Sistemi arsimor parauniversitar

Fjalori i vlerësimit të nxënësit

Qëllimi kryesor i vlerësimit është marrja e vendimeve që synojnë përmirësimin e rezultateve të të nxënit dhe vetë procesin e të nxënit. Marrja e vendimeve kërkon grumbullimin e vazhdueshëm të informacionit për të matur e për të vlerësuar...

Vlerësimi në arsim është procesi gjatë të cilit mblidhen të dhëna dhe gjykohet për vlerën e arritjes së një rezultati arsimor, mbi bazën e një kriteri të caktuar. Qëllimi kryesor i vlerësimit është marrja e vendimeve që synojnë përmirësimin e rezultateve të të nxënit dhe vetë procesin e të nxënit. Marrja e vendimeve kërkon grumbullimin e vazhdueshëm të informacionit për të matur dhe për të vlerësuar të gjitha aspektet e procesit. Praktikat e vlerësimit kanë ndikim vendimtar në procesin e të nxënit.


1. Besueshmëri në vlerësim

Masa në të cilën një vlerësim, i përsëritur në kushte të ngjashme, do të arrijë të njëjtin rezultat.


2. Drejtësi në vlerësim 

Procesi i vendosjes së standardeve për vlerësimin e përgjigjeve të nxënësve në detyra të ndryshme, në mënyrë që të dhënat e nxjerra të jenë të besueshme dhe të vlefshme për qëllimet e synuara. Në shkolla, drejtësia nënkupton diskutimin e stafit të mësuesve për detyrat dhe punët e nxënësve në raport me standardet e përcaktuara dhe përcaktimin e nivelit të arritjeve për çdo detyrë të nxënësit (me marrëveshje të mësuesve).


3. Nivel arritjeje 

Një deklaratë që përcakton masën në të cilën është arritur rezultati i të nxënit ose nivelin e njohurive dhe të kompetencave kyçe.


4. Paanshmëri në vlerësim

Paanshmëria në vlerësim i referohet nevojave dhe karakteristikave të nxënësit dhe çdo mjeti të arsyeshëm që përdoret duke i marrë parasysh ato. Është e rëndësishme që të sigurohen mundësitë që nxënësi të informohet, të kuptojë, të marrë pjesë në procesin e vlerësimit dhe ta pranojë e miratojë atë si të përshtatshëm. Paanshmëria në vlerësim përshin edhe të drejtën e nxënësit për të kundërshtuar rezultatin e vlerësimit dhe të rivlerësohet, nëse shihet e nevojshme.


5. Përgjegjësi dhe llogaridhënie

Proces në të cilin aktorët njohin, marrin përgjegjësi dhe japin llogari për vendimet, veprimet dhe pasojat e tyre. Llogaridhënia është e rëndësishme sidomos në kontekstin e decentralizimit të sistemit arsimor, i cili nxit autonominë shkollore, duke përfshirë edhe vendimet në lidhje me kurrikulën.


6. Rezultat të nxëni 

Termi ka kuptim të dyfishtë. Së pari, është deklaratë që përshkruan atë se çfarë duhet të dinë, të vlerësojnë dhe të jenë në gjendje të bëjnë si duhet nxënësit. Së dyti, u referohet njohurive të reja, kompetencave etj., që ndërton dhe përsos personi/grupi, pasi përmbyll nivelin arsimor. Rezultati i të nxënit është koncept kyç për hartimin e mjeteve që mundësojnë transparencën, krahasimin, transferimin dhe njohjen e kualifikimeve në mes vendeve të ndryshme, në nivele të ndryshme.


7. Teknikë vlerësimi 

Teknika e vlerësimit ka të bëjë më mënyrën se si vlerësohen arritjet e nxënësve, e cila përfshin matjen direkte (teste, punët e nxënësit, detyrat, prezantimet, dosjen etj.) dhe matjen indirekte (vetëvlerësime, vëzhgime, intervista etj.)


8. Test 

Një provim ose vlerësim që përdoret për të matur njohuritë dhe shkathtësitë e fituara nga nxënësi. Testet mund të hartohen dhe zhvillohen nga mësuesit ose nga një agjenci e jashtme.


