të zhvillohet nga një mësues i caktuar nga DAR/ZA, duke e llogaritur në normën e tij sipas një orari të përcaktuar nga DAR/ZA. Nxënësit që do të zhvillojnë këtë lëndë njoftohen nga shkolla përkatëse për orarin dhe për shkollën ku do të zhvillohet kjo lëndë. E gjithë procedura e frekuentimit të mësimit, planifikimit, organizimit të orëve mësimore, vlerësimit të nxënësve etj., është njësoj si për të gjitha lëndët e tjera. Mësuesi mban regjistrin e kësaj klase dhe në përfundim të vitit shkollor përgatit një vërtetim për frekuentimin dhe për vlerësimin e nxënësve, të cilën e miraton me firmë dhe vulë në DAR/ZA dhe e dërgon në shkollat përkatëse të nxënësve. Drejtuesit e shkollave ruajnë vërtetimin përkatës duke e bashkëngjitur në regjistrin e klasës ku figuron nxënësi dhe pasqyrojnë në dokumentacion (amzë, dëftesë etj.) të dhënat për këtë lëndë.
iv) Për të lehtësuar mbarëvajtjen e procesit mësimor sugjerojmë që shkollat të organizojnë mësimin në mjedise të përcaktuara sipas mësuesve. Kjo nënkupton që nxënësit të zhvillojnë mësimin e një lënde të caktuar në mjedisin e mësuesit përkatës sipas orarit mësimor. P.sh., mësuesi i lëndës “Biologji” ka mjedisin e tij të mësimit dhe klasat që zhvillojnë lëndën “Biologji” me këtë mësues do të shkojnë në mjedisin përkatës sipas orarit mësimor. Organizimi i orëve të njëpasnjëshme (45 min+45 min) e lehtëson shumë këtë formë të organizimit të klasave.
Matura Shtetërore
Nxënësi pranohet në provimet e Maturës Shtetërore kur ai njëherësh:
- është kalues në të tri klasat e gjimnazit;
- ka kryer shërbimin komunitar.
Provimet e Maturës Shtetërore janë katër, si më poshtë:
a) Tri provime të detyruara dhe të përbashkëta për të gjithë nxënësit:
- Gjuhë shqipe dhe letërsi (bërthamë);
- Matematikë (niveli B - bazë);
- Gjuhë e huaj e parë (niveli me të cilin përmbyllet klasa XII).
b) Një provim i detyruar me zgjedhje. Nxënësi zgjedh një provim nga menyja e provimeve me zgjedhje. Ai ka të drejtë të zgjedhë lëndën/t edhe nëse nuk i ka zhvilluar ato gjatë viteve të shkollimit ose nuk i janë mundësuar nga shkolla. Për shembull, një nxënës mund të mos e zhvillojë si lëndë me zgjedhje, lëndën “Gjeografi” në klasën XII, por ai ka të drejtën ta japë këtë lëndë provim me zgjedhje, nëse ai e përzgjedh atë si provim me zgjedhje. Në tabelën më poshtë jepet menyja e lëndëve me zgjedhje:
Shkollat e arsimit të mesëm të lartë
Nr | Lënda | Orë gjithsej |
---|---|---|
1. | Kimi (bërthamë + zgjedhje) | 8 orë |
2. | Fizikë (bërthamë + zgjedhje) | 8 orë |
3. | Biologji (bërthamë + zgjedhje) | 8 orë |
4. | Histori (bërthamë + zgjedhje) | 8 orë |
5. | Gjeografi (bërthamë + zgjedhje) | 8 orë |
6. | Qytetari (bërthamë) dhe Psikologji (me zgjedhje) | 4 orë |
7. | Filozofi (bërthamë) dhe Sociologji (me zgjedhje) | 4 orë |
8. | Ekonomi (bërthamë) | 3 orë |
c) Nëse nxënësi zgjedh të japë provimin me zgjedhje “Qytetari dhe Psikologji”, provimi konsiderohet një i vetëm dhe integron rezultate të nxëni nga të dyja lëndët (Qytetari dhe Psikologji). Nëse nxënësi zgjedh të japë provimin me zgjedhje “Filozofi dhe Sociologji”, provimi konsiderohet një i vetëm dhe integron rezultate të nxëni nga të dyja lëndët (Filozofi dhe Sociologji).
(IZHA, Portali Shkollor)
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Gjeografi, teste përmbledhëse për periudhën e parë për klasën VI, VIII, X, XII
Model testimi në lëndën gjuha shqipe, klasa e 11