Gabimet, si t’i mësojmë nxënësit të mos kenë frikë?
Si t’i ndihmojmë nxënësit për të ndryshuar mendim në lidhje me gabimet, të cilat i bëjnë gjatë kryerjes së një detyre
Të gjithë ne, mësuesve, na rastis që të përballemi me nxënës të cilët japin përgjigje të gabuara, me nxënës që qeshin me gabimet e të tjerëve, apo me nxënës që heshtin me frikën se mos përgjigjen gabim. Hulumtimet tregojnë se, ne mësojmë më shumë kur jemi të angazhuar në një punë të vështirë gjatë sëcilës bëjnë gabime, dhe mësojmë nga këto gabime. Për fat të keq, shumë nxënës janë të frikësuar se mund të bëjnë gabime dhe për të shmangur ato, nuk ndërmarrin detyrën fare ose nuk japin përgjigje për një detyrë apo pyetje.
Gjatë jetës, ne kemi mësuar nga gabimet tona, por sa i mësojmë nxënësit tanë që të mos kenë frikë nga gabimet, por t’i duan ato. T’i duan, sepse ato i mësojnë të rriten, të bëhen më të mënçur.
Në mënyrë që të ndihmojmë nxënësit që të zhvillojnë një mentalitet të ri në lidhje me mënyrën se si ata mendojnë për gabimet, mësuesit munden dhe duhet të zhvillojnë strategji që t’u japin mundësinë nxënësve që të reflektojnë rreth vlerës së gabimeve të tyre që të kuptojnë se gabimet janë një mundësi për t’u rritur e mençuruar.
Është e rëndësishme që t’u tregojmë nxënësve që të mos kenë frikë nga gabimet. Për këtë mund të zhvillojmë një bisedë me ta duke i pyetur se çfarë mund të mësojnë nga gabimi. Kjo gjë nuk bëhet thjesht duke u thënë që ne mësojmë nga gabimet, por duke zhvilluar një bisedë me pyetje konkrete si psh:
Si ndiheni kur bëni një gabim?
Pse?
Si mendoni se ju shohin njerëzit e tjerë kur gaboni?
A keni zbuluar ndonjë gjë të re nga gabimi që keni bërë?
A ju ka bërë gabimi të mendoni më thellë për atë problem?
A jeni ndjerë krenar për këtë gjë?
Kjo punë nuk duhet të mbarojë me kaq, por të thellohemi në një analizë që i bën nxënësit të kuptojnë se pse gabuan, pra e rëndësishme është që të analizohen gabimet. Për këtë ju mund të vazhdoni bashkëbisedimin pasi nxënësit zgjidhin ndonjë ushtrim, problem apo ndonjë detyrë. Për të reflektuar rreth gabimit u drejtojmë pyetje të tilla:
- Çfarë ndodhi kur bëtë gabim? (kur dhatë përgjigjen e gabuar, ose varjantin tuaj të përgjigjes)?
- Si e kuptuat që jeni gabim?
- Pse e dije gabim (në atë mënyrë) zgjidhjen e ushtrimit / problemës etj?
- Si u ndjeve, kur e kuptove që nuk je duke dhënë përgjigjen e duhur?
- Çfarë mësove prej saj?
- A e kuptove se mësove nga gabimi?
Duke zhvilluar një strategji të tillë, nxënësit do të ndihen më të sigurtë, nuk do të rrëzohen me gabimin e parë, do të rritin vetëbesimin e tyre dhe do të vlerësojnë punën e tyre.
Ju uroj punë të mbarë!
(Përgatiti: Drita Kolndreu, Portali Shkollor)
Pyetësor për nxënësit dhe mësuesit
Program kopshti për Festat e 28-29 Nëntorit
Test "Dituri Natyre", klasa e tretë