9. Testim i standardizuar 

Teste që hartohen, zhvillohen dhe vlerësohen në kushte të barabarta, sipas disa procedurave të hartuara në mënyrë të tillë që të sigurojnë rezultate të qëndrueshme, të cilat mund të shërbejnë për të bërë krahasime.


10. Vlerësim 

Vlerësimi në arsim është procesi gjatë të cilit gjykohet mbi bazën e një kriteri për vlerën e një rezultati arsimor, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga procesi i të nxënit.


11. Vlerësim për të nxënët / Vlerësim formativ

Vlerësim i kryer gjatë gjithë procesit mësimor me qëllim nxitjen e procesit të të nxënit. Ky vlerësim e sheh të nxënit si proces e jo vetëm si rezultat. Nxënësit ndërgjegjësohen për pikat e forta dhe nevojat në procesin e të nxënit dhe u jepet mbështetja e duhur për të kapërcyer vështirësitë në procesin e të nxënit.


12. Vlerësim i të nxënit / Vlerësim përmbledhës

Vlerësim i arritjeve të nxënësve për të siguruar informacion në lidhje me progresin e tyre (arritjet e tyre në fusha të ndryshme të kurrikulës /lëndëve mësimore dhe zotërimin e kompetencave). Ky proces shpesh përfshin përdorimin e testeve të standardizuara dhe përdoret për qëllime promovimi ose diplomimi.


13. Vlerësim i performancës së nxënësit

Vlerësim që projektohet për të matur dhe gjykuar çfarë nxënësit dinë dhe janë të aftë të bëjnë duke u bazuar në mënyrën se si ata kryejnë detyra të caktuara.


14. Vlerësim i brendshëm 

Vlerësimi që kryhet rregullisht nga mësuesit në klasë si pjesë e mësimit të tyre dhe e metodologjisë së mësimdhënies. Ai ofron informacion rreth cilësisë së të nxënit dhe mbështet përmirësimin e tij të vazhdueshëm.


15. Vlerësim që i referohet kritereve

Vlerësim i progresit dhe i arritjeve të nxënësit duke iu referuar një grupi kriteresh të përcaktuar më parë.


16. Vlerësim diagnostikues 

Vlerësim që identifikon nivelet e arritjeve të nxënësve, për të orientuar mësimin drejt plotësimit nevojave të tyre për nxënie.


17. Vlerësim kombëtar i arritjeve të nxënësve

Një ushtrim, një detyrë ose një veprimtari që zhvillohet në nivel kombëtar për të përcaktuar dhe matur arritjet e nxënësve në një fushë të nxëni ose lëndë mësimore. Në këtë lloj vlerësimi mblidhen të dhëna për nivelin e arritjeve të nxënësve në sistemin arsimor në tërësi, në një moshë ose klasë të caktuar. Normalisht këtu përfshihet edhe administrimi i testimit që zhvillohet për të gjithë nxënësit e një niveli arsimor ose për një pjesë të tyre (me kampionim).


18. Vlerësim i jashtëm i nxënësit

Një proces dhe metodë vlerësimi që e zhvillon dhe e përdor një agjenci apo organ vlerësues (jo shkolla). Ky proces zakonisht përfshin testimin e standardizuar dhe shpesh shërben për të klasifikuar kandidatët për mundësitë e mëtejshme arsimore dhe për qëllime certifikimi.


19. Vlerësim i nxënësve për njëri-tjetrin

Vlerësim i një pune ose një detyre të nxënësit nga nxënësit e tjerë të klasës.


20. Vlerësim i portofolit (dosjes) të nxënësit

Vlerësim i koleksionit të punimeve të nxënësit (detyra ose punë me shkrim, skica, punë artistike, prezantime etj.) të cilat pasqyrojnë zotërimin e kompetencave dhe progresin e nxënësit.


21. Vetëvlerësim i të nxënit

Vlerësim nga i cili nxënësi mbledh informacion dhe reflekton rreth të nxënit e tij; gjykon për të në raport me objektivat dhe kriteret e vendosura; identifikon përparësitë e dobësitë dhe i përmirëson në përputhje me rrethanat.

14,875 Lexime
4 vjet më parë