Historia e dokumentit

“Fjalët i merr era, ajo që shkruhet mbetet”

Fillimisht ishte dëshira për të lënë gjurmë te një ngjarje, fenomeni apo për të komunikuar ndërmjet tyre, por dalëngadalë njeriu kuptoi se ajo që fiksohej diku, pra shkruhej ishte shumë më jetëgjatë sesa komunikimi gojor midis tyre

Fjalët i merr era, ajo që shkruhet mbetet”,“Verbavolant, scriptamanent”, kjo shprehje që na vjen nga Roma antike tregon më së mirë rëndësinë e jashtëzakonshme që pati zbulimi i shkrimit  për njeriun si individ dhe shoqërinë njerëzore.

Fillimisht ishte dëshira për të lënë gjurmë te një ngjarje, fenomeni apo për të komunikuar ndërmjet tyre, por dalëngadalë njeriu kuptoi se ajo që fiksohej diku, pra shkruhej ishte shumë më jetëgjatë sesa komunikimi gojor midis tyre. Shoqëria njerëzore pëson ndryshime rrënjësore me kalimin e shekujve. Ndryshime në të gjitha fushat e jetës, në rrafshin e sistemeve shoqërore, në atë zhvillimit ekonomik, në atë shoqëror, në art, kulturë e shkencë, ndikojnë fuqishëm edhe në krijimin e një pasurie tejet të veçantë, të brishtë e të rrallë, të mbrojtur me fanatizëm e të lakmuar, e veshur me mister e shumë domethënëse, atë që ne sot e  quajmë thesari dokumentar. Një thesar krejt ndryshe nga ai që jemi mësuar rëndom ta cilësojmë si të tillë, që është ai në metal e gurë të çmuar apo në vepra arti e stoli. Thesari dokumentar, i ruajtur në arkiva e biblioteka, bëhet pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme e të gjitha sistemeve politiko-shoqërore ndër mijë vjeçarë, por edhe në ditët tona. Dhe këtu na vjen prapë në ndihmë për të përkufizuar vlerën që kanë patur e vazhdojnë të ketë kudo ky thesar një tjetër shprehje, “Dokumenti është pushtet”. Kjo shprehje ka disa kuptime:

a)      Vetëm me anë të një dokumenti mund të identifikohesh cili je, çfarë detyre kryen, çfarë zotëron etj. etj.

b)      Vetëm me anë të dokumenteve mund të ushtrosh a kryesh një detyrë apo një funksion.

c)      Vetëm me anë të dokumenteve mund të kërkosh një të drejtë që të takon apo që të është mohuar, etj.etj

E kështu mund të vazhdojmë të numërojmë një listë të gjatë të rasteve kur një dokument është i domosdoshëm.  Pra e gjithë jeta e individit dhe për rrjedhojë e gjithë shoqërisë njerëzore është e lidhur pazgjidhshmërisht me dokumentin.

Gërma e shkrimet

Fillimisht njeriu nisi të bëjë vizatime të botës që e rrethonte apo edhe të veprimtarisë së vet të përditshme në shpellat, ku ai jetonte. Të tilla janë gjetur edhe në vendin tonë.

Këto vizatime të mrekullueshme ndoshta ishin shkëndija e parë që më pas njeriu arriti të krijoi disa të tjera shenja për të transmetuar atë çka shikonte, ndiente, mendonte e kërkonte t’jua transmentonte të tjerëve. Kështu lindën gërmat. Tërësia e gërmave apo shenjave përbën një alphabet dhe të tillë popuj të ndryshëm krijuan gjithsecili të vetin. Hebrenjtë e lashtë, popujt e Mesapotamisë, egjiptianët e lashtë, indianët, kinezët, grekët e vjetër, latinët etj., përdorën gërma që përdoren ende edhe sot, të tjera i përkasin tashmë grupit të gjuhëve të vdekura, e të tjera evoluan me kalimin e shekujve.

Materialet e përdorura për krijimin e dokumenteve

Gjethet e pemëve, në latinisht folia, u përdorën më pas për të shkruar, por ato ishte e pamundur të ruheshin gjatë. Gjithnjë duke e parë pemën si një mundësi për të shkruar në të, u përdor për një kohë pjesa e brendshme e lëvores së pemëve, në latinisht liber, por edhe ky lloj materiali nuk kishte jetëgjatësi. Kjo fjalë vjen edhe fjala me kuptimin libër.

Në këto kushte fillon përdorimi i dyllit të bërë si pllakë ose i vendosur mbi një tjetër material. Dylli ishte mjaft i lehtë për t'u manovruar, pra mbi të mundej lehtësisht të shkruhej, por nxehtësia ishte armiku kryesor i këtij dokumenti.

Pllakat prej argjile të pjekura kanë patur jetëgjatësi më të madhe, por edhe ky lloj dokumenti kishte dy probleme të mëdha që shtyu njerëzit të mendonin e të gjenin një material tjetër më të përshtatëshëm. Pllakat e argjilës ishin të rënda për t'u transportuar dhe lehtësisht të thyeshme.

Egjiptianët e lashtë ja dolën të gjenin një bimë, e cila mbas një trajtimi të posaçëm të prodhonin një material të lehtë si peshë dhe mbi të cilin shkruhej shumë bukur. Ky ishte papirusi, bimë që rritej buzë Nilit në mënyrë natyrale. Gjithsesi duke qenë se papirusi ishte një prodhim ekskluziv i Egjiptit të lashtë, dhe që Faraoni për një motiv ose tjetër mund të ndalonte eksportin e tij detyroi sundimtarët e botës antike të gjenin të tjera zgjidhje.

Është mbreti Eumeni i II i Pergamit (195-158 para Krishtit) që prodhoi një tjetër material ku mund të shkruhej, lëkurë të bagëtive dhe që më vonë mori emrin pergamen.

Letra është materiali  më modern që gradualisht zëvëndësoi të gjithë të tjerat dhe është një shpikje e kinezëve. Mbërriti në Europë qysh nga fundi i shekullit të 11 nëpërmjet arabëve në fillim në Spanjë e më pas në gjithë botën e qytetëruar.

Së fundmi në jetën tonë ka ardhur një dokument i ri, që nuk e prekim me dorë, por arrijmë ta krijojmë e ta shohim. Ky është dokumenti dixhital, elektronik.

(Portali Shkollor)

4,334 Lexime
8 vjet më parë