Fëmija s'duhet ta mbushë ditën me lojëra elektronike
Kjo “gjë”, ky problem, është i gjithi në “dorën” e të rriturit. Nëse i rrituri është i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm për fëmijën, nuk ndodh asgjë e keqe
Fëmija natyrisht, që do të merret edhe me mjetet elektronike, madje me shumë seriozitet, që të shmangë dipendencën, prej tyre. Është e vërtetë, që fëmija nuk duhet ta mbushë ditën vetem me lojëra elektronike apo televizor, por jo, që të mos i mësojë e të dijë t’i përdorë.
Nëse ato, mjetet e shumta elektronike, përdoren me rregull e masë, vetëm e pregatisin fëmijën, që “nesër” kur të shkojë në shkollë apo punë, të jetë i aftë t’i përdorë me efikasitet.
Kjo “gjë”, ky problem, është i gjithi në “dorën” e të rriturit. Nëse i rrituri është i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm për fëmijën, nuk ndodh asgjë e keqe. Edhe po të ketë ndonjë problem, mbase nuk do e kuptojë, që ditën e parë, por të dytën patjetër, që i rrituri, do e verë re.
Gjithashtu, nëse ka ndërtuar një raport të hapur me fëmijën, pa etiketime, urdhra e mosbesim, do të jetë fëmija, që do të flasë me prindin për shqetësimin e tij.
Nëse prindi vepron me fëmijën, nëpërmjet urdhërit, kërcënimit, padurimit apo plotësimi i dëshirës, kur fëmija e bezdis, në këtë rast, nuk ndërtohet një raport i sigurt. Dhe natyrisht, që do të ketë edhe shmangie, madje deri fshehie të veprimeve.
Edhe e folura sllogan, se këto mjete janë të dëmshme dhe vetëm kaq, është vërtetë shumë e dëmshme, sepse e provokon fëmijën, në vend, që ta qetësojë dhe bindë.
Është e vërtetë, që nuk është një punë e lehtë, pasi kërkon vëmëndje dhe përqëndrim, por kjo është të jesh i rritur, të jesh i vetëdijshëm, të mbash përgjegjësi, dhe mbi të gjitha të mendohesh përpara se të veprosh.
(Nga Lira Gjika, pediatre)
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Stop bullizmit te të gjithë!
Bullizmi në shkolla, si mund ta parandalojmë?