“Fluturon, fluturon...” në klasë luajmë dhe mësojmë
...Kështu, kështu, -thotë mësuesi, edhe qeni fluturon? Duhet të jeni më tepër të vëmendshëm, që të mos thoni edhe elefanti fluturon!
Si lëviz secili?
Kjo lojë nuk kërkon ndonjë përgatitje të posaçme nga mësuesi. Për nxënësit është pak më e vështirë sepse zhvillohet me ritme të shpejta dhe kështu ata mund të gabojnë më shumë.
Fillimisht mësuesi zhvillon një bisedë paraprake, të shkurtër se si lëvizin kafshët e ndryshme: fluturojnë, notojnë, zvarriten etj. Pastaj iu shpjegon nxënësve lojën, duke zgjedhur fillimisht një tip lëvizjeje.
Unë do t’iu përmend emra kafshësh, shpendësh e sendesh të tjera. Nëqoftëse sendi i përmendur prej meje fluturon ju do të ngrini lart dorën e djathtë dhe thoni “fluturon”. Nëqoftëse nuk mund të fluturojë heshtni dhe mos e ngrini dorën, -shpjegon mësuesi.
- Po fillojmë: Harabeli?
- Fluturon.
- Korbi?
- Fluturon.
- Balona?
- Fluturon.
- Helikopteri?
- Fluturon.
- Qeni?
- Shumë fëmijë ngrenë dorën dhe thonë “fluturon”.
- Kështu, kështu, -thotë mësuesi, edhe qeni fluturon? Duhet të jeni më tepër të vëmendshëm, që të mos thoni edhe elefanti fluturon!
- Mësuesi vazhdon. Aeroplani?
- Fluturon.
Pavarësisht paralajmërimit të mësuesit fëmijët mund të gabojnë përsëri. Kur loja zhvillohet në një grup të vogël mund të bëhet si rregull që ai nxënës që gabon të dalë nga loja.
Kush dëgjon më mirë?
Të gjithë fëmijët mbyllin sytë dhe dëgjojnë me vëmendje sa herë mësuesi do të përpjekë duart ose do të trokasë me kalem mbi tryezë, mbi zile ose mbi ndonjë objekt tjetër. Më vonë të thërritet pranë tryezës një nxënës, i cili troket disa herë dhe nxënës të tjerë gjejnë përgjigjen (numërojnë).
Ose mund të ngrihen dy nxënës. Njërit prej tyre i lidhen sytë, tjetri i tregon klasës me gishtërinj se sa herë do të trokasë. Nxënësi i parë thotë numrin e goditjeve. Klasa kontrollon si nxënësin e parë ashtu dhe të dytin.
(A. Hoxhaj; Portali Shkollor)
Teste vlerësimi për klasën e parë
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Testime dhe detyra përmbledhëse për Arsimin Fillor, viti shkollor 2023-2024